Kryeministri i vendit Edi Rama me anë të një statusi në Twitter ka komentuar Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vettingut. Sipas Ramës, korrupsioni në drejtësi po vijon të marrë goditje në kokë por pas çdo goditje është opozita ajo që hidhet përpjetë. 

Vetingu vijon të godasë me sukses në kokë oktapodhin e korrupsionit degjenerues në drejtësi. Po për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin Vetingun,njësoj si gjithë qytetarët e për turpin e saj më të madh, opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje

Edi Rama

Së fundmi, në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka pasur shkarkime nga detyra për shkak të mos përmbushjes së tre shtyllave kryesore, në të cilat mbështetet procesi vlerësimit të figurës. Si pasojë e shkarkimeve Gjykata Kushtetuese doli jashtë funksionit. Të njëjtin fat rrezikon të ketë edhe Gjykata e Lartë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:13
Vettingu/ Basha-Ramës: Je 'koka e oktapodit' të drejtësisë që mbron të korruptuarit

Pas akuzave të kryeministrit Edi Rama se Partia Demokratike shqetësohet pas çdo goditje të Vettingut në sistemin e drejtësisë, ka reaguar kryedemokrati Lulzim Basha.

Për kreun e PD, Vettingu po përdoret nga Rama për të mbrojtur gjyqtarët e korruptuar, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur.

Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Tani Edi Rama po mbron nga vetingu gjyqtarët e korruptuar si Toska, Dvorani dhe Faqolli, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur. Sa herë PD denoncon me fakte konfirmimin në detyrë në kundërshtim me ligjin e Vettingut të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, Edi Rama, reagon me akuza të dala boje kundër opozitës.

Shkruan Basha në Facebook

Postimi i Lulzim Bashës:
Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Për të mbrojtur Tahirin, Xhafën, Roshin, Frrokun, Dakon, Sejdinin, Ahmetajn dhe Gjiknurin me shokë, Edi Rama kapi Prokurorin e Përgjithshëm dhe zhduku Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Tani Edi Rama po mbron nga vetingu gjyqtarët e korruptuar si Toska, Dvorani dhe Faqolli, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur. Sa herë PD denoncon me fakte konfirmimin në detyrë në kundërshtim me ligjin e Vettingut të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, Edi Rama, reagon me akuza të dala boje kundër opozitës.

Vettingu i kontrolluar politikisht prej Ramës, ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, pavarësisht rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e tyre. Ndaj atij i ka rënë maska dhe tregohet botërisht me gisht si njeriu që mbron korrupsionin në drejtësi, për të mbrojtur interesat e veta dhe të krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris.