Deputeti Ivi Kaso, në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet për raportin e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar, tha se ky institucion po kthehet në një institucion pa zë dhe dinjitet. Sipas tij, kërkesa e tyre për shkarkim nuk ka të bëjë me një aksion tjetër të opozitës, por është një thirrje për të bërë një përpjekje të përbashkët për të ndaluar rrëshkitjen e Kuvendit, si organi më i lartë në vend, në një “institucion të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët”.
Kaso tha gjithashtu se nuk po kërkojnë thjesht ndëshkimin e Peleshit, por rikthim në standartet institucionale.
“Sot nuk jemi në një seancë me rend dite të zakonshëm dhe për të bërë debat por për të adresuar një zgjidhje në të cilën kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion formal, pa zë dhe pa dinjitet, dhe kjo nuk po vjen si pasojë e ndonjë sulmi apo krize të jashtme, por i mënyrës se si po drejtohet ky institucion nga kryetari Peleshi. Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, zoti Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik. Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshkitje të rrezikshme të këtij kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standarteve institucionale.”, tha Ivi Kaso.
Teksa i renditi, Kaso tha se këto shkelje nuk mund të justifikohen me procedurë.
“Shkeljet e sipërpërmendura nuk mund të justifikohen me procedurë. Nuk ka rregull që mund të shërbejë si mbulesë për dhunimin e thelbit të parlamentarizmit, në fakt pretendimi se procedura është respektuar, është bërë refreni mbrojtjës i kryetarit të Kuvendit. Procedura nuk është qëllim në vetvete, ekziston për të garantuar të drejtën dhe jo mohuar atë. Kur përdoret për t’i mbyllur gojën opozitës, nuk është më procedurë por abuzim.”, shtoi ai.
Lajmi kryesor:
Me 79 vota kundër, rrëzohet kërkesa për shkarkimin e Peleshit! PD nuk merr pjesë në votim! Kryetari i Kuvendit: Jeni përçarës











