'Sekretarët e komunizmit në Kuvend' Maxhoranca e PD debat për dosjet dhe Sali Berishën! ISKK: Mbyllim eidentimin e viktimave të regjimit komunist

TIRANE- Kuvendi miratoi sot me 81 vota pro, 1 abstenim dhe zero kundër Raportin vjetor të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023.

Ndërkohë para votimit deputetët u përfshinë në debat. Plot 35 vite pas rënies së komunizmit në Parlamentin shqiptar vijojnë ende akuzat mes maxhorancës dhe opozitës se në Kuvend ndodhen sekretarët e periudhës së diktaturës.

Në foltoren e Kuvendit deputeti i PD-së Tomor Alizoti kujtoi vuajtjet në SPAÇ ndërsa sot thotë në parlament janë zyrtarë të ish periudhës komuniste.

Sekretarët e Rinisë guxojnë sot të flasin për të vdekurit e Spaçit, të flasin sot për Tom Ndojën që i nxorën sytë dhe eksperimentuan, flasin sot për nënat që nxisnin maloret e Spaçit, ku dhe unë si bebe ngjitesha me ata ju guxoni sot të flisni. Po ju duhet të heshtni për 1 mijë vjet për ca i keni bërë këtij kombi. Më jepni 5 minuta të flas për 500 mijë vuajtje të kombit shqiptar, për Qafën e Barit. 

Komunizmi arriti një gjë në Shqipëri dhe është i suksesshëm, prodhoi banalitet, ju prodhoi juve. Ju jeni banaliteti i Shqipërisë. Kolegë të nderuar kush e ndjen, një minutë heshtje për ata që janë pa varre dhe i vrau komunizmi”, tha Alizoti.

Kërkesa e tij për 1 minutë heshtje për viktimat e komunizmit u respektua nga pak deputetë të opozitës që ishin në sallë, ndërsa ministri Brendshëm, Taulant Balla replikoi duke e quajtur të padrejtë.

“Ky që sapo foli, është modeli më i keq i atyre që familjarët e të cilëve e kanë vuajtur komunizmin në kurriz, dhe ky shkon ditë për ditë poshtë ballkonit të 'Sekretarit të partisë', i cili komunizmit ia ka parë hajrin më shumë se të gjithë ne këtu. Nuk ke këtu, asnjëri nga ne, babai i të cilit, se unë moshën s’e kam, të ishte në varkën personale të Enver Hoxhës!' tha Alizoti.

Në shenjë proteste, deputetja e PD Flutura Açka ka vendosur fotot e Stalinit dhe të Leninit në sallën e Kuvendit.

"Të dy palët politike kemi luajtur me ish-të përndjekurit, ne të djathtët me arnime ligjesh, me duartrokitje, e duke ua përdorur kauzat dhe votat, dhe ju të majtët, mbase me të drejtën tuaj ideologjike, i keni ndarë dhe përçarë në mënyrë perfide" tha Açka. 

Përplasja vijoi më pas për Sali Berishën.

Deputeti socialist Petro Koçi paralelizoi historinë e PD-së me flimin e regjisorit shqiptar, Saimir Kumbaro.

E gjithë historia e PD-së është si te filmi ‘Vdekja e Kalit’ ku komisari politik u shndërrua në shef politik të opozitës së atëhershme..... Është e njëjta dorë që bëri 14 shtatorin, është e njëjta dorë që bëri 21 janarin. Është e njëjta dorë që hodhi molotovin pardje, e njëjta dorë dhe vazhdon komunisti i Partisë së Punës të jetë lideri shpirtëror gjoja i Partisë Demokratike edhe sot në vitin 2024.    

Deputetja Socialiste Ermonela Felaj i bëri thirrje grupit të Bashës dhe Berishës të përmbyllim paketën e dekomunistizimit

Eshtë e nevojshme të ndërhyjmë në ligjin e dekriminalizimit. 4 nene propozohen të ndërhyjmë. Në objektin dhe qëllimin e këtij ligji, për mos të lejuar që ata që kanë qenë anëtarë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-sigurimit të shtetit sipas përcaktimit të ligjit në fjalë, të mos vijnë në pozicione të rëndësishme publike. Vetëm me 4 nene që presin votën e të gjithë deputetëve këtu. Sepse ligji i dekriminalizimit është ligj i cilësuar.

Raporti i ISKK-së

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK), Çelo Hoxha tha se janë botuar 12 vëllime të Fjalorit me emrat e viktimave të komunizmit.

“Me botimin e vëllimit 12 dhe të fundit të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist në Shqipëri, mbyllet një kapitull 12 i rëndësishëm në evidentimin e viktimave të persekutimit komunist, dhe i hapet rrugë studimit të thelluar shumëdimesional, duke shfrytëzuar të dhënat e Fjalorit”, tha ai.

Gjatë vitit 2023, vijoi Hoxha, u përkujtuan ngjarje të rëndësishme të qëndresës antikomuniste gjatë regjimit komunist, siç ishte Revolta e të burgosurve politikë në kamp-burgun e Spaçit më 21 maj 1973.

“Kjo ngjarje u përkujtua me realizimin e tre veprimtarive të ndryshme: Një film dokumentar, një ekspozitë me dokumente dhe një simpozium. Ndërsa u ndërmor një studim mbi aspekte të jetës në kamp-burgun e Spaçit, si puna e detyruar, rezistenca e të burgosurve dhe përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë (arratisjet), Revolta, etj., dhe informimi i publikut për këto çështje”, tha Hoxha.

Hoxha evidentoi se nga ISKK janë mbledhur dhe përgatitur për botim dokumentimi i veprimtarisë financiare të Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). 

“Gjithashtu ISKK-ja ka përgatitur studimin e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në fillimet e tij, kur kjo strukturë e paligjshme quhej Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, 1944-1946. Mbledhjen e dëshmive të ish-të dënuarve për arsye politike, botimin e tyre dhe informimin e publikut për jetën në burgje, internim, dëbim dhe forma të tjera persekutimi. Dokumentimin e veprimtarisë financiare të PPSH, e cila përdori masivisht fondet e buxhetit të shtetit, ndërkohë që ligjërisht nuk kualifikohej për përdorimin e fondeve publike, sepse nuk ekzistonte e regjistruar si organizatë politike në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 370, 6 dhjetor 1946, “Mbi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturale, shkencore, profesionale etj., dhe mbi mbledhjet publike”. Dokumentimin e dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, në periudhën 1947-1949 dhe informimin e publikut për veprimtarinë e kësaj strukture të armatosur të paligjshme, në vijim të vëllimit I, i cili është botuar tashmë dhe mbulon periudhën 1944-1946”, tha Hoxha.

Hoxha tha se prioritet është rritja e aksesit publik përmes promovimit të veprave të ISKK dhe shpërndarjes së tyre falas në të gjitha bibliotekat e vendit, zgjerimi i bashkëpunimit me institucione të tjera homologe jashtë vendit përmes aktivitetesh të përbashkëta: forume, konferenca shkencore, etj. Ndërkombëtarizimi i historisë së komunizmit në Shqipëri, përmes botimeve jashtë shtetit, ligjërimit në konferenca ndërkombëtare dhe zgjerimit të rrjetit të aktiviteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe pasurimi i database-s me të dhëna statistikore dhe cilësore të viktimave të komunizmit në Shqipëri, në të gjitha kategoritë: ekzekutim, burgim, internim, dëbim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:19
Ermonela Felaj thirrje grupit të Bashës dhe Berishës: Të përmbyllim paketën e dekomunistizimit

 

Ndërhyrja në ligjin e dekriminalizmit, është nevojë, për deputeten e PS Ermonela Felaj.

Nga Kuvendi, Felaj i ka bërë thirrje grupit të Bashës dhe Berishës që të votojë pasi ka ngelur edhe pak kohë.

“Kemi diskutuar që është e nevojshme të ndërhyjmë në ligjin e dekriminalizimit. 4 nene propozohen të ndërhyjmë. Në objektin dhe qëllimin e këtij ligji, për mos të lejuar që ata që kanë qenë anëtarë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-sigurimit të shtetit sipas përcaktimit të ligjit në fjalë, të mos vijnë në pozicione të rëndësishme publike. Vetëm me 4 nene që presin votën e të gjithë deputetëve këtu. Sepse ligji i dekriminalizimit është ligj i cilësuar. Bën fjalë për pastërtinë e figurave, e të zgjedhurve, qoftë në nivelet më të larta ekzekutive dhe në ato të ulëta. Për ata që sot dalin dhe përfaqësojnë median, për shumë e shumë pinjollë që ja kanë dalë të jenë ende mbizotërues. Mundësia është për të gjykuar ftohtë dhe me zemër të pastër.  

Unë këtë thirrje e kam edhe për ata që janë tek grupi Basha, edhe për ata të grupit Bardhi, edhe për ata që janë pas Sali Berishës. A ka mundësi për një moment, sepse koha po mbaron, ata njerëz po përmbushin ciklin dhe në një mënyrë do largohen, ka pak kohë në dispozicion”, tha ajo.

