Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi Oana Cristina-Popa i dorëzoi Presidentit Millo Gjukanoviq raportin vjetor të progresit të Komisionit të Bashkimit Evropian.
Në Raport vend kyç zenë tensionet dhe mosbesimi ndërmjet aktorëve politik. Komisionit Evropian (KE) thotë se polarizimi ndërmjet shumicës dhe opozitës ka qenë i pranishëm gjatë tërë vitit 2020 dhe është intesifikuar më shumë pas zgjedhjeve. Mungesa e angazhimit konstruktiv të të gjithë aktorëve parlamentarë, ka penguar që të ketë dialog politik, duke e polarizuar edhe më tej spektrin politik. Po ashtu në raport përmendet dhe bojkotimi i seancave parlametare nga ana e deputetëve të shumicës gjatë këtij viti.
Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Cristina-Popa, në një konferencë me gazetarë tha, se: "Parlamenti duhet të përfshihet në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës si dhe të finalizojë pa vonesë emërimet gjyqësore dhe parlamenti duhet të dëshmojë se është i përkushtuar në agjendën e reformave evropiane”. Ajo më tej duke iu referuar raportit nënvizoi, se ”Mali i Zi ka bërë pak përparim në luftën kundër korrupsionit që është i pranishëm në shumë fusha dhe krimit të organizuar dhe se në reformat kyçe të gjyqësorit nuk është shënuar përparim”. Raporti po ashtu flet edhe për kontrabandën e cigareve dhe larjen e parave të pista.
Reagime të sektorit joqeveritar dhe të opozitës
Komisioni Evropian në raportin e tij ka vërtetuar që Malit të Zi domosdoshmërisht i duhen reforma rrënjësore dhe rekomandimet duhen kuptuar si thirje e fuqishme e të gjithë aktorëve në shoqëri, veçmas partitë politike duhet t'i përkushtohen detyrimeve të integrimeve evropiane”.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, thotë, se "se ngecja në procesin e bisedimeve duhet të tejkalohet duke konsoliduar strukturat negociuese dhe kthimin e autoriteteve ekzekutive në dinamikën e procesit negociues, dhe se agjenda evropiane duhet të jetë prioritet absolut i secilës qeveri. Presidenti vlerësoi objektivitetin e raportit që sipas tij "fatkeqësisht paraqet fotografinë depresive të Malit të Zi që urgjentisht duhet ta ndryshojmë”.
Kryetari i Partisë Socialdemokratike, Rashko Konjeviq, thotë se raporti i KE për Malin e Zi është nga më kritikët deri më tani. "Qeveria ka bërë hap prapa në procesin e integrimit. Mali i Zi duhet urgjentisht të ketë një qeveri të re, e cila do të "zhbllokojë bisedimet dhe do të përshpejtojë rrugën e Malit të Zi drejtë BE-së./ DW