Një masë ligjore do të merret për të gjithë ata që nuk e punojnë tokën. Këtë ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama gjatë takimit me fermerët këtë të shtunë. Në fjalën e tij, Rama tha se janë angazhuar deputetët dhe Ministria e Financave që të ndërmarrin një normë ligjore për këdo që vendos ta lërë tokën djerrë.

Me arsyetimin se toka sa i përket pronarit, aq është edhe pasuri publike, Rama u shpreh se nuk mund të pranojnë që të mbetet e pa punuar.

“Sot kemi ende toka të papunuara, por s’duhet të falim asnjë metër katror tokë bujqësore. Ndaj i kam kërkuar deputetëve të ulen bashkë me ju e të punojnë me Ministrinë e Financave për të vënë një normë ligjore që kush nuk e punon tokën, nuk mund ta lërë djerrë dhe të rrijë rehat e të thojë s’ta jap me qera, s’ja jap kujt ta punojë se dua ta rrethoj ta mbaj me plehra. Këtë se lejon asnjë vend se toka aq sa është e jotja private, aq është dhe pasuri publike. S’mund të lihet toka bujqësore me plehra, djerrë.  Kemi nevojë edhe për sistem të ri tregjesh”, tha Rama.

Sa i përket kritikës së vazhdueshme ndaj kryebashkiakëve, Rama thotë se më në fund e kanë kuptuar që nuk kanë nevojë për sipërmarrës që të ndërtojnë pika grumbullimi. Ndërsa për rrugët që janë ende në pritje për tu rregulluar, Rama premtoi se do t’i bëjnë të gjitha në mënyrë që t’i vihet në funksion prodhimit e turizmit.

“Pasi më ka vajtur goja mbrapa, kryebashkiakët kanë kuptuar bashkimet për të krijuar pika grumbullimi, agro përpunimi, aty ku ka ende nevojë pa pritur që të vijë një sipërmarrës që ta ndërtojë. Qeveria nuk ndërton dot pika grumbullimi. Keni nevojë për pikë grumbullimi? Duhet të mblidheni me kryetarin e bashkisë, të vini një lekë, kryetari 3 lekë dhe pastaj bëni aplikim të përbashkët për të marrë fonde europiane përmes AZHBR apo kredi me garanci sovrane të qeverisë dhe është e juaja dhe i shihni hajrin punës tuaj”, tha Rama.

Për të çuar në të tjera nivele sektorin e bujqësisë në një takim me feremrët në Fier, Rama foli për pritshmëritë që ka për eksportet. Të premten nga Elbasani, kreu i qeverisë njoftoi ndërtimin e 5 tregjeve të para shtetërore, një nismë kjo që sipas tij pritet t’i japë fund abuzimit me çmimet në tregjet e menaxhuara nga privati. 

Rama nuk ka lënë pa komentuar protestën e thirrur nga Sali Berisha për vdekjen e Lear Kurtit ku morën pjesë rreth 50 persona. Opozita që sipas Ramës është ku thërret qameti nuk mund të besohet e as t’i shkohet pas sepse arrijnë të shqyejnë një kufomë në sytë e miletit për të nxitur urrejtje ndaj Policisë së Shtetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:30
Rama në plazhin Darzezë të Fierit: Potencial për zhvillimin e turizmit në Adriatik

 

Gjatë vizitës në Fier, kryeministri Edi Rama është ndalur edhe në plazhin e Darzezës. Rama tha se ky plazh është një ndër plazhet më të bukura të Adriatikut dhe është një potencial i madh për zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

“Mbetemi të bindur dhe jam i sigurt që kjo zonë do të jetë një vlerë e jashtëzakonshme shtuar për Fierin dhe ekonominë kombëtare. Po të shikojmë të gjithë karakteristikat e zonës jemi në potenciale të përafërta nuk po hyj cila më shumë e cila më pak me zonën poshtë të Gjiri të Lalzit jemi në kushtet ku mund ta nisim gjënë pa pasur përpara pengesat e tmerrshme të një të shkuare, injorance, barbarie dëme të shkaktuara që i vënë në gjysmë në hije edhe investimet që kur morëm detyrën me tjetër cilësi kualifikimi ndërtimi urban me cilësi ndërtimesh. Sot janë komplet të integruar edhe investimet e zhvilluesit për këtë arsye kemi edhe të tjera investime të reja që bëjnë diferencën, por të kufizuar nga situata deformimesh të mëdha paraprake.

Na vjen shumë mirë që na vjen shumë mirë kemi mundësi të marrim edhe një projekt ide. Këtu është një ide që do të rishikohet rrënjësisht se i kemi bërë vërejtjet tona për të pasur një turizëm shumë të përparuar nga pikëpamja e standardeve ekologjike pa atë intensitet që ka projekt ide që shfaq këtu dhe më shumë tepër  qasje për të sjellë nga një anë gjithë publikun shqiptar në hapësirat të pafundme janë rreth 25 km që presin të ceken deri në zonën e Divjakës, ku edhe aty duam të zhvillojmë më shumë kujdes se kemi e aty asete fantastike”.

Ora 13:40
Rama: Dalin në televizor duke hedhur mollët në rrugë sikur qeveria i ka braktisur! E vërteta është tjetër, synojmë 500 mld euro eksporte frutash

 

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur të gjithë kritikëve se qeveria nuk po mbështet fermerët. Në fjalën e tij nga Fieri u shpreh se bëjnë shfaqje nëpër rrugë, por në fakt e vërteta është ndryshe sepse produktet eksportohen.

“Sot është kulmi i kontrastit me fshatin që del në tv, me skenat e hedhjes së mollëve apo të qepëve në rrugë për të bërë shfaqjen e një dëshpërimi në emër të një braktisjeje ë qeverisë që nuk ekziston. Ka një të vërtetë tjetër, që ato produkte që dalin në tv duke u hedhur dhe nuk dalin ato tjerat që eksportohen janë shëmbëlltyrë e të ndenjurit pas. Të gjithë fermerët e kanë kuptuar dhe sot synojmë 500 mln euro eksporte. Pra po synojmë të arrijmë këtë gjysmë mld eksporte frutash, perimesh. Eksporte të një Shqipërie ndryshe nga çfarë tregojnë pasqyrat e deformuara të tv që fshihen pronarë që shantazhojnë. Kemi një Shqipëri që punon dyfishin e tokës sepse ne i vendosim në dispozicion ujin”, tha Rama.

Ora 13:28
Rama thumbon sërish Kovaçin: Të jetë krenar sa të dojë që ka qenë në SHIK, por s'kemi çfarë i bëjmë turmës që del nga Foltorja për protestë

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa komentuar protestën e pedagogëve gjatë takimit me fermerët. Rama u shpreh se pagat janë rritur ndërsa thumbon sërish Sandër Kovacin duke thënë se është krenar që ka qenë në SHIK, por shtoi se nuk kanë cfarë ti bëjnë turmës së ‘foltores’. Kështu i referohet sërish sikur pedagogët janë nxitur nga Sali Berisha për të dalë në protestë.

“Askujt nuk i janë rritur pagat sa i janë rritur pedagogëve, e çfarë duan ata. Kërkojnë sërish. Këta janë një pakicë nën drejtimin e një Shik-si një figure të SHIK-ut që e thotë me krenari që ka qenë në Shik, le të jetë krenar sa të dojë se nuk kemi çfarë t’i bëjmë një grushti të një grupi, të një turme që nga foltorja del në dyert e universiteteve e bën shfaqje sikur brenda po bëhet nami.

Dhe është një grup, një turmë që nga foltorja që del në dyert e universiteteve sikur brenda bëhet nami. Natyrisht që rritja e pagave nuk është e mjaftueshme, por le ta themi të vërtetën ne kemi inflacionin më të ulët”, tha Rama.

Ora 12:35
Protesta e thirrur nga Berisha me 50 veta, Rama: Si mund t’i shkosh mbrapa këtyre hienave që shqyejnë kufomën në sytë e miletit?

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e thirrur nga Sali Berisha për vdekjen e Lear Kurtit, ku morën pjesë rreth 50 persona. Opozitën për të cilën thotë se është ku thërret qameti nga mendja e kokës, nuk mund të besohet sepse arrijnë të shqyejnë një kufomë në sytë e miletit për të nxitur urrejtje ndaj policisë së shtetit.

“Ata që kërkojnë fajtorë, ne i kemi ku thërret qameti nga mendja e kokës, njerëz pa asnjë lloj kodi, hiena të cilët arrijnë derisa të shqyejnë në televizor nga mëngjesi në darkë kufoma duke bërë çmos që të ngrenë tymnajë, tensione dhe më pas zjarrin e urrejtjes ndaj policisë së shtetit. Si mund të kafshojë të vdekurit për të nxjerrë përfitime?

Si mund të besohen këta hiena kur janë në gjendje të kthejnë përmbys një vdekje, kur marrin një kufomë ta shqyejnë në sytë e miletit. Çfarë shqiptarësh janë ata që ju shkojnë mbrapa këtyre? Mund të kesh 1000 arsye ti thuash lanet qeverisë, por nuk ka arsye të shkosh pas hienave”, tha Rama teksa ndodhet në takim me fermerët në Fier.