Në mbledhjen e Presidiumit të 31 korrikut 1990 gjatë periudhës së pushimit, Alia kishte mbajtur një fjalim mbi gjithë ndryshimet ligjore që impononin ndryshimet e reja, nga shfaqja në masë e dyqaneve private, tregu i fshatarëve, shfaqja në skenë e llotarive, nevoja pë të vënë taksa në të gjithë ndërmarrjet private etj. Në këtë fjalim, përtej qëndrimeve politike të Ramiz Alisë, jepet një panoramë e qartë e zhvillimeve të para jashtë skemës së ekonomisë së centralizuar.
Më poshtë e sjellim të plotë fjalimin e tij mbajtur në mbledhjen e presidiumit me 31 korrik 1990.
Ad.Pe.
Dokumenti i plotë
Ekonomia dhe gjithçka në shtetin tonë duhet të Funksionojnë e të drejtohen në bazë të ligjeve
Shoku Ramiz Alia, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, në pushimin e mbledhjes së Presidiumit të datës 31.07.1990 zhvilloi këtë bisedë me pjesëmarrësit:
Gazeta dje dhe sot kritikonte tregun e Tiranës për mungesë rregulli e organizimi. Kjo lidhet me mangësitë që kemi në legjislacion dhe me ngathtësinë e organeve të ndryshme për të siguruar zbatimin e atyre dispozitave që janë në fuqi. Duket sikur njerëzit nuk duan të veprojnë me ligje. Nuk e kuptoj pse ndodh kështu. Prokuroria nuk ndihet, punon në një mënyrë jashtëzakonisht arkaike, qëndron në pritje. Çfarë pret? Gazeta tha që ka filluar tregu i zi. Bëri gjë për këtë Komiteti Ekzekutiv i Tiranës? Asgjë nuk bëri. Po Prokuroria? Edhe ajo nuk futet në këtë punë. Pra, nuk janë fare në terezi. Çdo gjë e kërkojnë nga Kuvendi Popullor. Kjo nuk është e drejtë. Dihet mirë se këto u takojnë komiteteve ekzekutive, po këto bëhet pengesë mentaliteti i vjetër, i cili nuk ndryshon kollaj.
Derisa u mor vendimi që të dalë fshatarësia në treg me prodhimet e oborrit, vetvetiu duhej menjëherë të vepronin mekanizmat ekonomike dhe ligjet. Kush janë organizmat që duhet të merren me këtë çështje?
Për disa nga këto probleme duhet të shqetësohet shëndetësia. Asaj i takon të mendojë e të përcaktojë se në ç’kushte higjieno-sanitare duhen tregtuar produktet e bujqësisë e të blegtorisë, sendet ushqimore në përgjithësi. Të shikojë nëse ka ligje për këtë apo jo. Po të jetë se tregtohet në kushte që dëmtojnë shëndetin e njerëzve, në ç’dispozitë të mbështetemi për të marrë masa ndaj atij që bën këtë lloj tregtie? Ta dënojmë në bazë të Kodit Penal pse shiti domate të prishura? Jo, nuk mund të mbështetemi në Kodin Penal. Pra kërkohen dispozita të veçanta. Mbështetja në Kodin Penal për tregti të ndaluar p.sh., nuk është praktike. Në këtë rast kërkohet që dikush ta denoncojë atë që shet cigare me çmim më të lartë nga ai i caktuar nga shteti. Pra, duhet të bëhet akuzë me shkrim dhe kjo t’i kalojë hetuesisë, e cila duhet t’i kërkojë prokurorit autorizimin për të thirrur personin e të hetojë çështjen. Kështu është procedura, që personi të vijë në gjyq duhet të ketë kaluar më parë në hetuesi, në Prokurori etj., etj.
Ndonjë thotë që polici e dërgon drejt e në gjyq. Jo. Kjo do të përbënte shkelje të ligjit. Përderisa i referohemi Kodit Penal, duhet të bazohemi edhe në Kodin e Procedurës Penale që në rastin e kontrabandës parashikon veprimin e prokurorit, të hetuesit dhe pastaj të gjyqtarit. Për mendimin tim kur polici shikon që dikush rishet cigare a një mall tjetër të marrë nga shteti, me çmim më të lartë, duhet ta kapë dhe ta dërgojë menjëherë në gjyq. Kjo kërkohet dhe jo ta marrë arixhiun që bën tregti të ndaluar ta dërgojë te hetuesi, ky ta kalojë te prokurori e pastaj, pas një kohe të gjatë të dërgohet në gjyq. Kjo është rrugë pa efekt.
Komiteti Ekzekutiv i Tiranës ka nxjerrë tre urdhëresa, në të cilat nuk ka asnjë sanksion. Po të jenë parë nga Ministria e Drejtësisë këto urdhëresa, atëherë del që ajo është pajtuar me to. Të dënosh sipas Kodit Penal një fshatar që nuk e ka peshoren të taruar, pra t’ia marrësh atë, ta dërgosh në komitetin ekzekutiv në kontrollin e peshë-matjeve, të sigurohesh që nuk është në rregull, ta dërgosh te hetuesi dhe ky të kërkojë me shkrim nga komiteti ekzekutiv që peshorja nuk është ekzakte etj., etj., e pastaj ta dërgosh në gjyq për ta dënuar, e gjithë kjo për mua është zvarritje që vështirëson veprimin për të zbatuar rregullat e tregut.
Thuhet që ka vendime të Këshillit të Ministrave për këto çështje. Për vete nuk jam i bindur që kemi ligje, urdhëresa e dispozita të tjera të mjaftueshme dhe të sakta për ushtrimin e tregtisë e të shërbimeve privatisht. Siç diskutojnë disa, del që fajin për këto që kritikojmë e ka policia. Unë nga ana ime do ta këshilloja policinë të mos ndërhynte në këto punë sepse nuk janë të saj. Ato janë thjesht punë të administratës shtetërore, domethënë të komiteteve ekzekutive, të këshillave popullorë dhe të financës.
Në qoftë se kemi ligje, ja ku është ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, të zbatohen. Por në këtë drejtim ka boshllëqe jo të vogla. Marrim p.sh. mbrojtjen e monumenteve të kulturës, të veprave të artit. Ligj të përgjithshëm kemi, por ky nuk është i mjaftueshëm, nuk i parashikon të gjitha rastet e dëmtimeve. Po për lotosportin a kemi ligj? Të implikuarit në të i dënojmë për bixhoz. Kjo nuk është njësoj. Mirë dënohet për bixhoz ai që organizon lotarinë, po ata që marrin pjesë në të dhe që janë me mijëra për bixhoz do të dënohen? Pastaj në bazë të ligjit për këtë vepër penale dënohesh me heqje lirie. Pse të gjithë në burg do t’i çojmë? Fare mirë këta njerëz mund të dënoheshin me gjobë, por këtë nuk e bën dot sepse nuk ke ligj. Jeta është jetë dhe nxjerr fenomene të reja. Atëherë në këto raste të miratohen pa hezitim ligjet përkatëse. Pra, ne konsiderojmë si legjislacion pothuaj vetëm Kodin Penal e Kodin Civil me kodet e procedurave të tyre dhe Kodin e Punës.
