Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi raportin e KLSH për dëmin në Bankën e Shqipërisë. Në komision raportuan kreu i KLSH, Bujar Leskaj dhe kreu Bankës së Shqipërisë, Sejko.
 
Pas raportimit kryetari i komisionit, Erjon Braçe ka deklaruar se posedon raportin, por nuk do të bëhet publik se është sekret shtetëror dhe bankar, ndërsa shifra e vjedhjes nuk ndryshon nga ajo që është deklaruar zyrtarisht 713 mln lekë.
 
Sipas Braçes, ka një pretendim nga KLSH për dëm 542 mln lekë nga asgjësimi i parave, por për këtë do të pritet hetimi nga prokuroria.
 
Shifra e vjedhjes është ajo që është bërë zyrtarisht publike, nuk ndryshon. Raporti i KLSH, dokument i klasifikuar për sekret shtetëror dhe bankar.
 
Ka një pretendim nga KLSH për 542 mln lekë dëm nga asgjësimi i parave. Hetim nga prokuroria nëse qëndron dëmi i shkaktuar nga asgjësimi i parave sipas raportit.
 
KLSH ka kërkuar që dëmi i konstatuar të kthehet
”tha kreu i komisionit të Ekonomisë.
 
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se “KLSH i referohet një mos përputhje të shkaktuar mes rregulloreve të vitit 1998 dhe asaj të 2013 për asgjësimin e parave që kanë dalë nga qarkullimi”.
 
Ndërsa në konferencë Brace deklaroi se në vazhdim cdo kartëmonedhë e dëmtuar do të rimbursohet 100%, pasi janë marrë parasysh rekomandimet e KLSH.
 
Pak kohë më parë Shqiptarja.com zbuloi një raport sekret të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe 5 institucione të tjera, që hedh dritë mbi vjedhjen e parave në Thesarin e Bankës së Shqipërisë.
 
Raporti i hartuar nga 6 auditues, zbulon skemën e vjedhjes së parave, njëherësh hedh dritë mbi shifrën e saktë të vjedhjes, ku KLSH ka zbuluar se nuk bëhet fjalë për shifrën prej 713 milionë lekë të reja, siç deklaroi ish-guvernatori Fullani, por për 2.9 miliard lekë, e përkthyer kjo në 21 milion euro që mungonin në thesarin e Bankës së Shqipërisë.
 
Kjo sasi lekësh nuk është vjedhur nga një person i vetëm por siç thonë audituesit në raport, në këtë skemë janë implikuar disa zyrtarë të bankës dhe drejtues të Bankave të Nivelit të Dytë, duke dyshuar se kanë përdorur dokumentacion fallco në procesin e dorëzimit të lekëve për shkatërrim. 



d.b/shqiptarja.com