Kosova mund të shënojë pikën përfundimtare të shpërbërjes së ‘Jugosllavisë’ që vjen vetëm përmes njohjes së saj nga vendet e mbetura të NATO-s dhe BE-së. Njohja e saj nga këto vende do të kontribuonte në stabilizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Kështu thekson një raport për "Një strategji për të luftuar paqëndrueshmërinë në Ballkan" e përpiluar nga Universiteti studimor John Hopkins dhe Institucioni i kërkimeve Woodrow Wilson Center në SHBA.
Sipas raportit nëse Perëndimi përcakton një qëndrim të përbashkët për Kosovën do të ndikojë në njohjen e saj dhe ndryshimin e qëndrimit të Serbisë dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë duhet parë nëse Serbia do të pranojë vendosjen e rendit në rajon bazuar në vlerat perëndimore. Raporti vë në dukje se Perëndimi po punon me Greqinë që ajo të njohë Kosovën dhe kjo do t’i hapte rrugën Kosovës për të qenë më pas edhe anëtare e NATO-s.
“Në thelb të strategjisë është: shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë prej tre dekadash mund të përfundojë aty ku filloi, në Kosovë. Ky pretendim vlen për krizën që vijon të mbajë të ngërthyer Bosnje-Hercegovinën. Sanksionet e forta të SHBA-së të vendosura në fillim të janarit 2022, edhe nëse shtrihen në një gamë më të gjerë figurash të korruptuara në vend, nuk do të shërojnë paralizën e Bosnjes prej dekadash. Nga ana tjetër, njohja e Republikës së Kosovës nga katër anëtarët e NATO-s si Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – do të transformonte Dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe të gjithë rajonit, duke përfshirë edhe Bosnje-Hercegovinën. Të bindësh ato katër shtete anëtare të NATO-s, si dhe të pestën – Qipron, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, por jo e Aleancës, nuk është e lehtë. Do të duhet një përpjekje e vendosur nga administrata e presidentit amerikan Joseph Biden, së bashku me aleatët kryesorë, për të bindur vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Politikëbërësit përtej Atlantikut do të investojnë në këtë përpjekje vetëm nëse janë të bindur për domosdoshmërinë, përfitimet e gjëra dhe qëndrueshmërinë e një qasjeje të tillë – dhe nëse pranojnë se qasja e tyre aktuale nuk do të funksionojë. Në rastin e Serbisë kjo varet nga raporti i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën ndaj kësaj çështjeje. Me pak fjalë, vendet evropiane që nuk e kanë bërë këtë, si dhe ato që e kanë bërë [njohur Kosovën] – janë çelësi i stabilitetit rajonal”, thuhet në raport.
Gjithashtu, sipas raportit, besohet se në rast se katër anëtarë të NATO-s e njohin pavarësinë e Kosovës – kjo do t’u mundësonte serbëve dhe malazezëve të gjenin një mënyrë për të bashkëjetuar në Malin e Zi të orientuar nga Perëndimi.
“Politika në rritje transatlantike e harmonizimit të qëndrimeve për Kosovën do të inkurajojë një qasje të përbashkët ndaj bllokadës destruktive dhe të njëanshme bullgare ndaj hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në vend të zgjidhjes së disa krizave në të gjithë rajonin, konvergjenca fokusohet drejtpërdrejt në burimin kryesor të destabilitetit – rezistencën e Serbisë ndaj rendit perëndimor – dhe ofron mjetet për ta kapërcyer atë. Në vend që të bëjë thirrje për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin në NATO, raporti sheh dallime midis tyre dhe tregon rrugën drejt dy qëllimeve”, thuhet në raport.
Raporti ngre alarmin për ndikimin rus dhe atë kinez në Ballkan.
“Rritja e ndikimit rus dhe kinez në rajonin e Ballkanit është alarmante”, shkruhet në raport.
a*merikane analfabetë.
Përgjigju