TIRANË- Nën thirrjet ‘Drejtësi për Learin’, qytetarët në Tiranë protestuan ditën e sotme për rreth një orë, pas vdekjes së të riut Lear Kurti një ditë më parë, vetëm pak pasi u shoqërua në komisariatin nr.3 në Tiranë. Qytetarët mbajtën fjalime para ministrisë së Brendshme, duke akuzuar qeverinë dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm.

‘Policisë po i mbeten djemtë e Shqipërisë në dorë. Ju jeni vrasës dhe këtë e dinë i madh dhe i vogël. Ajo çfarë duhet të bëjmë ne është t’i themi boll kësaj paçavureje. Jep dorëheqjen ministër’- u shpreh një protestues.

Pasi mbajtën fjalime dhe ndezën qirinj duke kryer homazhe, qytetarët u nisen drejt kryeministrisë. Por këtu fjalimet ishin më të pakta, ndërsa u mbajt edhe një minutë heshtje. Në foton e siguruar me dron nga Report Tv, u vu re një numër mjaft i vogël qytetarësh, rreth 50 të tillë, të cilët nuk i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës për një protestë masive, pasi sipas ish-kryeministrit Lear Kurti u torturua dhe më pas u vra në furgonin e policisë. Në mesin e protestuesve u panë eksponentë dhe përfaqësues të Rithemelimit të PD-së, si Klevis Balliu si dhe të rinj të FRPD-së, të cilët mbajtën edhe fjalime.

Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i ka bërë thirrje 32-vjeçarit Lear Kurtit, për të ndaluar, por ky i fundit nuk është bindur dhe është larguar me vrap. Efektivët kanë arritur që ta kapin, dhe më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Por në ato moment 32-vjeçari nuk është ndjerë mirë dhe ka ndërruar jetë në komisariat.

Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
Report TV sjell foton me dron, rreth 50 protestues i përgjigjen apelit të Sali Berishës

1666377655_PROTRSTA.jpg

Report Tv sjell foto me dron nga protesta, ku duket numri i pjesëmarrësve. Siç mund të shihet apelit të bërë nga Sali Berisha, i janë përgjigjur një numër i pakët, rreth 50 persona.

 

Ora 20:33
Drejtësi për Lear Kurtin/ Protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë

 

Protestuesit kanë nisur një marshim nga Ministria e Brendshme drejt kryeministrisë. Ato shprehen se kërkojnë drejtësi për Lear Kurtit, duke kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ora 19:27
Vdekja e Lear Kurtit, përfaqësues të Rithemelimit protestojnë para komisariatit në Lezhë: Të bëhet drejtësi, mund të ishte secili nga ne

LEZHË- Qytetar dhe përfaqësues të Rithemelimit të PD-së, janë mbledhur pasditen e sotme në Lezhës për të protestuar për vdekjen e Lear Kurtit, i cili humbi jetën një ditë më parë pasi u shoqërua policia. Të pranishmit u mblodhën para komisariatit të policisë në Lezhë dhe ndezën qirinj për viktimën.

‘Të bëhet drejtësi për vdekjen e Lear. U vra në komisariatin e policisë. Të dënohet fajtori maksimalisht. Unë si e re jam shumë e prekur. Po na vrasin shpresën për të jetuar në këtë vend, por edhe po na vrasin fizikisht.’- u shprehën të rinjtë.