TIRANE-Komisioni Europian ka miratuar raportin për Shqipërinë duke kërkuar në konkluzione rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, krimit të organizuar, ndalimin e fenomenit azilit, ndërsa e vendos theksin edhe te terrorizmi. Raporti hapet me fenomenin e azilkërkuesve, ku thuhet se numri i kërkesave të pabaza për azil në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, vazhdon të jetë burim shqetësimi duke kërkuar një angazhim më të fortë të autoriteteve shqiptare. Pavarësisht se ende ekziston, fenomeni në 4 vitet e fundit ka ardhur në ulje, thuhet në raport, ndërsa në 2019 ka pasur 5% më pak se në 2018 aplikime.
"Migrimi i shtetasve shqiptarë vazhdon të jetë më i larti nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Numri i kërkesave për azil të paraqitur nga shtetasit shqiptarë në Shengen vazhdoi të ulet për vitin e katërt me radhë, me 18.555 aplikime të paraqitura në vitin 2019 krahasuar me 19.615 aplikime të paraqitura në 2018. Kjo paraqet një rënie prej 5%. Në tremujorin e parë të vitit 2020 u raporton 2,895 kërkesa për azil, 44% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Ka pasur edhe një ulje të nivelit të kthimit. Kërkesat e pabaza të azilit të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së mbeten një çështje që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe thelbësore nga autoritetet shqiptare. Shqipëria ka forcuar përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës për të drejtat dhe detyrimet e regjimit pa viza, si dhe gjobat për shkelje të këtyre detyrimeve". Në raport evidentohet edhe kërkesa e Holandës për pezullimin e vizave për Shqipërinë vitin e kaluar. "Komisioni konsideroi se rrethanat për të vendosur mekanizmin e pezullimit të vizave për Shqipërinë nuk përmbushen".
Krimi shqiptar është një tjetër problem që theksohet në raport, i ngritur më parë nga Holanda si shqetësim. "Grupet e krimit të organizuar që flasin shqip janë veçanërisht aktivë në një gamë të gjerë veprimtarish kriminale në BE, megjithëse ato nuk mund të lidhen me Shqipërinë ose me vetëm shtetasit shqiptarë". Një vend në raport zë edhe Anti Normativ anti-KCK që miratoi qeveria. "Në janar të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një paketë legjislative për të prezantuar masat parandaluese për të forcuar luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke u përqendruar në veçanti në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale". Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka publikuar raportin në faqen e tij në Twitter, ndërsa kërkon që theksi të vendose në fusha specifike si siguria dhe migracioni.
Pjesë nga raporti për Shqipërinë
Shqipëria ka ndërmarrë veprime dhe ka bërë progres në zbatimin e veprimeve për të trajtuar migrimin e parregullt, përfshirë kontrollet kufitare. Përkundër uljes së shkallës së kthimit, bashkëpunim i mirë ripranimi vazhdoi dhe duhet të mbahet, si dhe bashkëpunimi me BE dhe shtetet anëtare mbi migracionin dhe sigurinë. Në të njëjtën kohë, duhen përpjekje të mëtejshme për të të siguruar përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve, veçanërisht në lidhje me aplikimet e pabazuara për azil dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Fokusi duhet të vendoset;
Rritje të masave për të adresuar migrimin e parregullt dhe kërkesat e pabazuara të azilit të shtetasve shqiptarë, përfshirë përmes identifikimit dhe adresimit të arsyeve themelore dhe organizimi i fushatave të mëtejshme informative mbi të drejtat dhe detyrimet në udhëtimet pa viza.
Ruajtja dhe forcimi i bashkëpunimit operativ proaktiv me agjencitë e BE-së dhe me shtetet anëtare të BE-së për përballimin e presionit migrator me origjinë nga Shqipëria, si dhe rendi publik dhe kërcënimet e sigurisë të paraqitura nga përfshirja e shtetasve shqiptarë në grupet e krimit të organizuar.
Përmirësimi i efektivitetit të përpjekjeve të ndjekjes penale dhe zbatimit të ligjit për të luftuar korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar. Përmirësimi i regjistrave të rasteve në lidhje me pastrimin e parave / kundër terrorizmit, financimin dhe shfrytëzimin e plotë të mbështetjes së dhënë nga Komisioni për të forcuar kapacitetet për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë -Raporti i KE-së për Shqipërinë