Familjet shqiptare, edhe pse duket sikur koha e piramidave ka perënduar njëherë e mirë, vijojnë të marrin hua “në të zezë”. Madje, në shifra shqetësuese. Në një anketë të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë del se në 44% të rasteve, familjet huamarrëse deklarojnë se e kanë siguruar huanë/huatë nga burime formale, si “banka” (39%) dhe “institucione të tjera financiare jobanka” (4%), çka shënon një rënie me 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, më e theksuar në zërin e dytë. Por, në 56% të rasteve, familjet huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar burimeve informale si “persona fizikë” (40%) dhe “hua nga dyqanet” (16%).
Sipas Raportit të Bankës qendrore për Stabilitetin Financiar për 6-mujorin e parë 2013, numri i familjeve që pohojnë se kanë të paktën një hua të papaguar në momentin e intervistimit, pavarësisht karakteristikave të saj, ka rezultuar 321 familje ose 28% e të përgjigjurve, duke shënuar rënie me 6 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve mbeten: “blerje/riparim i një prone të paluajtshme” në 32% të rasteve, “konsum” në 35% të rasteve dhe “për zhvillim të biznesit” në 14% të rasteve. Huamarrja me qëllim blerje/riparim prone dhe ajo me qëllim zhvillimin e biznesit kanë vazhduar tendencën rënëse të konstatuar që në dy periudhat e kaluara.
Euroizimi i huamarrjes së familjeve vazhdon të jetë i ulët: vetëm në 4% të rasteve huaja e marrë është në valutë, duke shënuar rënie me 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e dytë 2012.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, familjet që kanë marrë tashmë hua nga bankat dhe që ndodhen në kushte të rënies së aftësisë paguese gjatë periudhës së gjashtë muajve të parë të këtij viti, në 51% të rasteve zgjedhin të ulin shpenzimet familjare dhe në 22% të rasteve kërkojnë një punë të përkohshme, si dy mënyrat kryesore për të përballuar vështirësinë financiare.
Rreth 73% e familjeve huamarrëse deklarojnë se “nuk kanë patur ndryshim të aftësisë së tyre paguese” gjatë periudhës referuese, 23% kanë deklaruar “rënie” dhe 5% kanë deklaruar “rritje” të aftësisë paguese.
Aftësia paguese e shqiptarëve rezulton negative
Balanca neto e përgjigjeve lidhur me aftësinë paguese të kredisë nga familje, të marra në sondazhin e bërë nga Banka qendrore me “kampionë” të caktuar familjarë, ka rezultuar negative. Kjo do të thotë se është përkeqësuar, në total, aftësia paguese e familjeve, por, krahasuar me periudhat e kaluara, duket se ritmi i përkeqësimit është ngadalësuar. Për sa i përket gjashtëmujorit të ardhshëm familjarët e pyetur shfaqin një lloj optimizmi. Kështu, janë 78% e huamarrësve ata nuk presin ndryshime në aftësinë e tyre paguese (nga 73% më parë), 14% presin të kenë përmirësim (kjo shifër ishte 5%)dhe 8% presin të kenë përkeqësim (nga 23 për qind).
Përsa i përket mundësisë së rimarrjes së një huaje të re në periudhën e ardhshme, rreth 59% e familjeve të përgjigjura (duke iu referuar të gjithë kampionit të intervistuar) e kanë përjashtuar si mundësi.
Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)