Partia Demokratike ka denoncuar ndërtimet dhe betonizimin në kryeqytet si shkaktare e ndotjes së ajrit e cila sjell dhe vdekjen e shumë personave.

Duke iu referuar një raporti të publikuar nga agjencia e mjedisit në BE, zëdhënësja Ina Zhupa thotë se ndërtimet pa kufij duhen ndaluar dhe se 1 në 4 vdekje në Shqipëri vjen si pasojë e ajrit të ndotur.

Zhupa thotë se duhet ndaluar kthimi i Tiranës në kryeqytetin e vdekjeve nga ajri i ndotur.

Postimi i plotë në Facebook:

Një në katër vdekje në Shqipëri vjen si pasojë e ndotjes së ajrit. Kështu raporton BBC, duke iu referuar një raporti të Agjencisë së Mjedisit të BE. Sipas raportit Shqipëria është një nga vendet ku numri i vdekjeve nga ndotja është rekord, gati 23 përqind e totalit te vdekjeve.

Tirana është qyteti me ndotjen më të madhe, qyteti që po rrit përditë rrezikun e vdekjes së qytetareve të tij me ndotjen që vetëm shtohet si pasojë e betonizimit masiv dhe të pakufijshëm të saj.

Përkundrejt propagandës së Veliajt me pemë edhe me biçikleta, kemi një Tiranë që është betonizuar masivisht. Kullat janë bërë e zakonshme e zonës kryesore të qytetit të Tiranës.

Ajri që ne thithim në Tiranë është i rrezikshëm për shëndetin tonë, është burim kanceri dhe burim vdekjeve.

Për shëndetin e fëmijëve tanë, për shëndetin e prindërve tanë, për shëndetin tonë, duhet ndalur kthimi i Tiranës në qytetin e vdekjeve nga ndotja e ajrit, në qytetin e pajetueshëm nga betonizimi!