Ka nisur në Tiranë evenimenti madhështor i kampionatit të mundjes ‘Ranking Series’ i emëruar ‘Muhamed Malo’, në nder të ish mundësit të madh shqiptar. Rreth 700 sportistë nga e gjithë bota do të demonstrojnë forcën dhe talentin e tyre në Parkun Olimpik Feti Borova deri më 1 mars.


“Më i miri kampionat pas Botërorit sepse pjesëmarrja dhe cilësia ia kalon edhe kampionatit evropian, që gjithashtu do të zhvillohet në muajin prill në Shqipëri. Kemi 16 medalistë olimpikë, të cilët rikthejnë disa përplasje që mbarë komuniteti i mundjes po i pret me padurim dhe kjo po ndodh në Tiranë,”-u shpreh kreu i FSHM, Sahit Prizreni.

Shqipëria ka pritshmëri të mëdha për medalje me Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe Albina Drazhin, ndërsa medalisti olimpik për kuqezinjtë Cherman Valiev vijon rikuperimin pas dëmtimit të rëndë të pësuar në shtator në kampionatin botëror.

“Shumë mirë jam tani, po rikuperohem ende. Më kanë ndenjur shumë pranë federata dhe tani dua të rikthehem të fitoj të gjithë medaljet. Evropianin, Botërorin por edhe medaljet olimpike,”-tha Chermen Valiev, mundës i Shqipërisë.

“Ne kemi 13 sportistë në 3 të stilet: mundje e lire, djem dhe vajza si dhe stilin romak. Ranking Series është një prej eventeve ku sportistët pikëzohen për t’u renditur sa më lart në kampionatin botëror dhe evropian,”-deklaroi kreu i FSHM Sahit Prizreni.

Në Shqipëri ka zbarkuar elita e sportit të mundjes që është e etur për ti shkuar deri në fund garave.

“Jam këtu për të prezantuar Bahamasin sepse garoj në kategorinë 65 kilogramë. Pretendoj medalje pas një kohe kur kam punuar shumë për të. Dua të them që Shqipëria është nga vendet e mia të pëlqyera sepse isha edhe vitin e kaluar këtu ku bëra disa ndeshje,”-u shpreh një mundës i huaj.

Përpos nivelit të lartë të garimit ky organizim synon promovimin e vendit si dhe forcimin e kandidaturës për kampionate të rëndësishme botërore.