Ora 13:18
Balla i përgjigjet Alizotit: Shkon çdo ditë poshtë ballkonit të sekretarit të partisë, Berisha ia pa hairin komunizmit! Largojeni komunistin nga partia

Ministri i Brendshëm Taulant Balla i është përgjigjur deputetit demokrat, Tomor Alizoti, i cili tha se PS lë sekretarët e komunizmit të flasin për viktimat e Spaçit.

Balla në fjalën e tij tha se Alizoti është modeli më i keq i atyre që familjarët e të cilëve e kanë vuajtur komunizmin në kurriz, pasi shkon çdo natë poshtë ballkonit të Sekretarit të Partisë, referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha.

Balla tha se Berisha ia ka parë hairin komunizmit më shumë se të gjithë. Një këshillë e kishte për opozitën, duke i thënë se atë që nuk e bënë dot ata me kohë, ua dha shansin drejtësia që ta bëjnë, dhe të largojnë njëherë e mirë komunistin nga partia.

Taulant Balla: Sa i përket replikës, unë kam marrë me qindra herë fjalën në këtë sallë, për t’iu bashkangjitur nevojës për të dënuar sa herë të kemi mundësi, krimet e komunizmit. Dhe krimet e komunizmit dënohen, kur të paktën distancohemi nga ata që ia kanë parë hajrin komunizmit.

Ky që sapo foli, është modeli më i keq i atyre që familjarët e të cilëve e kanë vuajtur komunizmin në kurriz, dhe ky shkon ditë për ditë poshtë ballkonit të 'Sekretarit të partisë', i cili komunizmit ia ka parë hajrin më shumë se të gjithë ne këtu. Nuk ke këtu, asnjëri nga ne, babai i të cilit, se unë moshën s’e kam, të ishte në varkën personale të Enver Hoxhës!

Pas 33 vitesh ju keni mundësinë e artë që nuk e bëtë dot, por jua bëri drejtësia, ta largoni komunistin nga kreu i partisë, dhe komunizmin nga brenda partisë! Dhe sa i përket komunizmit brenda partisë, shpëtoni njëherë e përgjithmonë, mblidhni institucionet e partisë, distancohuni nga sekretari i partisë edhe pastaj hajde na shisni dëngla!

Sa i përket pjesës tjetër, ky personi që sapo foli, është një keqardhje e madhe, se ky asnjë herë nuk di për çfarë flet. Por në partinë tuaj, edhe kur nuk flet, edhe kur nuk di çfarë thua, mund të të konsiderojnë për filozof. Këtë, për fat të keq e konsideroni për filozof, edhe kur thotë idiotësi Faleminderit.

Një përgjigje për Alizotin e pati edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

Ulsi Manja: Unë i kuptoj vuajtjet e Alizotit, pati një moment dobësie për të gjitha ato vuajtje, por jo deri në pikën sa të marrë të drejtën që të na etiketojë ne pjesën tjetër si shkaktarë të asaj tragjedia. Të jetë i bindur Alizoti që plejada e madhe e atyre intelektualëve që u persekutuan nga regjimi komunist, nuk do ndiheshin mirë nga fjalët e Alizotit, se në thelb të ideologjisë së tyre ata patën pajtimin e kombit. Ne akoma në këtë sallë e etiketojmë njëri tjetrin ju dhe ne.

Ora 13:09
Tomorr Alizoti ‘shpërthen’ ndaj PS në Kuvend: Lini sekretarët e Enverit të flasin për viktimat e Spaçit! Komunizmi prodhoi banalitet, iu prodhoi juve

Deputeti demokrat, Tomorr Alizoti ‘shpërtheu; në Kuvend teksa flitej për krimet e komunizmit. Pa përmendur emra, Alizoti akuzoi se PS lejon një sekretar të Rinisë në kohën e Komunizmit që të flasë në Kuvend për viktimat e Spaçit. Ish i përndjekur politik, Alizoti foli edhe për vuajtjet e babait të tij. Ndërsa tha se komunizmi në Shqipëri prodhoi banalitet, duke iu referuar Partisë Socialiste.

"Po të ishim në Hungari, Poloni, Estoni sot salla e Kuvendit do ishte plot me njerëz që diskutonin për një mallkim që i ndodhi një populli të vogël. Më vjen shumë keq, sot ndihem keq mbase edhe nga ana emocionale. Unë i kam bredhur kampet e përqendrimit, unë kam qenë në Spaç që fëmijë i vogël, kam qenë në Qafë Bari, kam qenë në Burrel. E kam parë babën tim në moshën 3 vjeçare në kampin e Spaçit, kjo më ka bërë që të filloj nga ana emocionale të merrem edhe me Aushvicin. Si mundet PS që pas 33 vitesh, në këto tema të paktën heshtni ose mos flisni. E dini ju që asnjë pushtues në Shqipëri nuk ndërtoi kampe përqendrimi në këto përmasa, ky nuk është konflikt partiak, as folklorik.

