FMN: Sfidë, plakja e shpejtë dhe emigracioni! Të ardhurat për frymë në Shqipëri sa 1/4 e BE-së! Rrezik ekspozimet e bankave ndaj kredimarrësve të mëdhenj

Ekonomia shqiptare po rritet, dhe është në rrugën e duhur për t'u bërë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë për 2024-ën, e mbështetur kryesisht nga turizmi.

Ky është konkluzioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit për Shqipërinë, ku thuhet që ekonomia vjet i rrit me 3.6%, ndërsa institucionet vendase thonë se pritshmëritë janë për kalkulim në 4% të rritjes ekonomike. Sa i takon vitit aktual, FMN vlerëson se ekonomia do ngadalësohet lehtë në 3.5% po aq do jetë rritja edhe për 2026-ën.

Por përtej ecurisë pozitive, 'drejt Shqipërisë po fryjnë erëra sfiduese', thotë FMN të ndikuara nga faktorët demografik, plakja e popullsisë e emigracioni.

"Ekonomia po përballet gjithashtu me erëra të kundërta strukturore, që rrjedhin nga plakja e shpejtë e popullsisë, emigracioni, produktiviteti i ulët dhe mangësitë e qeverisjes", vlerëson FMN.

Edhe pse në rritje të ardhurat për frymë në Shqipëri thuhet në raport janë sa 1/4 e mesatares së BE, sfidë kjo që thellohet edhe më shumë prej plakjes së popullsisë dhe emigrimit, ndaj sipas ekspertëve ndërkombëtarë janë të nevojshme disa reforma.

"Reforma të gjera, duke përfshirë përmirësimin e qeverisjes dhe kornizave të menaxhimit të financave publike, rritjen e kapitalit njerëzor dhe produktivitetit, nevojiten për të katalizuar një rritje dhe konvergjencë më të qëndrueshme afatgjatë", thotë FMN 

Bazuar në shifrat e 2023 të cilave FMN i referohet të ardhurat për frymë janë 8300 dollarë. Strategjia Afatmesme e të ardhurave është hap pozitiv vlerëson FMN por ende përjashtimet tatimore dhe transparenca me PPP-te mbetet shqetësuese.

"Drejtorët theksuan se investimet publike dhe reformat e menaxhimit të rrezikut fiskal, veçanërisht lidhur me ndërmarrjet shtetërore dhe partneritetet publiko-private, mbeten kritike për transparencën fiskale", thotë FMN.

Sa i takon kursit të këmbimit FMN apelon për të mbajtur regjim të lirë dhe pa ndërhyrje të forta.

"Drejtorët theksuan se kursi i këmbimit duhet të lejohet të përshtatet në mënyrë më fleksibël, me ndërhyrjen që shërben si një mjet plotësues për të adresuar luhatjet jothemelore. Peshimi i kujdesshëm i kostove dhe përfitimeve të akumulimit të mëtejshëm të rezervës do të ishte gjithashtu i rëndësishëm", thonë drejtorët e FMN.

Edhe një herë FMN kërkon kujdes për kreditimin e pasurive të paluajtshme pasi kanë rritur ekspozimin e bankave dhe nga ana tjetër është rritur kredia në valutë, që është problematike në kushtet e luhatjeve të kursit të këmbimit.

"Ekspozimet ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe sovranëve të bankave përfaqësojnë burime rreziku, ashtu si dhe zgjerimi i shpejtë i kreditimit të bankave për sektorin e pasurive të paluajtshme, i cili ka parë rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe përbën dy të tretat e kredive të pambrojtura valutore", thotë FMN.

Po ashtu drejtorët e misionit të FMN kanë venë në dukje se duhet të ruhet stabiliteti ekonomik, dhe të pershpejtohen reformat për në BE.

'Drejtorët theksuan se nevojiten reforma më të thella për të maksimizuar përfitimet nga procesi i pranimit në BE. Politikat duhet të fokusohen në rritjen e produktivitetit duke nxitur integrimin global të zinxhirit të vlerës, duke hequr barrierat ndaj rritjes së firmës dhe duke promovuar aksesin në huadhënien bankare", shprehet FMN.

Mbikëqyrje më e rreptë për mikrofinancën është kërkesa tjetër.

"Thellimi i tregjeve financiare dhe përmirësimi i mbikëqyrjes së institucioneve financiare jobankare janë çelësi për rritjen e elasticitetit dhe ruajtjen e integritetit", shton FMN.

Sa i takon borxhit publik FMN thotë se pritshmëritë janë që të jetë nën 56%, dhe deri në 2029, të jetë nën 50%. FMN pret rritje inflacioni nga 2.2% në vitin e shkuar në 2.8% këtë vit

Vlerësimi i FMN

FMN përshëndet performancën e fortë ekonomike të Shqipërisë, të mbështetur nga politika makroekonomike të kujdesshme dhe një sektor turizmi në lulëzim. Anëtarët vlerësuan se perspektiva mbetet e favorshme me rreziqe të balancuara gjerësisht, por vunë në dukje sfidat strukturore të lidhura me plakjen e popullsisë, emigracionin, produktivitetin e ulët dhe mangësitë në qeverisje. Ata theksuan rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik duke avancuar reformat për të përshpejtuar afrimin me BE-në dhe për të promovuar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Reforma dhe stabilitet: Anëtarët theksuan nevojën për një suficit modest vjetor primar, së bashku me përpjekje të vazhdueshme për të forcuar menaxhimin e borxhit. Ata përgëzuan progresin në strategjinë e të ardhurave afatmesme të autoriteteve dhe theksuan rëndësinë e reformave të administrimit të të ardhurave dhe politikave tatimore për të adresuar nevojat në rritje për shpenzime.

Politika monetare dhe menaxhimi i valutës: Duke pasur parasysh forcimin e qëndrueshëm të lekut të mbështetur nga bazat ekonomike, anëtarët theksuan se kursi i këmbimit duhet të jetë më fleksibël, ndërsa ndërhyrjet të shërbejnë si një mjet plotësues për luhatjet jo-themelore.

Forcimi i mbikëqyrjes financiare: Ata theksuan rëndësinë e vigjilencës mbikëqyrëse për shkak të rritjes së kredive për sektorin e pasurive të paluajtshme dhe ekspozimeve të mëdha të bankave. Përmirësimi i tregjeve financiare dhe mbikëqyrja e institucioneve financiare jo-bankare janë kyçe për rritjen e rezistencës.

Përfitimet nga procesi i anëtarësimit në BE: Bordi theksoi rëndësinë e thellimit të reformave për të maksimizuar përfitimet e procesit të integrimit në BE, përfshirë heqjen e pengesave për rritjen e bizneseve, përmirësimin e produktivitetit dhe diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, thuhet në raportin e FMN-së

Shifrat e FMN
Rritja ekonomike në Shqipëri në 2024 ishte 3.6%, në 2025 pritet të jetë 3.5%
Borxhi publik në Shqipëri zbriti në 2024 nën 56% dhe pritet që deri në 2029 të ulët nën 50%
Ndërsa inflacioni në 2024 ishte 2.2%, në 2025 pritet të rritet në 2.8%

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq