Për arsyet se pse kishte vendosur të merrte pjesë në mbledhjen e OKB-së, Ramiz Alia flet gjerë e gjatë në një diskutim paraprak, në mbledhjen e 31 gushtit 1990 në Presidium, ku ai deklaron edhe vendimin që kishte marrë Byroja Politike.
Për lexuesit e Shqiptarja.com, sjellim të plotë në dy numra diskutimet e kësaj mbledhje, ku dominon fjala e gjatë e Ramiz Alisë e ku përmblidhen në një analizë të hollësishme ngjarjet kryesore të 1990, mes tyre edhe ngjarje te Ambasadave, që Ramiz Alia vijon ti quajë inskenime të perëndimit, i cili sipas tij kërkonte të përmbyste me forcë pushtetin e komunistëve. Më poshtë sjellim pjesën e parë të procesverbalit të kësaj mbledhje. procesverbali, që ruhet në AQSH, paraqet disa mangësi gjatë zbardhjes, të cilat ne i kemi lënë bosh siç janë edhe në dokumentin origjinal.
P R O C E S V E R B A L
I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, në datën 31 gusht 1990,ditën e premte, ora 900
Në mbledhje marrin pjesë shokët: Ramiz Alia (Kryetar), Rita marko, Xhafer Spahiu, Emine Guri (nënkryetarë), Sihat Tozaj (sekretar), Rahman Hanku, Pettit Gaçe, Kristaq Rama, Simon Ballabani, Lumturi Rexha, Faik Çinaj, Sotir Koçollari, Eleni Selenica (anëtarë).
Mungojnë shokët: Stefan Qirjako, Terezina Marubi.
Shoku Ramiz Alia: Këtë mbledhje e bëra që të diskutojmë bashkë për një vendim që ka marrë Byroja Politike, por meqë ka të bëjë me punën e Presidiumit, ta diskutojmë bashkë. Domethënë është çështja që Byroja Politike e gjykoi të nevojshme që sivjet në mbledhjen e OKB-së të shkoj unë. Kjo mbledhje bëhet në muajin shtator. Sigurisht në këtë mbledhje unë shkoj si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe jo si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror. Prandaj desha ta diskutojmë bashkë këtë çështje. Cili është motivi nga nisemi për këtë çështje? Problemi është që në botë politikën tonë përgjithësisht dhe në imazhin e Shqipërisë juve keni parasysh luftërat, përpjekjet që bëhen për të krijuar armiqtë një imazh për Shqipërinë si një vend të mbyllur, si një vend që ecën kundër korrentit, që ndjek një politikë në kundërshtim me parimet e demokracisë, në kundërshtim me Helsinkin etj., etj. Nga ana tjetër ishte politika jonë që afirmon të kundërtën.
Domethënë ne, duke pasur në ballë të politikës sonë interesat kombëtare, të mbrojtjes së lirisë, të pavarësisë, të sovranitetit të vendit e të socializmit në të njëjtën kohë t’i tregojmë botës që as ka qenë dhe as është kurrë politika e izolimit politika e Shqipërisë. Në qoftë se flitet për izolim të Shqipërisë nuk është qeveria dhe shteti shqiptar që e ka zgjedhur këtë rrugë, por janë të tjerët që ia atribuojnë një politikë të tillë Shqipërisë, domethënë janë të tjerët që janë mbajtur ndaj Shqipërisë një qëndrim izolues, një qëndrim diskriminues për arsyet që dihen.
Natyrisht po të marrim propagandistët e mëdhenj të tezës që Shqipëria është një vend i izoluar kanë qenë gjithmonë jugosllavët dhe janë jugosllavët. Kjo është e lidhur me interesin që kanë jugosllavët që Shqipërinë bota ta gjykojë sipas syzeve të Beogradit. Shqipëria të gjykohet gjithmonë si një vend i cili nuk është në gjendje të administrohet, të drejtohet e të veprojë vetë, por ka nevojë për një tutelë e cila mund të ishte Jugosllavia. Sipas tyre Shqipëria është një vend sektar, i mbyllur, ngatërrestar. Kur ka situata të vështira të themi se shqiptarët në Jugosllavi shkaktarë janë shqiptarët e Shqipërisë socialiste, politika që ndjek ajo e cila sipas tyre është një politikë agresive, jo e paqes, jo demokratike, jo civilizuese etj., etj.
