Rama-opozitës: Fitorja e thellë se njerëzit ju refuzuan, morët përgjigje spektakolare më 14 maj! Berisha e Bardhi në një zë: Vodhe votat me Doshin e Dakon

Rezultati që ngjyrosi rozë thuajse të gjithë hartën e bashkive të vendit më 14 maj, nuk kaloi pa përplasje në seancën plenare. Për kryeministrin Edi Rama, fitorja e thellë e shumicës socialiste u ndikua veçanërisht nga refuzimi masiv që shqiptarët i bënë opozitës.

“Unë e them dhe e përsëris për rezultatin tonë jeni bashkëpunëtorë është sa meritë e jona aq edhe e juaja, se jeni bërë aq të pangrënshëm, aq të patretshëm....”, tha Rama. 

Ironizoi opozitën se nëse nuk reflekton, në zgjedhjet e ardhshme, do të humbë më thellë.

“Më shumë sesa fitorja jonë, është disfata e politikës së të gjithëve ju, që vini këtu edhe këndoni dokkrat tuaja, po e morët vesh mirë, po se morët vesh faleminderit, se do jetë më keq për ju herës tjetër, për ju, jo për shqiptarët”, tha Rama. 

I pari që i replikoi ishte kreu i ri i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që i kërkoi të flasë edhe për dy non gratat Tom Doshi e Vangush Dako, që sipas tij i dhanë fitoren Ramës në Shkodër e Durrës.

"Konkluzioni më domethënës i zgjedhjeve të 14 majit, është rezultati I aleatit politik të Edi Ramës, në të gjithë Shqipërinë. Aleatit non grata të Edi Ramës, Partisë Social Demnokrate të Tom Doshit. Në fakt ai është thelbi i pushtetit të Edi Ramës, një këmbë të pushtetit në Durrës ia ka garantuar Vangjush Dako, i damkosur  non grata për të cilën ai hesht dhe nuk flet. Në Shkodër të pushtetit të tij ia ka garantuar Tom Doshi non grata, për të cilin ai nuk flet", tha Bardhi.

Në të njëjtën linjë, edhe kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, që tha se Rama bleu vota me Tom Doshin.

"Zgjedhjet u vodhën masivisht dhe ky është një krim i shëmtuar. Cilido që ka dyshimin më të vogël, të shohë partinë e blerjes së votës të Tom Doshit, ju garantoj se Toma është vetëm një lejtnant i Edi Ramës në këtë proces. Se Edi Rama ka blerë vota 3 deri në 4 herë më shumë se Tom Doshi. Së pari, Edi Rama ka para pakrahasimisht më shumë se Toma. Së dyti, ka të gjithë strukturat e shtetit për të realizuar votëblerjen. Së treti, përveç parave, Edi Rama ka përdorur metodat më të hapura, ka përdorur zarfet, të cilët avoketërit e vjedhjes së vots që bërtasin në studio ‘rroftë hajduti’, duke dëshmuar një degradim të plotë të dinjitetit të tyre nga paratë e qeverisë", tha Berisha.

Sipas Berishës, Rama përdori të gjitha strukturat e shtetit për të realizuar votëblerjen më 14 maj, ndërsa votat që mori logoja zyrtare e PD, kreu i Rithemelimit tha se janë për të.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
Manja-Berishës: Ik dëgjo Lek Plepin në Shkodër dhe reflekto për ata që të kanë votuar, prano humbjen

 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka këshilluar Berishën të reflektojë dhe të pranojë humbjen e 14 majit.

“Kam një fjalë për Berishën.

Mos dëgjo vetëm zërat e brendshme as servilet që të rrinë afër. Reflekto dhe për ata qytetarët që të pëlqejnë. Dëgjo dhe Lek Plepin në Shkodër. Për këta ke nevojë ti të reflektosh. Kjo është punë e juaja s’na përket ne.”- tha ai.

