Raporti: Fiksime rezultatesh në
kampionatin shqiptar të futbollit

Futbolli shqiptar është vendosur përsëri në listën e zezë në botë përsa i përket fiksimit të ndeshjeve. Në vazhdën e shumë raporteve famëkeqe për Shqipërinë është edhe ai i FederBet.

Kompania e specializuar kundër fiksimit të ndeshjeve ka publikuar raportin ku thekson se ndeshjet Kastrioti – Tirana 2-3 dhe Lushnja – Teuta 0-2 të zhvilluara në kuadër të javës së 31-të kategorisë Superiore kanë qenë të fiksuara.
Java e 31-të kategorisë Superiore ishte mjaft e përfolur për shumë ndeshje të fiksuara, por FederBet ka shënuar në raportin përfundimtar vetëm dy prej tyre. Të manipuluara dyshohen edhe dy ndeshjet e kampionëve të Shqipërisë në kompeticionin e Champions League, Karagandy - Skënderbeu 3-0 dhe ndeshja e kthimit Skënderbeu- Karagandy 3-2. Ndeshjet e Skënderbeut u zhvilluan në datat 30.07.2013 dhe 06.08.2013.

Të trukuara dyshohen edhe ndeshjet e Teutës në Europë gjatë edicionit të kaluar me Dacian, që përfunduan 3-1 në Durrës dhe 2-0 në kthim.

Ndërsa një tjetër sfidë e dyshuar si e trukuar është miqësorja mes Friburgut dhe Laçit, e zhvilluar në muajin Janar dhe që përfundoi me fitoren 2-0 të gjermanëve.

sporti
Analistët e kompanisë së specializuar për trupimin e ndeshjeve lëshuan alarmin që më datë 1 Maj se ndeshjet e javës së 31-të kategorisë Superiore ishin të dyshuara se ishin manipuluar. Në raportin e FederBet janë gjithsej 460 ndeshje të dyshuara, ndërsa për 110 prej tyre ka prova se janë të trukuara.

Raporti i kompanisë së specializuar kundër trukimeve FederBet, i është dërguar edhe Parlamentit Europian. Federbet ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me FIFA-n, Federatën Spanjolle të futbollit dhe me disa klube për evidentimin e sfidave të dyshuara si të trukuara.


Refik Halili
Donatori i Tiranës, Refik Halili ka reaguar në një prononcim për Shqiptarja.com pas raportit duke mohuar gjithçka. “Mohoj kategorikisht të gjitha përfundimet e raportit, Tirana ka fituar gjithçka me meritë të plotë, përfshirë këtu edhe ndeshjen me ekipin e Kastriotit.

Tirana ishte shumë e motivuar në atë moment të kampionat, ndërsa Kastrioti kishte humbur shanset për të qëndruar në Superiore dhe nuk kishte motive për të luftuar. Megjithatë unë inkurajoj organet që zbardhin të vërtetën dhe të vendosin të gjithë autorët e këtyre fenomeneve para drejtësisë. Tirana është e pastër dhe është klubi më i njohur shqiptar në Europë” deklaroi ai.

Ilir Biturku
Edhe trajneri i Teutës ka mohuar gjithçka, duke mos pranuar përfundimet e raportit se ndeshja Lushnja-Teuta e përfunduar 0-2 ishte e trukuar. “Në asnjë mënyrë nuk është e vërtetë. Gjithcka që flitet janë fjalë që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Ajo ndeshje edhe sikur të luhet përsëri, Teuta nuk e diskuton fitoren në asnjë moment.

Lushnja kishte rënë, ndërsa Teuta luftonte për kupat e Europës, prandaj ishim super të motivuar. Teuta ka luajtur dhe do të vazhdojnë që të luajë futboll të pastër” tha ai për Shqiptarja.com. 

Ardian Take
Ajo që tërheq më shumë vëmendjen në raportin për fiksimin e ndeshjeve është fakti që kampionët e Shqipërisë, Skënderbeu dyshohet se ka manipuluar dy ndeshjet në Champions League për Karagandy të përfunduar me rezultatin 3-0 në transfertë dhe 3-2 në shtëpi.

Por, Presidenti Ardian Take në një prononcim për Shqiptarja.com nuk pranon një gjë të tillë duke i cilësuar krejtësisht të pavërteta dyshime të tilla. “Akoma nuk jam njohur me raportin dhe nuk e kam idenë se cfarë kompanie është kjo. Por çuditem pse bëhet kaq shumë për një gjë të tillë vetë e vetëm pse është kompani e huaj. Skënderbeu nuk ka fiksuar asnjë ndeshje dhe për këtë jemi të qetë. Drejtësia nëse dyshon se të hetojë” tha ai. 

d.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 13:30

    Deri në 700 kWh ulet me 1 lekë çmimi i energjisë për familjet, si ju duket?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Schallenberg caktohet kancelar i përkohshëm

Austri/ Schallenberg caktohet kancelar i përkohshëm