Tirana dhe Elbasani vijojnë të përballen me nivele të larta të ndotjes së ajrit, veçanërisht nga grimcat e pluhurit PM10. Të dhënat e publikuara në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2025 tregojnë se në këto dy qytete janë tejkaluar kufijtë vjetorë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, grimcat PM10 kanë një diametër deri në 10 mikrometra dhe krijohen kryesisht nga trafiku rrugor, aktivitetet industriale, ndërtimet dhe përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje.

“PM10 mund të shkaktojnë dhe përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, goditje në zemër dhe aritmi. PM mund të dëmtojnë sistemin nervor qendror, sistemin prodhues dhe mund të shkaktojnë kancer. Një nga rezultatet e ekspozimit të PM mund të shkaktojë vdekje të parakohshme.” thuhet në raport.

Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, në stacionin “Tirana Higjiena” u regjistrua një përqendrim mesatar vjetor prej 57.66 mikrogramë për metër kub nga 40 që lejohet. Rreth 44% mbi kufirin e lejuar. Në Elbasan, mesatarja arriti në 59.72 mikrogramë për metër kub, ose 49% mbi normë.

Ndërkohë, Elbasani rezulton i vetmi qytet ku është regjistruar tejkalim edhe për dyoksidin e azotit, NO₂, një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial.

“Bazuar në të dhënat e monitoruara rezulton se kemi tejkalim të vlerës limite vjetore vetëm në stacionin e Elbasanit. Vlera e monitoruar është 40.18 mikrogramë për metër kub.” thuhet në raport.

Në përfundimet e raportit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit vlerëson se cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është në një nivel shumë të mirë.

Pjesë nga raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit