Raporti i Freedom House: Shqipëria, pjesërisht e lirë! Rënia me 1 pikë, shkak vrasja e Klodian Rashës nga polici dhe dhuna në protestën për Teatrin

Organizata Freedom House arriti në përfundimin se në vitin 2020 aktorët autoritarë u bënë më të guximshëm, ndërsa demokracitë më të mëdha përballeshin me problemet e brendshme, duke sjellë si rezultat një rënie për të 15-in vit me radhë në lirinë botërore. Freedom House nxorri raportin e saj vjetor të vitit 2021 për Lirinë në Botë, sipas së cilit hendeku mes rënieve dhe përmirësimeve në nivelin e lirisë u thellua. Sipas raportit, Shqipëria ka rënë një pikë më poshtë, ndërsa Kosova dy pikë. Maqedonia e Veriut ishte një nga historitë e suksesit me tri pikë përmirësim nga një vit më parë.

Sipas raportit Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira, dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht.

Shqipëria nga 67 pikë vitin e kaluar, ka 66 pikë këtë vit me një pikë rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, lidhur me dy ngjarje.

“Ne pamë rënie në lirinë e grumbullimit, për shkak të dhunës midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Një tjetër arsye për shqetësim ishte kur në dhjetor policia vrau një qytetar që kishte shkelur urdhrin për orën policore. Këto kontribuuan në rënien në kategorinë e lirisë së grumbullimit”, tha bashkëautorja e raportit Amy Slipowitz.

Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh gjithsej nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik.

“Kjo kishte të bënte me miratimin e qeverisë së kryeministrit Hoti nga një shumicë me një vote diferencë të një deputeti që kishte qenë i dënuar”, thotë Amy Slipowitz, bashkëautore e raportit dhe menaxhere për kërkimet në Freedom House.

Parregullsia e këtij procesi solli rënie.

“Ishte gjithashtu edhe rënia në kategorinë për opozitën për shkak se garda e vjetër politike orkestroi rënien e qeverisë së Albin Kurtit të partisë Vetëvendosje”, tha zonja Slipowitz.

Megjithë rënien e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje, madje me 3 pikë më shumë se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut është një nga vendet e përmendura për rritje të konsiderueshme në raport.

“Qeveria reformiste e Maqedonisë së Veriut u rizgjodh dhe institucionet e saj kryesisht e kanë rimarrë veten nga dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski”, thuhet në raport.

2020-a ishte një vit ku pandemia e koronavirusit mbizotëroi në botë jo vetëm si krizë shëndetësore dhe Shtetet e Bashkuara pësuan një rënie të konsiderueshme në nivelin e demokracisë. Fredoom House thotë se pasojat ndjehen në gjithë botën.

“Kur vendet demokratike pësojnë rënie, ose tregojnë dobësi, kjo u jep aktorëve autoritarë diçka për të përmendur dhe hapësirë për të pretenduar se demokracia është një sistem inferior”, thotë bashkëautorja e raportit, Sarah Repucci, nënpresidente për studime dhe analizë në Freedom House.

Liria në Shtetet e Bashkuara ra me tre pikë dhe në dekadën e fundit ka rënë 11 pikë, një rënie e thellë që tashmë e vendos vendin më pranë shteteve me insitucione të dobëta si Rumania dhe Panamaja.

Dëmi më i madh thotë për demokracinë amerikane thotë zonja Repucci, ishin përpjekjet e Presidentit Trump për të përmbysur vullnetin e votuesve amerikanë dhe pretendimet e tij të pabaza për mashtrime në zgjedhje.

Duke përmendur si shembull ngjarjet e 6 janarit, ekspertët e organizatës Freedom House që ka matur nivelin e lirisë në botë prej dekadash, thonë se propagandistët në botë përdorin pikërisht këtë argument kundër vendeve demokratike.

“Administrata e Presidentit Biden duhet ta bëjë përparësi konsolidimin e demokracisë, ne duhet të riparojmë dobësitë afatgjata dhe jo të përqendrohemi në zgjidhje afatshkurtra”, thotë zonja Repucci.

Megjithatë studiuesit vënë në dukje se fakti që sistemi gjyqësor funksionoi tregoi forcën e demokracisë.

Freedom House përmend si një nga shqetësimet kryesore rolin e Kinës si në fshehjen përmasave të pandemisë, ashtu edhe në përpjekjet për shtrirjen e ndikimit në botë.

Megjithë rënien në nivelin e lirisë, Freedom House arrin në përfundimin se demokracia në shumë pjesë të botës vazhdoi të tregojë aftësinë e saj ripërtëritëse, siç kanë treguar protestat në vende si Malawi, Myanmar dhe Rusia./Voa

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:34
Raporti i 'Freedom House'/ Ilir Meta: E rendit Shqipërinë një hap më pranë autoritarizmit, ndryshon me referendumin e 25 prillit

1614426118_metaa.jpg

Uljen e vlerësimit nga organizata Freedom House për demokracinë në Shqipëri Presidenti Meta e cilëson si një hap të vendit më pranë autoritarizmit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ilir Merta shkruan se 'Freedom House' e zbret Shqipërinë edhe më poshtë për vitin 2020, mes regjimeve hibride.

"Shembjen e Teatrit Kombëtar për interesa klienteliste, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen kriminale të Klodian Rashës gjatë kohës së pandemisë nuk mund t’i mbulojë asnjë propagandë. Këto dhe të tjera ngjarje të rënda kurrë nuk do të amnistohen dhe për to drejtësia do vendoset në vend. Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të  njeriut, është një kambanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor, që e kam denoncuar prej kohësh. Referendumi i 25 prillit 2021 është momenti historik për t’i dhënë një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian", shkruan Meta.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?