Kjo është fatkeqësia e një kombi të vogël që mori një teori, një doktrinë që vinte nga Gjermania, u përpliua nga Lenini, nga Stalini, nga kriminelët më të mëdha të botës që vranë miliona njerëz dhe ja sollën një populli të vogël. Sekretarët e Rinisë guxojnë sot të flasin për të vdekurit e Spaçit, të flasin sot për Tom Ndojën që i nxorën sytë dhe eksperimentuan, flasin sot për nënat që nxisnin maloret e Spaçit, ju guxoni sot të flisni. Po ju duhet të heshtni për 1 mijë vjet për ca i keni bërë këtij kombi. Më jepni 5 minuta të flas për 500 mijë vuajtje të kombit shqiptar, për Qafën e Barit. Po është mëkat se i ka ndodh kombit shqiptar, nuk i ka ndodh Alizotit se Alizoti është një individ. Ju lini sekretarin e Rinisë së Kohës të komunizmit, flisni këtu për antikomunizmin.  Komunizmi arriti një gjë në Shqipëri dhe është i suksesshëm, prodhoi banalitet, ju prodhoi juve. Ju jeni banaliteti i Shqipërisë. Kolegë të nderuar kush e ndjen, një minutë heshtje për ata që janë pa varre dhe i vrau komunizmi”, tha Alizoti.

Në fund të fjalës, me kërkesë të Alizotit u mbajt 1 minutë heshtje për viktimat e komunizmit të cilët ende nuk dihet se ku janë trupat dhe janë pa varre.

Edhe pse në Kuvend kishte shumë pak deputetë, Balla tha se kjo është një tallje me viktimat, pasi një gjë e tillë duhet të ndodhë ndërkohë që salla duhet të ishte plot me deputetë.

“Ta fillosh fjalën në Kuvendin e Shqipërisë me ankesën që nuk ka deputetë në sallë, pra të konstatosh mungesën e seriozitetit dhe ta mbyllësh fjalën me kërkesë për të kërkuar një minutë heshtje, është tallja më  e madhe që mund t’u bësh atyre për të cilët, pa dyshim kjo sallë duhet të jetë plot, me 140 vetë, të çuar të gjithë në këmbë, me himnin e Flamurit edhe për t’i mbajtur minutën e heshtjes, të cilin duhet ta bëjmë “minutë heshtjeje”, “60 sekonda”! E jo të çohemi aty 5 sekonda sikur po lajmë gojën! Kjo është tallja më e madhe. Kaq, sa i përket procedurës parlamentare.”, tha Balla.

Ora 12:58
'Historia e PD-së si filmi Vdekja e Kalit', Petro Koçi: E njëjta dorë bëri 14 shtatorin, 21 janarin dhe hodhi molotovin pardje

 

Deputeti socialist Petro Koçi mbajti fjalën e tij në foltoren e Kuvendit ku kujtoi dhunën e Sali Berishës në zgjedhjet e 96 dhe është e njëjta dorë që vijon ende në PD, teksa para dy ditësh u hodh një molotov në protestën e opozitës para bashkisë që rrezikoi jetën e gazetarëve.

'E gjithë historia e PD-së është si te filmi ‘Vdekja e Kalit’ ku komisari politik u shndërrua në shef politik të opozitës së atëhershme,. Një ekstremist ideologjik që i tillë mbeti edhe pasi u ndryshua edhe forma e regjimit. Dje ka qenë 29 maj. 30 vjet më parë ka ndodhur masakra e Libofshës, ku falangat e bandave të Fierit të strukturuara në shtabin elektoral të Partisë Demokratike masakruan gjithë komisionerët e PS-së, njerëzit e thjeshtë, burra apo gra, të cilët jo vetëm pësuan fyerje të dinjitetit të tyre por edhe gjithë procesi u shndërrua në një falsifikim të pistë, të ndyrë elektoral duke vjedhur të gjitha votat dhe duke kthyer rezultatin e përgjakur në disa proces verbale.

Është e njëjta dorë që bëri 14 shtatorin, është e njëjta dorë që bëri 21 janarin. Është e njëjta dorë që hodhi molotovin pardje, e njëjta dorë dhe vazhdon komunisti i Partisë së Punës të jetë lideri shpirtëror gjoja i Partisë Demokratike edhe sot në vitin 2024. Jam dakord që lufta e klasave ka qenë një luftë e padenjë për një shoqëri civile. Janë masakruar njerëz, janë vrarë. Por edhe lufta antikomuniste e klasave ka qenë e padenjë.