Ora 13:35
Spiropali ‘elegji’ për fundin politik të Berishës: Hupe Sali! Nga veriu në jug të refuzuan! Hajde me mua, Ramën e Benetin pas ca muajsh të shohësh zonjën Shkodër

 

Ministrja e Shtetit për Marrdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i drejtoi Berishës “lamtumirën” në fjalimin e saj në Kuvend. Spiropali i tha se Berisha tashmë nuk ka më asnjë ndikim në publik pasi të gjithë e refuzuan, madje edhe bastioni që e mbante peng, Shkodra. Ministrja e ftoi në një takim së bashku me Ramën dhe Benet Becin që të shihte transformimin që do bëhet tani në Shkodër.

“Parafolësi mashtron dhe kërcënon. Ka 57 vjet që ky burrë, që cdo gjë e mat çfarë lidhje kam unë me ç’bëj unë. Sali Berisha udhëhoqi partinë e tij në  një humbje që do të bënte çdo disfatist të ngjajë si fitore. Hupe, Sali hupe. Shqiptarët të refuzuan nga veriu në jug. Shpresa jote për rilindje ka përfunduar njëherë e mirë. Të rrëzoi Shkodra, të la Tirana dhe të braktisi Tropoja. Të gjithë të refuzuan si kujtim të lig 95% e shqiptarëve. Nëse do të kishte mbetur një fije njerzillëku, do i përuleshe vesit duke pranuar se çfarë e di gjithë Shqipëria po thua që t’u vodhën. Siç thua gjithnjë. Lumi i përhershëm i deklaratave të tua mediokre. Hupe, hupe. Po kjo është humbja jote e personale. Ciao e Selam nga të gjithë Shkodra e Shkodranët o Sali dhe të tjerët bashkë me këta që kanë humbur vulën. Ti je njeriu që e mbajte peng Shkodrën. Unë, Rama, Beci të ftojmë në një takim për 24 muaj ta shohësh të zgjuar zonjën Shkodër. Të them hajde më shpejt se për 4 vjet t’i se njeh më Shkodrën, shpresoj të mos të jesh shpallur non grata prapë deri ateherë. 22 mijë vota më pak në Shkodër. Hupe Sali, hupe. Ti je ku thërret qameti sot. Shëndet ali mos harro të shohsh perëndimin e diellit, edhe pse se meriton bukurinë e saj mund të vish në Bunë a në Shirokë.”- tha Spiropali.

Ora 11:51
Bardhi-Ramës: Shpjegoi rezultatin me aleatin tënd politik Tom Doshin dhe non gratën e tij që ti së përmend

 

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është shprehur se Rama në vend që të merret me opozitën do i duhet të shpjegojë shqiptarëve se pse nuk flet për non gratën e Tom Doshit falë të cilit mori zgjedhjet, sipas Bardhit.

“Shpjegove rezultatin e opozitës por nuk shpjegove rezultatit të aleatit tënd Non Grata Tom Doshin. Se në fakt konkluzioni më domethënës është rezultati i aleatit politik të Ramës, non grata PSD të Tom Doshit. Ai është thelbi i pushtetit të Ramës, një këmbë të pushtetit në Durrës ja ka ngarkuar Vangjush Dako i damkosur Non Grata, një në Shkodër Tom Doshi. Në vend të japë llogari për masakrën që bëri më 14 majti, meerret me opozitën.”- tha Bardhi. 

Ora 11:47
Rama parashikon disfatën e opozitës në zgjedhjet e ardhshme: Jeni bërë të pashikueshëm, do jetë më keq për ju

 

Kreu i qeverisë ka parashikuar disfatën e opozitës në zgjedhjet e ardhshme ku thotë se do të jetë më keq për ta.