Ka mungesa në këtë fushë e megjithatë organet e jurisprudencës rrinë rehat. Të marrim, për shembull, sektorin e bujqësisë. Ai nuk hedh dot një hap pa pasur ligj. Bujqësia nuk duhet të mjaftohet vetëm me ligjin për ruajtjen e përdorimin e peticideve. Ligje duhet të ketë edhe për blegtorinë e sektorët e tjerë. Pikërisht pse mungojnë ligjet shpeshherë problemet zgjidhen me urdhër të njërit apo të tjetrit. Pse me porosira e urdhra drejtohet? Ekonomia dhe gjithçka në shtetin tonë duhet të funksionojnë e drejtohen në bazë të ligjeve. Kur mungojnë ligjet, lulëzojnë të metat, shtohen gabimet, bëhen hatëre etj. Ligji nuk të lë të veprosh si të duash. Ose të marrim fushën e shëndetësisë. Ndodh që mjeku operon dhe pacienti vdes. Ne nuk kemi ligj për këto raste. Tjetrin nuk mund ta operosh në qoftë se nuk e vërteton se ai ka nevojë për operacion dhe në qoftë se i sëmuri vetë dhe familjarët e tij nuk ta japin me shkrim që janë dakord. Kjo është e drejta e pacientit për tëcilën sot diskutohet shumë.
Pak kohë më parë më shkruante një person që vajza i kishte vdekur në lindje. Letrën ia dërgova Ministrisë së Shëndetësisë dhe ajo si e verifikoi ankesën, ktheu përgjigje: “Pacientja pati hemorragji të madhe dhe vdiq”!! Në këtë rast askush nuk u përgjigj. Pse? Ngaqë nuk kemi ligj të qartë për përgjegjësinë e mjekut në detyrë.
Çështja është të kemi parasysh se shteti ndërtohet si një familje. Në familje të shëndoshë ka rregulla të caktuara. Pra, edhe shteti duhet të ketë rregulla, duhet të ketë ligje. Po të thyhet një gotë në shtëpi, të gjithë e dinë se kush e ka thyer. Atëherë pse në shtet të mos jetë kështu? Ne, shumë rregulla nuk i kemi, prandaj duhet t’i vendosim. Marrim një shembull tjetër: disa prodhime po të rrinë gjatë në magazina e në treg prishen. Organeve të tregtisë, kur ndodh kështu, u është dhënë e drejta të ulin çmimet. Por në këto raste nuk veprohet se dalin 1 000 teoricienë e “argumentojnë” që shteti humbet kaq e aq. Harrojnë këta se në raste të tilla, po të mbahen çmimet në vend, ekonomia i humbet të gjitha, edhe ato që mund të errte duke ulur çmimet. Pse janë ligjvënësit? Janë që të rregullojnë punët, t’u japin rrugë problemeve. Iu kalbën mollët tregtisë, i mbetën në derë. Merceologët për këto janë, të mos i lënë të shkojnë dëm, të manovrojnë me çmimet, mollët t’i hajë populli më mirë dhe shteti të dëmtohet sa më pak.
Mekanizmi i ri ekonomik, vetëfinancimi që po zbatojmë, që në fakt ende nuk po kuptohet, nënkupton edhe këto manovrime. Unë s’po marr dot vesh se çfarë kërkon tregtia jonë. Fshatari e zbaton ligjin e ofertës dhe të kërkesës, kurse njerëzit e tregtisë shtetërore nuk po i shkojnë kësaj ane. Tregtia nuk vepron me çmimet, sepse shitësi nuk është i lidhur si duhet me trajtimin dhe shitjen e mallit, ai nuk shqetësohet kur i prishen mollët ngaqë rrogën e merr njëlloj. Të vijmë te shërbimet e artizanatit. Të marrim këpucarin. I thua: “Ja ku e ke lokalin, jeni 2-3 veta, punoni. Mua si shtet më jepni kaq lekë tatim. Se sa fitoni është punë për ju, unë nuk dua ta di fare”. Do të marrin shumë! Po u shkoi, le të marrin. Në qoftë se ka luajtur mendsh dikush e jep për një palë këpucë 500 lekë, pra i vidhet, mirë t’i bëhet. Por nuk do të ndodhë kështu. Njerëzit do të kërkojnë t’i bëjnë këpucët sa më lirë dhe po nuk ua bëri njëri këpucar, do të shkojnë te tjetri. Pra, çdo zanatçi do të ketë një konkurent. Ne i qajmë hall privatit. “Po dale, - themi, - se do t’i prishen prodhimet ngaqë nuk ka frigorifer”. Punë për të, le të bëjë si të dojë. Pse shteti do t’ua rregullojë atyre të gjitha?
