Një pjesë e raportit të SPAK i përket trafikut të lëndëve narkotike, kokainës, kanabisit dhe drogave të tjera sintetike. Nga hetimet e zhvilluara gjatë vitit 202, kryesisht ka rezultuar se grupet kriminale të trafikut të kokainës kanë përdorur metoda më të sofistikuara, me ndarje të qartë rolesh dhe rrugë të organizuara transporti nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt Evropës. Droga transportohej kryesisht me kontenjerë dhe fshihej në mallra si fruta, kakao apo paleta druri, shpesh përmes kompanive fiktive dhe dokumenteve të falsifikuara.

Rrjetet kishin strukturë gjysmë-hierarkike, drejtuesit organizonin financimin dhe rrugët ndërkombëtare, ndërsa anëtarët e tjerë merreshin me transportin, magazinimin dhe shpërndarjen lokale. Pagesat bëheshin kryesisht me cash, sisteme informale si Havala dhe kriptovaluta, ndërsa fitimet pastroheshin përmes bizneseve dhe pasurive të paluajtshme. Hetimet kanë treguar gjithashtu për korrupsion në porte dhe dogana dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritete evropiane ka çuar në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës dhe aseteve financiare.

Në raport flitet dhe kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, aktivitete që vazhdojnë të jenë të përhapura te grupet kriminale shqiptare, shpesh në bashkëpunim me shtetas të huaj dhe në disa raste edhe me përfshirje të punonjësve të policisë. Kultivimi bëhej në zona rurale dhe sera të izoluara, ndërsa droga transportohej përmes rrugëve alternative për të shmangur kontrollet, kryesisht drejt Greqisë, Malit të Zi, Turqisë, Finlandës dhe Zvicrës. Grupet kishin strukturë vertikale me role të qarta, nga drejtuesit dhe financuesit te kultivuesit, transportuesit dhe shpërndarësit. Pagesat kryheshin kryesisht me cash ose transferta të maskuara, ndërsa komunikimi realizohej përmes platformave të enkriptuara.

Sakaq, drogat sintetike nuk janë aktivitet kryesor i grupeve kriminale shqiptare, por në disa raste ato trafikohen nga rrjete ndërkombëtare që merren me disa lloje drogash njëkohësisht. Këto lëndë transportohen kryesisht nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës dhe shpërndahen përmes rrjeteve të organizuara, shpesh në bashkëpunim me shtetas të huaj.


Lajmi kryesor:

Puna e SPAK/ Report Tv siguron raportin: 45.5 mln euro pasuri e sekuestruar dhe konfiskuar gjatë 2025-ës