“Nëse doni të dini pse jua ktheu Kamza kurrizin, shkoni e shikoni të gjithë politikat e bashkisë, merrni me radhë familjet që ju prishën shtëpitë nga tërmeti, pyesni ata të Unazës pse 130 familje nuk bënë asnjë protestë. Ata e dinë shumë mirë që njeriu që kanë atje fle i fundit, zgjohet i pari dhe çfarë thotë e bën. Ajo çfarë bëjnë atje është fiks ajo që do bëjnë. Kamza bëri atë që keni merituar prej kohësh. Hajdeni me mua në Tropojë e shihni pse ju ktheu kurrizin

Jeni bërë aq të pashikueshëm, të padëgjueshëm, të pangrënshëm sa një pjesë na votuan ne, një pjesë qëndruan në shtëpi. Herën tjetër do jenë më pak. Më shumë se fitorja jonë ajo është disfatë e politikës e të gjithë juve që vini këtu. Po e morët vesh merreni po se morët vesh herën tjetër do të jetë edhe më keq, për ju, jo për Shqipërinë jo për shqiptarë”, tha Rama.

Ora 11:16
Rama i drejtohet opozitës: Komike të flisni në emër të shqiptarëve, ata folën më 14 maj! Juve ju kanë braktisur

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend duke ju përgjigjur opozitës u shpreh se është shumë komike që ato të flasin në emër të shqiptarëve kur shqiptarët folën më 14 maj. Sipas Ramës opozita u braktis nga shqiptarët, ndërsa përkundrazi mazhorancën është mbështetur nga qytetarët.

‘Kur shqiptarët sapo kanë folur. Nuk është bërë Akoma java e dytë dhe kanë folur aq qartë sa natyrisht kanë tronditur një pjesë të atyre që fatkeqësisht janë atë që nuk duan të dëgjojnë, është shumë komike që të flitet në emër të shqiptarëve. Të flitet në emër të shqiptarëve që braktisën politikën, zgjedhjet apo në emër të të rinjve që ishin të pakët në votime. Pasqyra e pjesëmarrjes flet pak më ndryshe. Shqiptarët nuk kanë braktisur të gjithë ne, por një pjesë nga ne. Sa i takon pjesës që së bashku me të gjithë deputetët në krahun e majtë unë përfaqësoj shqiptarët jo vetëm që nuk na kanë braktisur por na kanë mbështetur më shumë se asnjëherë më parë. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se nuk është një fenomen karakteristik i zgjedhjeve vendore. Braktisësit e të gjitha moshave kërkojini tek mënyra si e lexoni Shqipërinë tek mënyra sesi flisnim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo është një këshillë e pa kërkuar që unë ua kam dhënë që në mandatin tonë të parë.’- tha Rama.

Ora 11:00
Bushka- Tabakut: Mos na bëni fajtor për humbjet tuaja, na besojnë qytetarët! Rritja e pagave është domethënëse

 

Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka e ka cilësuar nisëm  e rritjes së pagave domethënës. Ajo i ka kthyer replikë Jorida Tabakut ku u shpreh që mos ta bënin fajtor PS për humbjen.

“Ne jemi në një zonë elektorale, nëse do i shihnit shifrat do të shihnit që PS ka marrë votën e 2021 në këto zgjedhje. Ka pasur madje edhe një rritje më tepër se në 2021. Mos na fajësoni ne për humbjet që pësoni në zgjedhje. Sot është dita që të gjithë të bëjmë një analizë. Sot është një ditë e rëndësishme për agat, në kaq vite pas rënies së diktaturës kjo rritje është domethënëse. Erdhi pas vitesh punë.”- thotë Bushka.  

Ora 10:54
Tabaku: Pas humbjes më 14 maj, një pjesë e jona pretendon supremaci! Shqipëria në katrahurë, shpëtohet vetëm me rikthim të besimit te ndryshimi

 

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka marrë fjalën në Kuvend për të diskutuar për rritjen e pagave por u fokusua dhe në zgjedhjet e 14 majit duke thënë se fajin e ka edhe vetë opozita.

Sipas Tabakut, të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave. Teksa e cilësonte premtimin e qeverisë për rritjen e pagave si një tentativë për të marrë pushtetin vendor dhe fajëson opozitën për mospjesëmarrjen e qytetarëve në kutitë e votimit, thotë se Shqipëria është në katrahurë dhe mund të shpëtohet vetëm me rikthim të besimit te politika e ndryshimi.

Një mesazh e ka edhe për Sali Berishën duke thënë se edhe pas 14 majit, disa pretendon supremaci kur gjithçka panë ishte humbja.

“Për shumë prej nesh besoj se është e vështirë rifillimi i seancave aty ku e lamë duke u sjellë sikur nuk ka ndodhur gjë, pak më shumë se një javë më parë Shqipëria dhe shqiptarët humbën shansin për një rotacion lokal, ku harta kishte pak a shumë të njëjtën pamje që kishte katër vjet më parë. Këtu nuk është as vendi as momenti për të bërë analizat tona të brendshme, por sigurisht që pak gjëra dua t’i them: Është fakt që mbas zgjedhjeve të 2021 largimi i shqiptarëve nga këto troje është rritur e përshpejtuar sa jo pak herë vrikemi të justifikojmë dhe me pak siklet se çfarë ndodh; kush janë arsyet; se pse sot ka më pak shpresë dhe pse shqiptarët largohen. Kam takuar pa fund të rinj e të reja që kanë një mllef, mërzi por dhe dëshirë për ndryshim, që duan ta materializojnë dhe fatkeqësisht nuk arritën dot ta bëjnë në zgjedhjet lokale, që nuk arritën dot që atë potencial të paçliruar ta çlironin dhe sot të diskutonim për të ardhmen e jo të shkuarën.

Kur shihja fytyrat e lodhura në takimet elektorale që prisnin me valle për të dëgjuar se çdo ndodhë nesër, kur shihja moshën mesatare të rritur, kur pashë shifrat që nga mbi 122 000 votues për herë të parë, zgjodhën të shkojnë në votime as 17 mijë të tillë, pra 13.5%, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar. Më tej, kur pashë shifrat që thuajse 300 mijë shqiptarë kishin vendosur të qëndrojnë në shtëpi atë të dielë, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar. Ndërkohë, një pjesë e jona akoma pretendon supremaci. Ku është supremacia? Ku është fitorja? Ku është krenaria? Në humbje, pa nder! Ka një ndjenjë të thellë frustacioni që rinia e tyre është marrë peng nga një elitë politike që i bën të ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar për mirë vendin.

Janë disa barriera të ngritura apostafat, qëllimisht, për të ushqyer këtë ndjenjë apo të ngjashme si këto dhe që i shtyjnë shumë të largohen në vend që të kërkojnë ndryshimin. Barrierat për të cilat flas nuk janë të padukshme, barrierë është dhe përpjekja e vazhdueshme për të influencuar votën apo këmbëngulja e vazhdueshme për të vendosur nën presion administratën, një shtet i kthyer në njësh me partinë në pushtet, blerja e votës, dhe me një konkurrencë të pashëndetshme për demokracinë mes ministrave që me çdo kusht duhet të terheqin vemendjen e liderit e përdorin çdo burim në atë drejtim.

Në qendrat e bojatisura të qyteteve të rilindura, ku kërcenin të moshuarit, u fol për shumëçka por shumë pak se si do jetë qeverisja nesër. Pa program por me dajre, pa politika por me muzikën në gojë dhe ahengun si ndërmjetës. E në këtë logore fjalësh, kërcimesh, refuzimi për të vepruar, mungese alternative e programi, presioni e lloj-lloj turli eksperiencash erdhi dhe sigurisht dhe premtimi për rritjen e  madhe të pagave. Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria shqiptare vitin e shkuar prej 4.84% nuk do të jetë më e tillë; pritshmëria tejet optimiste e qeverisë shqiptare në fakt do të përfundojë në 2.2%.