Tani direktivat e përgjithshme janë dhënë. U takon organeve që merren konkretisht me këto punë t’i detajojnë detyrat, të propozojnë nxjerrjen e ligjeve, të vendimeve, të urdhëresave dhe të akteve të tjera të nevojshme. Kështu do të shmanget subjektivizmi që krijon shqetësime serioze. Sot një drejtor apo ministër thotë të bëhet kështu, një tjetër thotë të bëhet ndryshe. Ato janë për të rregulluar jetën, kështu që kërkohet të jenë të menduara mirë dhe sa më të plota.
Dolën dyqanet private, por nuk u shkoi mendja organeve tona që këta privatë duhet të marrin leje për ushtrimin e tregtisë ose të profesionit. Pyeta për të ditur sa dyqane private janë në Tiranë. Nuk e dinin mirë. Ta zëmë se janë 237. Këtyre u duhet caktuar edhe taksë mbi bazën e aktivitetit që do të kryejnë, por duhet të ketë edhe një polici financiare apo sido të quhet, e cila do të kontrollojë zbatimin e legjislacionit që kemi dhe që do të krijojmë për veprimtaritë private.
Ligjet të disiplinojnë. P.sh., të ushtrosh zanat privat, sidomos për sendet ushqimore, në radhë të parë duhet të kalosh në kontrollin mjekësor e të pajisesh me librezë shëndetësore. A i kanë sot librezat shëndetësore mishshitësit, mezexhinjtë, ata që prodhojnë e tregtojnë ëmbëlsira etj.? Besoj që jo.
Më kujtohet kur mbarova shkollën në Bashkimin Sovjetik nuk na u dhanë diplomat pa paraqitur dëftesë të veçantë që kishim dorëzuar librat në bibliotekë, që nuk i kishim detyrime lavanderisë apo konviktit etj. Domethënë, duhej t’i jepnim sekretares së dekanatit dokumente që ajo të sigurohej nëse ishim likuiduar për gjithçka dhe pastaj të merrnim diplomat. Mirëpo ne nuk kemi kudo rregulla të tilla.
Rregullat e caktuara me akte ligjore ose nënligjore janë të domosdoshme. Për ushtrimin e një zeje, fjala vjen, duhet më parë të sigurosh raportin mjekësor që je i shëndoshë. Si të kesh këtë paraqitesh për të marrë lejen në seksionin e financës etj. Ose për vënien e taksës, duhet të dihet se si veprohet. P.sh., të marrim kasapin. E pyet sa i parashikon ai të ardhurat e tij. Të thotë se mund të realizojë 20 000 lekë. Mbi këtë bazë i cakton 200 lekë taksë.
Kasapi në këtë rast duhet të dijë që po nuk pati deklaruar drejt, taksa automatikisht, të themi, i trefishohet. Por që të zbulojnë të vërtetën, njerëzit e ngarkuar me këtë punë duhet të mbajnë vetë shënime e të kenë dokumente për bagëtitë që ther e shet kasapi. Këto janë gjëra fare të thjeshta, por ne i neglizhojmë. Nuk e kuptoj pse nuk vendosen menjëherë këto rregulla, çfarë vështirësie ka? Me sa duket, kemi njerëz që i komplikojnë gjërat. Me siguri do të na bëhet ndonjë propozim që të krijojmë një sektor të veçantë për tregtinë private, i cili të ketë këta e ata njerëz etj., etj. Kësisoj çështjet që kërkojnë zgjidhje imediatisht zvarriten e krijohen probleme.
