Të enjten e 12 dhjetor të vitit 1985, dy vëllezër dhe katër motra me mbiemrin Popaj, nga Durrësi, të moshave nga 45 deri në 60 vjeç, duke u hequr si turistë u futën në ambasadën italiane në Tiranë, duke shkaktuar sipas udhëheqësve të regjimit komunist një incident të jashtëzakonshëm. Një vëlla dhe një motër e tyre para shumë vitesh ishin arratisur. Ndërsa nëna dhe babai i tyre, ishin dënuar nga regjimi që në fillim të viteve ’50 me akuzën e bashkëpunimit me fashistët dhe nazistët në kohën e luftës.
Babai i tyre ishte dënuar në 1953 me 25 vjet heqje lirie dhe kishte vdekur në burg, ndërsa e jëma e dënuar me 15 vjet heqje lirie, vdekur pas daljes nga burgu.
Pak ore mbas njoftimit për futjen e shtetasve shqiptare në ambasade, territori i ambasadës italiane u rrethua me policë, duke u vënë krejtësisht nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme. Sipas dëshmive të mbledhura nga ajo kohë atë mbrëmje, televizioni italian e transmetoi lajmin duke e cilësuar ngjarjen shkak të mundshëm për krizë diplomatike mes dy vendeve.
Bisedimet, mes palës shqiptare dhe asaj italiane ishin nën një tension të pazakontë. Ambasadori italian, Françesko Karlo Xhentile, mbas kërkesës, kategorike të palës shqiptare, refuzoi t'i dorëzoje të strehuarit. Ai propozoi që në lojë të futet Kryqi Ndërkombëtar, i cili do ti merrte në dorëzim dhe qeveria shqiptare duhet të pranonte kushtin që të mos i dënonte me vdekje pas kësaj. Por pala shqiptare nuk ka pranuar kushte. Gjashtë anëtarët e familjes Popaj do të qëndronin 4 vjet e gjysëm të ngujuar brenda ndërtesës së asaj ambasade.
Nuk dihet çfarë është folur brenda ambasadës italiane gjatë këtyre ditëve tensioni, sikurse edhe në rrethet më të gjera diplomatike për këtë rast, ndërsa udhëheqësi komunist, pasardhësi i Hoxhës, Ramiz Alia, i cili kishte vetëm pak kohë që kishte marrë drejtimin e vendit, ka folur gjerësisht mbi këtë rast në një prej mbledhjeve të byrosë politike të 20 dhjetorit 1985. Ai zbulon gjitha prapaskenat, e kësaj ngjarje, bisedimet, kushtet e ndërsjellta, refuzimin nga pala shqiptare dhe masat e rrepta për ti mbyllur mbajtur të rrethuar si miu në çark të arratisurit. Procesverbalin e kësaj mbledhje do ta sjellim të plotë si më poshtë.
Dokumenti i plotë
Shoku ramiz alia: Tani do t’ju flas shkurt për incidentin në ambasadën italiane në Tiranë. Siç e dini, gjashtë qytetarë, bij të një familjeje reaksionare nga Durrësi, hynë të enjten e kaluar në ambasadën italiane. Këta janë dy vëllezër dhe katër motra, të moshës nga 45 vjeç deri ne 60 vjeç, të tërë të pamartuar. Prindërit e tyre kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë dhe janë dënuar nga gjyqet e popullit. Babai i tyre në vitin 1953 është dënuar me 25 vjet heqje lirie dhe ka vdekur në burg, ndërsa nëna ka qenë dënuar me 15 vjet heqje lirie. Ajo ka vdekur pasi ka dalë nga burgu. Pra njerëz me të tillë personalitet kanë qenë prindërit e tyre.
Përveç këtyre dy djemve dhe katër vajzave, ata kanë pasur dhe një djalë dhe një vajzë tjetër, të cilët janë arratisur, sepse edhe ata janë marrë me veprimtari armiqësore. Një vëlla i tyre është arratisur dhe vazhdon të aktivizohet në grupet reaksionare, fashiste e terroriste kundër Shqipërisë socialiste, ka qenë në bashkëpunim dhe me grupin e diversantëve që erdhi në vitin 1982 në vendin tonë. Ndërsa e motra është martuar andej tutje. Nga këta dy vëllezërit që janë këtu, njëri ka qenë dënuar me 10 vjet burg, sepse ka qenë i lidhur me grupe të ndryshme kundërrevolucionare dhe me agjentura të huaja. Në vitin 1967 këta i kanë larguar nga Durrësi në mënyrë administrative dhe janë vendosur në fshatin Kullë të Durrësit.
Një ditë prej ditësh, siç e thashë, ikin nga Durrësi dhe shkuan u futën në ambasadën italiane, duke u paraqitur sikur ishin italianë. Në fakt tek dera ata i priste ambasadori dhe i futi brenda. Që atë ditë ne i kërkuam ambasadës italiane që t’i dorëzonte këta persona. Por ambasada italiane na tha që nuk mund të vepronte pa marrë urdhër nga Roma. Që nga ajo ditë e deri më sot bëhen bisedime për dorëzimin e tyre herë në Tiranë e herë në Romë, herë me ambasadorin e tyre këtu, herë me ambasadorin tonë atje, por gjë konkrete nuk ka. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare ambasada italiane konsiderohet territor i Italisë, pra ka të drejtën e imunitetit diplomatik dhe ne nuk mund të futemi brenda për t’i marrë ata. Në bazë të statusit të eksteritorrialitetit askujt nuk i lejohet në të tilla raste të futet në ambasadën e tjetrit. Kjo e para.
Së dyti, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të marrëdhënieve të praktikës diplomatike që ndjekin vendet evropiane, ambasada italiane nuk mund t’i nxjerrë këta persona nga ambasada pa autorizimin tonë. Pse e them këtë? E them sepse në bazë të praktikës diplomatike që ndjekin disa vende, siç janë vendet e Amerikës Latine, kur një qytetar i një vendi futet në ambasadën e një vendi tjetër, ambasada i jep të drejtën e qytetarisë dhe e nxjerr legalisht në vendin e saj. Po kjo marrëveshje është bërë midis qeverive të Amerikës Latine, kurse në Evropë kjo praktikë nuk ekziston dhe aq më tepër midis vendit tonë dhe vendeve të tjera, me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike. Pra për konsekuencë ata nuk mund t’i nxjerrin e t’i çojnë ata në një vend tjetër, flas në mënyrë legale, se ilegalisht edhe mund t’i nxjerrin. Por ne nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë një gjë të tillë. Edhe në ndodhtë, të bëhet ç’të bëhet dhe do të hedhim dorë mbi ta.
Së treti, ata mund t’i mbajnë brenda në ambasadë dhe ne s’mund t’i nxjerrim me forcë që andej. Le t’i mbajnë sa të kenë qejf, nga ambasada ata nuk dalin dot. Pra dy rrugë ka: o t’i dorëzojnë, o t’i mbajnë brenda me të gjitha pasojat që do të kenë. Me forcë, nuk i marrim dot.
Për t’u bërë presion italianëve ne i kemi bërë një notë proteste qeverisë italiane, ku e konsiderojmë këtë si një akt jomiqësor ndaj Shqipërisë, një ndërhyrje në punët e brendshme, një shkelje të sovranitetit tonë kombëtar. Fakti që ambasada italiane i mban dhe i ruan këta persona me një të kaluar të tillë, ku prindërit e tyre kanë qenë shërbëtor të bindur e bashkëpunëtorët të ngushtë të okupatorëve italianë, theksohet atje, ka bërë një efekt shumë negativ në popullin tonë e të tjera. Gjithashtu ne kërkojmë aty që ata t’i dorëzohen qeverisë shqiptare. Këtë notë qeveria italiane e ka marrë, por nuk i është përgjigjur.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, i ka bërë një letër, më tepër të karakterit personal, ministrit të Jashtëm të Italisë. Në letër theksohet që nuk duhet të prishen marrëdhëniet e mira që janë vendosur midis dy vendeve tona për një incident të tillë banal. Pra, me anë të kësaj kërkohet që ai të ndërhyjë për t’i dhënë fund kësaj situate që është krijuar nga ky incident. Deri tani këtij mesazhi (letre) ai nuk i është përgjigjur, megjithatë ai ka qenë dhe në lëvizje, jo në Bruksel jo këtej e jo andej. Kurse sot ka shkuar në Argjentinë. Sidoqoftë kanë thënë që do t’i përgjigjen. Kuptohet që ata e kanë të vështirë t’i përgjigjen se nuk dinë çfarë të thonë.
Tani ç’teza mbrojnë italianët dhe ç’tezë mbrojmë ne në bisedimet që janë bërë? Teza jonë është që ata t’i dorëzojnë, pra nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Italianët nuk kanë ngritur çështjen as se do t’i nxjerrim dhe as se do t’i mbajmë. Po çfarë kërkojnë ata? Së pari, ata thonë që këta persona, në bazë “të të drejtave të njeriut” e të tjera e të tjera, duhet t’i marrë në dorëzim kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe të na i japë neve. Me një fjalë kjo çështje të mos mbetet ndërmjet dy shteteve. Së dyti, ata thonë që duan garanci që nuk do t’i dënojmë me vdekje. Pra tërë dyshimi i tyre është se mos i dënojmë me pushkatim.
Këto dy ditët e fundit u bëmë dhe një promemorie, me të cilën ngulim këmbë gjithnjë në kërkesën tonë që ata t’i dorëzohen autoriteteve shqiptare dhe se nuk njohim as Kryq të Kuq Ndërkombëtar dhe as ndonjë organ tjetër ndërkombëtar. Ne i kemi propozuar dy variante ambasadës italiane: t’i dorëzojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme ose t’i nxjerrë jashtë ambasadës, por të na vejë në dijeni, me qëllim që “të mos u ndodhë gjësendi”.
Në qoftë se nuk pranoni këto variante, i thamë, por kërkon të na i dorëzosh nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, atëherë mund të dërgojmë autoambulancën tonë me mjekë që t’i vizitojë dhe t’i marrë që andej. Dhe në qoftë se nuk doni që të futet autoambulanca jonë brenda në ambasadë, sillini vetë në ambulancën tonë gjoja për t’i vizituar dhe t’i marrin në dorëzim autoritetet shqiptare. Me një fjalë ne nuk e njohim Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.
Këto janë variantet që u kemi propozuar ne. Për sa i përket çështjes së garantimit të jetës që kërkojnë ata, u kemi thënë që ata kanë thyer ligjet e shtetit shqiptar, prandaj detyrimisht do të kalojnë në gjyq. Por gjyqi ynë do t’i gjykojë me drejtësi e me objektivitet, duke marrë parasysh moshën e tyre, faktin që janë katër gra dhe gjendjen e tyre shëndetësore, siç e kanë normat tona ligjore. Ata kanë kërkuar të vijë një njeri nga ata në gjyq, por ne u kemi thënë që nuk pranojmë asnjë angazhim e asnjë mbikëqyrje nga ana e saj. Na habit, i thamë si me të qeshur, mentaliteti që keni se do t’i pushkatojmë për këtë akt që kanë kryer. Por ligjet tona, u shpjeguam, nuk shkojnë deri në këtë çështje.
Kjo është situata deri tani. Mbrëmë është bërë takimi i fundit midis ambasadorit tonë në Itali dhe një drejtori të Ministrisë së Punëve të jashtme të Italisë. Ai ka ngulur këmbë që t’i dorëzohen Kryqit të Kuq ndërkombëtar, kurse ambasadori ynë i ka thënë që ne nuk njohim Kryq të Kuq Ndërkombëtar dhe as pranojmë që në gjyq të asistojë ndonjë person nga ana e tyre. Pra këtu kanë arritur punët. Fundi i fundit le të rrinë atje, neve nuk na prish gjë. Do të vijë koha që ata do të detyrohen t’i nxjerrin vetë se s’kanë nga t’ia mbajnë.
Ndërkohë kemi marrë masa për rrethimin e ambasadës. Pra nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme legalisht janë vënë policë rreth e qark ambasadës, ndërsa natën ndriçohet e tërë zona. Këtë e bëjmë më tepër për t’u treguar që ne jemi të vendosur dhe s’lëmë as mizën të dalë që andej e jo më ata.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)