Rruga që ka përshkuar politika jonë e Partisë dhe qeverisë sonë nuk do mend që e gjithë kjo rrugë ka shkuar në kundërshtim me këtë tendencë dhe në forma nga më të ndryshmet. Ne jemi munduar të çajmë këto rrethime, të çajmë këtë lloj mentaliteti dhe të afirmojmë në të kundërtën që kemi qenë dhe jemi për marrëdhënie me të tjerët. Nuk jemi ne shkaktarët e një mbylljeje por janë të tjerët që duan ta mbajnë të mbyllur Shqipërinë. P.sh. vetë fakti i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Greqinë në një kohë kur në fuqi ishin _________ ishte një demonstrim i qartë që nuk ishim ne shqiptarë kundër vendosjes së marrëdhënieve me të tjerët por ishin të tjerët që mbanin. Në fund të fundit ne pranuam të vendosnim marrëdhënie diplomatike me ___________ që ishin në fuqi në Greqi.
Ose mbajtja e ligjit të luftës nga Greqia nuk ishte nga ne por ishte nga grekët që mbahej. Hapja e Kakavijës dhe demonstrimi që bëmë në kufi me Greqinë të kufitarëve të të dy zonave të dy vendeve prapë ishte një shenjë që ne tregojmë dhe treguam që ishim për një politikë fqinjësie të mirë të marrëdhënieve normale midis shteteve. Në fund të fundit tërë qëndrimi ynë në politikën ndaj çështjes së Jugosllavisë ose problemit të Ballkanit në përgjithësi, pra të gjitha këto tregojnë që ne në politikën tonë kemi qenë konsekuentë të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha ato që janë dhe duan marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Pra kushdo që ka kërkuar marrëdhënie të mira me Shqipërinë duke respektuar parimet e lirisë, pavarësisë e sovranitetit kombëtar, parimet e bashkekzistencës paqësore ne nuk kemi refuzuar asnjëherë.
Në Plenumin e 10-të të Komitetit Qendror theksuam pikërisht që kushdo që kërkon dhe na afron miqësi edhe ne jemi gati të kemi marrëdhënie të mira e të ofrojmë miqësi. Bile duke u nisur nga ndryshimet që kanë ndodhur në marrëdhëniet ndërkombëtare në kohë të fundit ne shkuam atje derisa pranuam çështjen e afrimit ose bashkëpunimit në Konferencën e Sigurimit Evropian siç avancuan në drejtim të Tregut të Përbashkët ose të marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht ky qëndrim i Partisë sonë dhe kjo politikë e përcaktuar në këto plenumet e Komitetit Qendror e të zbatuar nga qeveria patën rezultatin e tyre.
Në botë filloi të krijohet një imazh pozitiv për qëndrimet politike, për vijën e Partisë e të qeverisë sonë. Mbi këtë bazë shumë nga shpifjet dhe qëndrimet jugosllave ndaj vendit tonë filluan të shikohen me dyshim nga opinioni publik ndërkombëtar. Kjo si politikë e jashtme nga njëra anë, nga ana tjetër vendimet e ndjeshme në fushën e politikës së brendshme. Gjithashtu filluam të krijojnë një imazh pozitiv për Shqipërinë. Natyrisht çdo aksion ka reaksion ky ligj në fizikë është ligj dhe në politikë. Domethënë në qoftë se ne ndjekim një vijë të caktuar armiqtë tanë ndjekim një kundërvijë që ka për qëllim të kundërt e saj që duam ne.
Duke parë që politika shqiptare po fiton qoftë politika e brendshme qoftë politika e jashtme e saj e forca armiqësore të Shqipërisë dhe veçanërisht jugosllavët në radhë të parë por dhe forca të tjera në Evropë u përpoqën ta prishin këtë ekuilibër. U përpoqën që ndaj Shqipërisë të krijohet përsëri një imazh tjetër domethënë të konsiderohej që ajo çka bën Shqipëria dhe vija që ndjek ajo është një mashtrim se në realitet politika shqiptare vazhdon të jetë një politikë e egër, jo miqësore, jo demokratike etj., etj.
