TIRANË - Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj foli në Report Tv, lidhur me raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila shprehet për një ekonomi të fortë të Shqipërisë, por sfidë mbeten emigracioni dhe plakja e popullsisë.
Gjokutaj e cilësoi këtë problem si një faktor që kërkon një qasje të veçantë për të siguruar zhvillim afatgjatë të ekonomisë. Ai theksoi për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’, rëndësinë e sektorëve të caktuar si turizmi dhe energjia, të cilat kontribuojnë në forcimin e ekonomisë shqiptare, veçanërisht në kushtet e motit të favorshëm. Gjithashtu, infrastruktura është një element që ndihmon rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
'FMN vë theksin në çështjen e evidentuar por që bëjnë mprehtësi në qasjet ndaj ekonomisë. Problemi i plakjes së popullsisë është një nga sfidat edhe për qasjen afatgjatë. Shqipëria ka një ecuri të caktuar, të qëndrueshme për atë që hasin fqinjët tanë. I mëshohet fort turizmit dhe pjesën energjitike që e ndihmon Shqipërinë në rastet e mira të motit. Ajo që thotë FMN-së i duhet ti qaset ekonomia ndaj kësaj sfide, lidhur edhe me integrimin europian.'
Sipas Gjokutaj, Shqipëria ka bërë përparim, por mbetet pas Serbisë në disa aspekte të zhvillimit ekonomik. Ai theksoi se sektori i bujqësisë ka humbur shumë mundësi për zhvillim, dhe se vendi është ende shumë i varur nga ekonomia e konsumit dhe importet, duke krijuar një varësi të madhe nga jashtë. Gjithashtu, ai përmendi se mikrokreditimi është një faktor që ka ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme, ndërsa ndihma nga Banka e Zhvillimit dhe nismat e tjera të qeverisë mund të ofrojnë mundësi për zhvillimin e mëtejshëm.
'Element rritje, është dhe pjesa e asaj që paraqiti turizmi, që një pjesë është informale. Infrastruktura ndihmon rritjen ekonomike. Ndihmon në aspektin makro. Pasuritë e paluajtshme. Ajo që duhet thënë seriozisht nuk është thjesht sfida, por ajo që kemi humbur në respekt të produktit ekonomik, dhe këtu është agro kultura. Por edhe sektorë të tjerë nuk është se kanë shumë zhvillim. Bazohemi tek ekonomia e konsumit mbi importin. Nisur nga këto faktorë kemi një vijimësi të mirë, por ngelemi -prapa Serbisë në çdo aspekt. Jemi në një linjë ecurie me Kosovën. Bosnja dhe Maqedonia kanë ecuri prapa Shqipërisë.'
Gjokutaj e përfundoi duke theksuar se megjithë ecurinë e mirë të Shqipërisë, ka ende shumë hapësirë për përmirësime, veçanërisht në sektorët si bujqësia dhe industria, për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe për të mos mbetur pas rajonit.
'Mikrofinanca është ajo që pamë vitin e kaluar. Lidhet me atë sa kreditohet biznesi i vogël dhe i mesëm.Lidhet me nismën e qeverisë për Bankën e Zhvillimit. Ka të bëjë dhe me PPP, një problematikë e mbartur, që ndikon në buxhetin e shtetit.'