Të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave. Pasi qeveria në vend që të punonte për një rritje graduale të pagave dhe padyshim edhe meritokracinë ka investuar në sektorin e korrupsionit. Fatkeqësisht pabarazia në vendin tonë duket se është thellësisht një proces i ndikuar dhe drejtuar nga parlamenti i Shqipërisë. Sa e sa ligje janë miratuar këtu që promovojnë pabarazinë dhe mungesën e mobilitetit social?

E bashkë me këtë administrata publike sot ka nevojë të jetë e pakapur, ka nevojë të jetë jo-politike; ka nevojë të vazhdojë atë që nisi në 2013 po u shkel me këmbë një sistem ku promovohesh pa lidhje partiake. Kur dëgjoj prezantimet e këshilltareve bashkiakë nëpër rrethe, janë të gjithë të punësuar në OSHEE, administratë, drejtori rajonale. I gjithë shteti është i lidhur politikisht! Prandaj largohen sot dhe të rinjtë, sepse duhet patjeter të jesh dikushi, ose familjar i dikushit, ose i lidhur me dikë që punësohet në shtet, që të kesh mundësi të arrish diçka.

Besoj, se shqiptarëve u bëhet vonë për politikën. E kuptojnë shumë mirë se kur e shkuara u përdoret si shantazh për të ardhmen, se kur e shkuara u sillet si barrierë për të mos ndryshuar dhe për të mos luftuar, edhe për gabimet tona si opozitë, ata zgjedhin që të mos votojnë dhe të bojkotojnë. Gjithsesi, kjo nuk duhet të na dekurajojë nga një përpjekje e thjeshtë dhe tërësisht e ndershme për të dëgjuar shqiptarët, demokratët dhe madje edhe socialistë. Për t’i ftuar ato në një angazhim dhe për t’i mikluar që në vend të cinizmit të na ofrojë shansin për t’i përfaqësuar apo për t’u përfaqësuar. E di që shumë prej tyre janë mosbesues ndaj nesh! Nuk u vë faj! Shqipëria sot është një katrahurë ekonomike dhe politike. Besoj se ka vetëm një rrugë për ta shpëtuar vendin nga kjo katrahurë, rikthimi i besimit tek politika, rikthimi i besimit tek ndryshimi. Tek politika si instrument për të bërë mirë e për të ndryshuar çdo ditë, jo sa herë ka zgjedhje! Me çdo mundësi, qoftë dhe me kosto politike për secilin prej nesh", tha Tabaku.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Linda: 26/05/2023 05:04

    Kur humben ne zgjedhje Tabaku fliste jasht mureve te parlamentit si e penduar si gjynafqare sa filoj punen parlamenti nuk la gje me te keqe pa thene duke share e duke ofenduar me gjuhen e urrejtjes se ajo ka vetem nje qellim te provokoj dhe te percaj politiken dhe parlamentin shqiptar!! Ajo ndodhet shume gabimisht ne parlamenitn shqiptar ! Shqipria eshte shume e bukur dhe katraurat ekzistojn vetem ne karakteret e keqberesve te vendit ata ndodhen brenda mureve te partis demokratike!

    Përgjigju
  • Sifi: 25/05/2023 15:44

    Te vjedhesh voten eshte akt I denueshem penalisht ,por Saliu dhe Bardhi thojne se PS fitoi me diference 300 mije votash se vodhi! Arithmetika e thjeshte, qe bind dhe femijet.PS ne keto zgjedhje mori 780 mije vota qe eshte mesararja shume vjecare e votuesve te saj, prandaj Saliu dhe Bardhi mashtrojne se nga ana e tyre nuk votuan rreth 130 mije votu es, pra dhe sikur ti shtojme kete shume perseri humbasin.Me rena NUK shkohet se populli ne tilla gjera nuk duron duron por ju refuzon

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!