Kështu e ka burimin një nga ato, bile këtu është një nga arsyet themelore të ngjarjeve të korrikut në këto ambasadat e huaja, të cilat padyshim kanë lidhje edhe me mungesat tona me dobësitë tona tani të mos përsëris ato që janë thënë në atë letrën e Komitetit Qendror por ato kanë lidhje pikërisht me këtë synim të armiqve tanë që atë padurim që tregoi një pjesë e këtyre njerëzve që hyjnë në ambasada, atë çoroditje që patën ata, ta shfrytëzonin për të krijuar rreth Shqipërisë këtë imazh negativ dhe ne pamë konkretisht që në atë kohë një fushatë e madhe kundër Shqipërisë u ngrit siç pamë në të njëjtën kohë edhe synime për të implikuar problemet e brendshme të Shqipërisë me problemet e jashtme. Në ç’drejtim u vunë re këto implikime? Në drejtimin që ...
Me likuidimin e problemit të ambasadave në fakt vendet perëndimore filluan një qëndrim të ftohtë ndaj Shqipërisë, jo në atë të kuptimit të marrëdhënieve politike p.sh. nga ana e Gjermanisë Federale, Francës e Italisë, por edhe në marrëdhëniet ekonomike që mund të thuash në njëfarë mënyre ka një farë bllokimi të marrëdhënieve politiko-ekonomike që shoqërohet edhe me disa presione kundër vendit tonë.
Pse kjo situatë tani? Kjo situatë sepse ajo që ndodhi në korrik në fakt synonte diçka të madhe. Reaksioni ndërkombëtar ishte i përgatitur që duke nxitur ato veprime që ndodhën në korrik të krijonin një konflikt midis pushtetit edhe masave popullore me synim rrëzimin e pushtetit. Ky ishte synimi i armiqve. Ata dështuan dhe dështuan në saje të atij veprimi që bëmë ne, që i lamë të ikin, pra nuk lamë një varr të hapur në vendin tonë dhe, e dyta, dështuan se klientelën që morën nuk po ua blen njeri.
Fakt është që këta njerëz kanë mbetur rrugëve nuk i jep më njeri ngjyrë politike sepse e shikojnë që këta nuk janë politikanë dhe në të kundërtën këta i kanë nxjerrë shumë telashe qoftë francezëve, qoftë gjermanëve, apo italianëve sepse po shikojmë se me çfarë malli kanë të bëjnë. Kështu që ato shpresa që kishin, ranë, por a do të thotë kjo që armiqtë kanë hequr dorë nga synimet, nga qëllimet, nga veprimet e tyre kundër Shqipërisë. Po të mendojmë kështu, ne do të gabojmë dhe do të ishte një gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Përkundrazi, edhe nga kjo disfatë që pësuan, armiqtë përpiqen të nxjerrin avantazh ose të marrin avantazh në anën e tyre.
Ky është dhe qëllimi me këtë lloj bllokade ose me këto lloje presionesh politike që po bëjnë ndaj vendit tonë, sidomos nga këto vendet e Evropës Perëndimore. Tashti, duke gjykuar këtë situatë, çështja për ne shtrohet a duhet të qëndrojmë pasivë dhe të presim që ngjarjet të sedimentojnë, të presim që opinioni publik të bindet apo duhet të sulmojmë, apo duhet të hidhemi ne në ofensivë në të gjitha fushat edhe në fushën politike, edhe në fushën diplomatike. Tani mendimi i Byrosë Politike është që ne duhet të hidhemi në një sulm diplomatik me qëllim që ky opinion edhe ky imazh që përpiqen të krijojnë ndaj Shqipërisë, në qoftë se patë mbrëmë kishte televizioni italian edhe për këto kangjellat e ambasadave, pra vazhdon ajo tendenca për të krijuar imazhe të gabuara mbi Shqipërinë.