Dua tju kujtoj se para pak kohësh ju fik jeta, gazetarit Zamir Dule. Gazetari u masakrua nga regjimi i Berishës dhe pasojat e atij masakrimi e çuan të humb jetë në një moshë relativisht të re. Por fati i tij është edhe i Remzi Hoxhës, dua të kujtoj vëzhguesit dhe komisionerët e PS në të gjithë vendin në vitin 96.', deklaroi deputeti Petro Koçi nga foltorja e parlamentit. 

Ora 12:48
Flutura Açka vendos fotot e Stalinit dhe Leninit në sallën e Kuvendit: Ish- të përndjekurve u kemi lidhur duart

 

 

Në shenjë proteste, deputetja e PD Flutura Açka ka vendosur fotot e Stalinit dhe të Leninit në sallën e Kuvendit.

Duke folur për raportin e Institutit për Krimet e Komunizmit në Kuvend, Açka u shpreh se të dyja palët politike kanë bërë padrejtësi ndaj ish- të përndjekurve.

“Të dy palët politike kemi luajtur me ish-të përndjekurit, ne të djathtët me arnime ligjesh, me duartrokitje, e duke ua përdorur kauzat dhe votat, dhe ju të majtët, mbase me të drejtën tuaj ideologjike, i keni ndarë dhe përçarë në mënyrë perfide, bashkë me përdëllimet se po i dëmshpërbleni në këta dhjetë vite e fundit, kur dihet mirë se ky është një kusht i prerë i qartë për të hyrë në Europë.

Atje kemi shumë zell të shkojmë me gjithë barrën e 1430 shekujve burg që kanë vuajtur një pjesë e qytetarëve te këtij vendi, shqymje nga trupi ynë shoqëror që nuk u quajt kurrë me emrin e vërtetë: gjenocid”, tha ajo.

 

Açka tha se me burokracirat që janë bërë, ish-të përndjekurit nuk kanë marr dëmshpërblimin që u takon.  

“Ata kishin më shumë nevojë për dashurinë tonë, dhe detyrimin që ne të ndërtonin Institucionin e Rehabilitimit të plotë, sa kohë nuk ua kthejmë dot ato 1430 shekuj jete të privuar.  Ua kemi lidhur duart sërish me vendime që e pengojnë zbatimin e ligjit. Sepse ua kemi plasur shpirtin me burokracira që të mos e marrin dëmshpërblimin.  Sepse ua kemi fshirë dhe po ua fshijmë me tërbim të gjitha shenjat vuajtjeve të tyre, burgjeve, kampeve, dosjeve, dëshmive.  Sepse nuk i kemi treguar me gisht vrasësit, dhunuesit, persekutorët e tyre. Shikoni Shtëpinë e Gjetheve, turpin tonë ku i kemi fshirë me të bardha keqbërësit politikë”, tha ajo.

1717066344_acka.jpg

S.B/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • PRIFESOR XHAVIT KARAI: 11/06/2024 15:00

    Shikoni wc Tomor Alizotin çfar fundrrine proteston me gjoja inat. Në një koh që Tomor Alizoti shefin e tumij Sali rëmpallën e ka pas sekretar partie, e Tomor Alibytha është ushtai Saliut. O zot hapu dhe dhe futu o Tomir Alibytha.

    Përgjigju
  • Beni: 31/05/2024 05:21

    Sali Berisha ishte antar i PPSH dhe sekretar ca kohe i nje prej degeve te saj ne Spitalin e Tiranes. Ai lindi ne fshatrat e Tropojes dhe universiteti e solli ne Tirane. Ishte student i shkelqyer dhe mjek kompetent. Edi Rama nuk ishte sekretar partie por babai i tij ishte anetar i byrose politike. Superstruktures me te larte politoke qe mbante te kapur shtetin. Ai lindi ne Tirane. Ishte ne rrethin e nomeklatires dhe grumur per kuader. Vetiu universiteti per te ishte i hapur. Ndryshe nga Berisha qe per karriere bente perpjekje ekstreme per tu servilosur ne sistem, Rama nuk.kishte nevoje: familja e tij dhe te ngjashmet ishin sistemi. Dhe vazhdojne te jene. Kjo eshte trashegimia me negative edhe sot e komunizmit.

    Përgjigju
  • Maks: 31/05/2024 05:00

    Po te perndjekurit ne kohen e demokarcis do demshperblehen ndonjehere Sepse na late papune e pa buke Sa morem rrugen e kurbetit ne mosh te thyer

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë