Banka qendrore vlerëson se korrektimi fiskal, i ndërmarrë nga qeveria Rama, ka qenë zgjidhja e duhur. Sipas BSH, konsolidimi fiskal i nëntë muajve të parë të vitit u materializua në ngushtimin me rreth 53.1% të deficitit buxhetor në terma vjetorë. Kjo është vënë në dukje në deklaratën e djeshme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili ka miratuar raportin tremujor të politikës monetare. Ky organ drejtues ka vijuar punë, edhe në mungesë të tre anëtarëve, në kushtet e dorëheqjes së një të katërti dhe të papërputhshmërisë me ligjin të qendrimit në të të dy anëtarëve (Milo dhe Kule).

Banka e Shqipërisë deklaroi se pret një ecuri ekonomike në përmirësim, çka do të krijojë premisat e duhura për kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme. Në reflektim edhe të kushteve monetare stimuluese, zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private pritet të përbëjë nxitësin kryesor të rritjes ekonomike dhe të mundësojnë kthimin e ekonomisë në ekuilibër. Sipas raportit, ka patur një ecuri më të ngadaltë të ekonomisë krahasuar me vlerësimet fillestare, por gjithsesi ecuria e konsumit dhe e investimeve private mbetet pozitive.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vlera e shtuar e gjeneruar në ekonominë shqiptare u tkurr me 0.6% gjatë tremujorit të dytë të vitit. BSH mendon se ngadalësimi i ekonomisë në tremujorin e dytë është i përkohshëm. “Të dhënat paraprake flasin për një rritje ekonomike pozitive në tremujorin e tretë të vitit”. Këshilli Mbikëqyrës la të pandryshuar normën bazë të interesit ne 2.50%.