Tashti o duhet të presim ne që ky imazh të largohet vetvetiu apo ne duhet të ndërmarrim veprime të atilla që ta hedhim poshtë këtë. Mendimi ynë është që duhet të sulmojmë, duhet të hidhemi ne në sulm që të ndryshohet ky imazh i Shqipërisë. Domethënë të hedhim hapa të atilla që në opinionin ndërkombëtar të krijojmë përshtypjen tonë të drejtë mbi politikën tonë. Natyrisht kjo nuk mund të bëhet në rrugë indirekte sepse ne as fuqinë e kemi për këtë as bota indirekt jo me artikuj, me shkrime nuk pinë ujë. Këtu është çështja dhe unë e kam thënë dhe në Plenumin e 10-të të Komitetit Qendror, ne duhet të angazhohemi vetë në këto gjëra dhe bile të angazhohemi në mënyrë shumë serioze. Pikërisht për këtë arsye u gjykua që të veja unë atje dhe kjo është arsyeja themelore.
Sivjet është 45-vjetori i OKB-së dhe atje do të marrin pjesë deri tani të paktën nga njoftimet që kemi neve 71 kryetarë shtetesh. E dyta, më 29-30 shtator bëhet Asambleja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Sigurisht është një mbledhje e karakterit humanitar por është mbledhje vetëm e presidentëve dhe e kryetarëve të qeverive të vendeve të ndryshme. Tashti koincidenca është kjo se, më 28 shtator, kemi fjalën në Asamble, më 29-30 shtator është kjo. Nga kjo pikëpamje edhe _________ nuk është vajtja në këto mbledhje të OKB-së nuk është një gjë e domethënë rroftë sebepi, por ka një mbështetje që justifikohet vajtja por nga ana e brendshme ne na justifikohet për synimet e qëllimet që kemi ne. Tani ne mendojmë që duke vajtur atje nuk ka dyshim që ka avantazhin që të jepet mundësia vetë direkt që personi kryesor i shtetit të thotë pikëpamjet e popullit e qeverisë e të partisë sonë mbi politikën e jashtme.
Pra jo më një gjë indirekte, por direkte. Kjo është një avantazh, e dyta ekziston mundësia e disa kontakteve që mund të marrësh me të tjerët. Nuk them që këto kontakte do të zgjidhin ndonjë gjë të madhe, por sidoqoftë eksperienca e brendshme ka treguar që kontakti direkt edhe me delegacionet që kanë qenë sado të vështira që kanë dalë dhe sado me mentalitet krejt të ndjeshëm që kanë qenë, në përfundim gjithmonë kanë krijuar një imazh krejt ndryshe nga ç’kishin kur kanë ardhur te ne.
Kjo ka ndodhur me shumë delegacione, bile dhe me këtë delegacionin amerikan që erdhi. Biseda me të nuk ishte një bisedë paqësore, përkundrazi, një bisedë, një ballafaqim idesh dhe prapë konkluzioni dhe nga deklarata që bënë ata nuk ishte ndonjë deklaratë sulmuesi përkundrazi edhe ata pranonin që u bë një shkëmbim i hapur mendimesh dhe që shikonin që në Shqipëri bëhen hapa të tilla, do ta mbështesin Shqipërinë, por natyrisht dhe ne shprehim mendimet tona për sa i përket të drejtave të njeriut, që në fakt ashtu është, ata i shprehin. E kisha fjalën këtu që ne pavarësisht që nuk presim nga këto kontakte të bëhet ndonjë mrekulli, por këto kontakte të japin mundësi që të sqarosh mendimin dhe opinionin me të tjerët.
E treta, një avantazh tjetër që ka kjo është dhe kontakti që mund të bëhet me shqiptarët e Amerikës atje. Pra të jepet mundësia që të merret kontakt me shqiptarët dhe kjo ka rëndësi për sa duke marrë parasysh që gjithmonë kjo kolonia e shqiptarëve në Amerikë ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë. Tani që është zgjeruar, se është zgjeruar me kosovarët, kështu që kontakti ynë me këta, mbajtja afër e tyre me Shqipërinë, lidhja e tyre më mirë me interesat e atdheut vetë të mirës asnjë të keqe nuk ka. Ja kjo është tërë meseleja. Unë ju thashë që Byroja Politike ka vendosur kështu, por kjo nuk do të thotë që të mos diskutohet këtu. Këtë problem ta diskutojmë këtu për çfarë arsye.
(Vijon nesër)
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com