Direktivat e orientimet të kuptohen e zbatohen drejt. Nuk duhet të ndodhë, siç bëri Komiteti Ekzekutiv i Tiranës, që dyqaneve shtetërore u ndërroi tabelat, i bëri private. Kjo është punë dembelash, pa mend e për bujë. Do gjë duhet menduar si të bëhet më mirë. Ndryshe problemet komplikohen si në ekonomi, ashtu dhe në politikë. Në qoftë se nuk jemi korrektë në kuptimin e zbatimin e ligjeve e të rregullave, vepron subjektivizmi dhe atëherë mund të ndodhin gjëra të papëlqyera.
Ka shumë thashetheme. Është mbushur pazari me to. Veç një gjë nuk po kuptojnë njerëzit: kjo që po ndodh sot në botë dhe rreth Shqipërisë është luftë për pushtet. Disa akoma kujtojnë se është çështja nëse do t’i kemi këpucët të verdha, të kuqe apo jeshile, do të ketë tregtarë privatë apo nuk do të ketë. Nuk është ky problemi. Thelbi i çështjes këtu është lufta për pushtetin, janë përpjekjet e reaksionit për të rrëzuar pushtetin popullor. Presioni që bëhet ka këtë synim dhe asnjë qëllim tjetër. Ai që mendon ndryshe e ka gabim, nuk merr vesh nga politika dhe s’kupton se çfarë po ndodh në botë. Mjafton të shikosh vendet e Lindjes. Atyre u iku pushteti nga duart. Në Bullgari me vota fituan ata që ishin në pushtet, por i rrëzuan dhe prapë do t’i rrëzojnë. Ky është problemi themelor, i cili nuk mund të zgjidhet veçse në qoftë se njerëzit me të vërtetë e konceptojnë drejt çështjen dhe nuk merren me gjëra anësore. Megjithatë gjërat anësore nuk duhet t’i lëmë të trashen, pasi elementi i paformuar i shfrytëzon, armiku në mënyrë mjeshtërore kapet pas atyre dhe i fryn saqë opinioni e ka kthyer mendjen tek ato dhe ka harruar atë që është themelore, luftën që bëhet kundër pushtetit.
Ka njerëz që po t’u thuash se çështja sot është të ruajmë pushtetin, “jo ore, - të thonë, - rëndësi ka të merremi me hatrin që bëri ky ose ai”. Pra, nuk po kuptohet që thelbi është mbrojtja e pushtetit nga synimet e armikut. Si është e mundur që për një mungesë të vogël të bëhet aq zhurmë? Kurse, pse mund të na ikë pushteti nga duart, disa as që shqetësohen. Dhe kjo ikje të ndodhë menjëherë. Pse? Sepse është një botë e tërë që lufton kundër nesh.
Gjërat kanë ndryshuar shumë. Po të ishte kohë tjetër, rivendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, për shembull, gjithkujt do t’i dukej çudi e madhe, ndërsa sot me ato që kanë ndodhur e po ndodhin është krijuar një situatë e tillë që njerëzit jo këtu te ne, por edhe në botë, nuk i japin rëndësi, se Bashkimi Sovjetik me Perëndimin janë bërë një, për ta është njësoj sikur lidhëm marrëdhënie diplomatike me Islandën.
Informacioni, për gjithçka ndodh në lidhje me situatën, duhet të jetë shumë më i saktë dhe më i drejtë, që opinioni të mësojë e të bindet se çfarë po bëhet. Këtu ka rëndësi puna e Partisë, që sot për shumë gjëra është e vonuar. Po ashtu, organizatat shoqërore përdorin forma pune të tejkaluara. Puna e tyre me masat është moralizuese. Tani nuk pyet më njeri për moral dhe ka të drejtë të mos pyesë, sepse sot kërkohet të jemi realistë. Flasim për disa gjëra që mungojnë dhe që për to ka njerëz që janë bërë të padurueshëm. Ata duan që brenda ditës Shqipëria të bëhet si Italia, si Franca, si Gjermania etj. Për këtë fajin e kemi ne, se kemi bërë një propagandë që ka krijuar përshtypjen se këtu ka bollëk, ka lumturi, se ia kemi kaluar të tërëve etj., etj. Ne nuk mund të krahasohemi me Francën. Revolucioni Borgjez në Francë ka dy shekuj që është bërë, Revolucioni Industrial në Angli ka tre shekuj, kurse Shqipëria 40 vjet më parë ishte në mesjetë, qëndronte nga mesi i Afrikës. Po ku ka shkuar sot? Sot është në veri të Afrikës dhe në jug të Evropës, për këtë të jemi realistë. 1 200 dollarë e kemi të ardhurën vjetore për frymë. Me këtë, si mund të matemi me Francën? Por ama, një gjë dihet: atë që Franca e bëri për një shekull, Shqipëria e bëri për 50 vjet.
Një gazetë italiane shkruante se vendi ynë sot është si Italia e viteve 50-të. Shumë mirë e ka thënë. Por Italisë që të vinte në zhvillimin e viteve 50-të iu desh një shekull, ndërsa ne e arritëm këtë për 40 vjet. Të na lënë dhe 40 vjet të tjera dhe Shqipëria do të vejë atje ku është Italia. Disa e kërkojnë këtë menjëherë. Nuk bëhet, veç të shitemi te të huajt kokë e këmbë dhe t’u themi hajdeni këtu. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ky padurim te njerëzit ekziston se mungon puna jonë, mungon trajtimi realist i gjërave për të cilat shpeshherë flitet me mendjemadhësi.
Lexova në gazetë që Gjermania Lindore parashikon te ketë këtë vit një milion të papunë. Këtë nuk e kuptojnë disa, prandaj dhe nuk dinë ta shpjegojnë. Nuk kuptojnë që edhe te ne, po u zbatua me konsekuencë mekanizmi i ri ekonomik, dalin gjysma e njerëzve pa punë. Por ne përpiqemi që të mos krijojmë problem social, prandaj kemi krijuar një situatë që paguajmë edhe rroga kot. Disa do të thonë që ky është haraç që rëndon mbi shtetin, rëndon mbi ekonominë. Drejt, por ne detyrohemi ta bëjmë. Kapitalisti nuk do t’ia dijë pse mbeten njerëz pa punë, pse polarizohet shoqëria, pse një pjesë varfërohen dhe një pjesë pasurohen. Ky fenomen ndodhi në tërë ato vende që kanë hyrë në rrugën kapitaliste. Të hyjmë dhe ne në atë rrugë? Jo.
Sot në fshat kemi 2 milionë e 200 mijë banorë. Fshati në fakt nuk mban më shumë se 1 milion. Pra, ka 1 milion të tepërt. Ne përpiqemi që këta ta rregullojnë jetën po në fshat duke shtuar prodhimin. Del që ka shumë probleme prandaj nuk bëhen gjërat kaq shpejt, siç thonë disa. Vetëm për një uzinë të uresë u desh të punohet 4 vjet për të realizuar 15 milionë dollarë investime. Pra, nuk janë kaq të lehta këto gjëra që bëjmë, që të realizohen sa të hapësh e të mbyllësh sytë.
Si kapacitet ndërtues vendi ynë nuk mund të ketë më shumë se 30-40 milionë dollarë. Kështu që edhe sikur të duam të bëjmë më tepër, nuk mundemi. Mirë njeriu i thjeshtë nuk i di këto, por mua më vjen keq për burokratët që hiqen sikur i dinë dhe fluturojnë kot. Këtyre duhet t’u shpjegojmë politikën e Partisë, t’ua mësojmë gjërat mirë.
I dha Banka Ndërkombëtare Hungarisë 120 milionë dollarë kredi dhe për të bëhet shumë zhurmë. Por, në fund të fundit, çfarë do të sjellë kjo? Asnjë ndryshim të rëndësishëm.
Ne, çdo gjë duhet ta bëjmë mirë dhe në kohën e duhur. Kështu do ta shëndoshim situatën.
Marrë me stenogramë