Raporti i SPAK: Veçoritë e grupeve kriminale shqiptare nga Shkodra, në Vlorë! Harta ku veprojnë! Të përfshirë dhe biznesmenë të fuqishëm, lidhje me policë e funksionarë të drejtësisë

TIRANE- SPAK publikoi sot raportin për vitin 2023 ku disa faqe i dedikohet krimit të organizuar, veçorive të përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare si veprojnë dhe karakteristikat e tyre.

“Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar” thuhet në raportin e SPAK. Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.

Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit. Vihet re që në qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.

Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të grave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Kryesisht ata, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminal që merren me administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave.

Në raport thuhet se janë evidentuar grupe kriminale të specializuara në vrasjet me pagesë. 

Grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri kanë dhe shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe. Ndërkohë vihet re dhe kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023

SPAK evidenton se në disa raste janë edhe lidhjet e krijuara me përfaqësues të policisë së shtetit qoftë në nivel lokal, por dhe qendror, të cilët kanë ndihmuar grupet kriminale kryesisht në dhënien e informacioneve apo ndjekjen e lëvizjeve të kundërshtarëve të tyre.  Një veçori tjetër, është edhe përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm kryesisht në nivel lokal të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit kyç.

3335 numra celularë janë përgjuar nga SPAK, për llogari të 186 procedimeve penale, për korrupsion, e grupe kriminale. Kreu i SPAK raportoi sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë mbi aktivitetin e kësaj prokurorie të posaçme për vitin 2023.  

Pjese nga raporti i SPAK 2023

Veçoritë e përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare

Nga analiza e hetimeve të kryera në vitin 2023, veçoritë më specifike të grupeve kriminale shqiptare janë një anëtarësi mesatare e pjesëtarëve të grupit prej 15-25 personash. Grupet kriminale shqiptare janë kryesisht poli-kriminale, ku përfshihen kryesisht trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit etj.

Dhuna, e cila është një veçori në zbehje mbetet një karakteristikë tjetër e grupeve kriminale shqiptare.

Kryesisht dhuna përdoret nga grupe me strukturë hierarkike, të cilat bazohen në lidhje gjaku dhe familjare, dhe të cilat janë në konflikt për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale. Grupet shqiptare të cilat e kanë këtë veçori, janë kryesisht grupe, të cilët kanë aktivitet të konsoliduar në një territor të caktuar, por të cilat kanë gjithashtu shtrirje dhe aktivitet kriminal edhe në tregjet kriminale ndërkombëtare.

Në rastet e kryerjes së veprimtarisë në tregjet ndërkombëtare kriminale, grupet shqiptare bashkëpunojnë edhe më grupe të tjera për shërbime të cilat nuk mund të mbulohen prej tyre.

Vërehet gjithashtu një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtar të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm, dhe aktivitetet të tjera në pengimin e drejtësisë.

Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë edhe Kryetarët e Fshatrave (kryepleqtë), të cilat janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin.

Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale.

Format e sofistikuara të vrasjeve, duke shmangur lënien e gjurmëve janë një tjetër karakteristikë e grupeve kriminale.

Tashmë janë evidentuar grupe kriminale të specializuara në vrasjet me pagesë. Vihet re gjithashtu, përdorimi gjithnjë e më në rritje i formave të koduara të komunikimit duke përdorur aplikacione të ndryshme dhe aparate telefonike të specializuara për të tilla komunikime.

Kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023. Duhet cilësuar se ky fenomen është vënë re më së shumti tek grupet kriminale, të cilat kanë kryer

transaksione me anë të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet aktiviteteve tregtare të ashtuquajtura "call center".


Foto: Nga raporti i SPAK
 

Grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri
Struktura e këtyre grupeve varet kryesisht nga lloji i aktivitetit kriminal, kohëzgjatja, zona ku veprojnë dhe shtrirja e tyre në tregjet kriminale ndërkombëtare.  
Nga hetimet e vitit 2023, vihet re se disa nga grupet kriminale të njohura në vend, tashmë tregojnë sa kanë arritur të sofistikojnë veprimet e tyre, kjo dhe si rezultat i përplasjeve me grupet e tjera rivale. Këto grupe janë poli- kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe.

Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm. Struktura e këtyre grupeve kriminale është hierarkike me ndarje të qarta rolesh, dhe me një numër mesatar anëtaresh prej 10-15 personash. Lidhjet e tyre bazohen në lidhje familjare dhe shoqërore. Pjesa vendimmarrëse bazohet tek lidhjet familjare.

Siç u cilësua më lart, ajo që vihet re në disa raste janë edhe lidhjet e krijuara me përfaqësues të policisë së shtetit qoftë në nivel lokal, por dhe qendror, të cilët kanë ndihmuar grupet kriminale kryesisht në dhënien e informacioneve apo ndjekjen e lëvizjeve të kundërshtarëve të tyre. Një veçori tjetër, është edhe përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm kryesisht në nivel lokal të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit kyç, ku përveç marrëdhënieve tregtare, ju kanë ofruar këtyre grupeve lidhjet e tyre në policinë e shtetit, organet e drejtësisë dhe administratës publike, kryesisht në dhënien e informacioneve ose kontakteve me të tretët.

 



Foto: Nga raporti i SPAK

Harta e tregjeve kriminale
Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar.
Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.

Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave.

Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit.

Në disa qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.

Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Këto vepra penale janë tregues i një tendence në rritje të dhunës dhe kriminalitetit në këto zona. 

Në zonën e Fushë-Krujës, evidentohen gjithashtu raste të blerjes së armëve dhe lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve.


Foto: Nga raporti i SPAK

[Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë]

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:55
Krimi i organizuar po përdor shoqëritë tregtare për pastrimin e parave, SPAK tregon skemën

Në raportin e SPAK zbulohet dhe forma që po përdor krimi i organizuar për pastrimin e parave. Në raport thuhet se ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare si dhe investimi në prona të paluajtshme dhe depozitime në llogari të ndryshme bankare.

Pjese nga raporti i SPAK 2023 

Pastrimi i parave

Pastrimi i parave vijon të mbetet një ndër krimet më të përhapura tek grupet kriminale shqiptare. Vihet re se, ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare, të cilat shërbejnë për të marrë dhe transferuar paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive kriminale, duke i shpërndarë ato nëpërmjet investimeve dhe transaksioneve tregtare të rregullta. Investimet në prona të luajtshme (mjete motorike, veshje luksi, ora të markave të shtrenjta, bizhuteri, pajisje kompjuterike etj.) dhe pasuri të paluajtshme mbeten ende ndër format më të preferuara të pastrimit të parave, kryesisht në apartamente, ndërtesa, truall, pemishte, njësi shërbimi etj. qoftë në qytetin e Tiranës, por dhe në zonat turistike bregdetare (Vlorë, Durrës dhe Lezhë). Vihet re dhe një numër i konsiderueshëm i depozitimit të parave, të cilat dyshohen se janë produkte të veprave penale në llogari të ndryshme bankare, që kryesisht janë në emra shoqërish tregtare ose personave fizik, të afërm të të dyshuarve.

 

Pastrimi i parave nga organizatat kriminale ndërkombëtare

Duhet cilësuar se, një nga skemat komplekse të pastrimit të parave është ajo e përdorimit të institucioneve shqiptare bankare, si vend tranziti dhe përdorimi i subjekteve tregtare shqiptare, si “ndërmjetëse” të pastrimit të parave nga organizatat kriminale ndërkombëtare, siç është rasti i mafias Italiane.

Përfaqësuesit e bizneseve të ligjshme shqiptare në rolin e “ndërmjetësve” profesionistë kanë ndihmuar në krijimin e aksesit në sistemin bankar shqiptar, i cili do të përdorej për të kryer “shtresëzimin” e transfertave bankare për të kaluar ato më pas në vende të tjera.

Rasti me tipik është ai i një individi, i cili pastronte para për llogari të Cosa Nostra në Itali. Skema e pastrimit të parave konsistonte në kalimin e parave nga fondacioni i themeluar prej tij me qendër në Lihtenshtajn, por me llogari bankare të çelur në Zvicër. Paratë fillimisht u transferuan nga llogaria e fondacionit në llogarinë e tij personale, po në të njëjtën bankë në Zvicër. Prej aty, me lidhjet e krijuara me një shoqëri tregtare në Shqipëri, e cila luante rolin e “ndërmjetësuesit” profesionist, paratë do të vinin fillimisht në llogarinë e tij personale të çelur në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.

Me pas këto para do t'i kalonin shoqërisë tregtare shqiptare, që merrej me tregtinë e karburanteve në formë huaje dhe kjo kompani do t'i transferonte në Hong Kong tek një shoqëri tjetër tregtare, që do të shërbente si "garantuese” për kryerjen e transanksioneve fiktive për blerje karburantesh.

Për këtë shërbim shoqëria tregtare shqiptare do të përfitonte 16% (afërsisht 3 milion Euro) të vlerës së parave që do të pastroheshin.

 

Ora 19:28
Dumani: Janë përgjuar 3335 persona gjatë vitit 2023

1712225824_altindumani.jpg

Altin Dumani

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndryshe njohur si SPAK, Altin Dumani, gjatë pasqyrimit të punës së institucionit që drejton për vitin 2023 para KLP, deklaroi se vetëm gjatë këtij viti në kuadër të hetimeve te ndryshme janë përgjuar 3335 persona.

Dumani bëri me dije se 1899 prej tyre janë përgjuar për hetime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa 1436 persona janë përgjuar për korrupsion.

“Sipas të dhënave gjatë vitit të kaluar SPAK ka përgjuar 3335 persona, ku 1899 janë përgjuar për hetime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa 1436 persona janë përgjuar për korrupsion”,- tha ai.

Gjithashtu Dumani theksoi se 18 zyrtarë të lartë janë vënë nën lupën e SPAK përgjatë vitit 2023, mes të cilëve përfshihet edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

“Me konkretisht, gjate vitit 2025, Prokurora Posaçme ka regjistruar si çështje kryesisht 67 procedime penale me 23 persona në hetim, çfarë përbën një tregues pozitiv në rritje të numrit të kësaj kategorie hetimesh, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2022, ku ishin regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim.

Një tjetër metodë proaktive për ndjekjen e hetimeve penale e cila vijon të intensifikohet dhe rritet, është cilësuar bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë nëpërmjet krijimit të Skuadrave të Përbashkëta Hetimore, ku vetëm në vitin 2023 janë krijuar 10 prej tyre ndërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe shteteve të huaja, në funksion të hetimeve të Prokurorëve të Posaçëm, nga 25 Skuadra të cilat janë aktive në total në Prokurorinë e Posaçme që nga krijimi i saj.

Po kështu duhet cilësuar se ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit proaktiv, në rastin e përgjimeve telefonike, por është rritur gjithashtu edhe aplikimi i metodave të posaçme te hetimit si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro i provave materiale, letërporosi, agjentë të infiltruar etj.

Gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 186 procedime penale ku janë interceptuar 3335 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim), ku vërehet rritje krahasuar me vitin 2022.

Në vitin 2023, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 109 procedime penale ku janë interceptuar 1436 pajisje fundore, nga 69 procedime penale dhe interceptuar 1023 pajisje fundore, të aplikuara ne vitin 2022.

Ndërkohë për çështjet penale të hetuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë përdorur metoda të posaçme hetimore në 77 procedime penale, ku janë interceptuar 1899 pajisje fundore, nga 53 procedime penale janë interceptuar 1154 pajisje fundore, të aplikuara në vitin 2022.

Gjatë vitit 2023, SPAK ka mirëmbajtur lidhjet për të gjithë sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave ku ka pasur akses më parë dhe gjithashtu ka marrë akses edhe për baza të dhënash të tjera si:

Sistemi "ASYCUDA" nga Drejtoria e Përgjithshme me e Doganave;

Sistemi "ISSH" nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;

Sistemi C@ts nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

Sistemi i Fiskalizimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Në mënyrë të përmbledhur, krahasimisht me vitin 2022 ka një rritje të hetimeve të nisura kryesisht prej 139%, ndërkohë që ka një rritje prej 91% të interceptimit të pajisjeve fundore si dhe ka një rritje me 95% për kërkesat për ndihmë juridike për jashtë vendit”,- thuhet në raport.

Ora 18:06
Raporti i SPAK: Janë krijuar grupe të specializuara për vrasje me pagesë! Si veprojnë, nga porosia, blerja e armëve tek ekzekutimi

1711464274_aaaaass.JPG

SPAK vë në dukje se grupet kriminale shqiptare janë sofistikuar, ndërkohë që janë krijuar grupe të specializuara për vrasje me pagesë.

Në raportin e SPAK për vitin 2023, evidentohet se ata janë grupe të cilat veprojnë në qarqe të ngushta me 4-7 anëtarë, ku njëri ose dy prej tyre mund të konsiderohen persona kyç të cilët pasi marrin porositë bëjnë planin e ekzekutimit. Komunikojnë përmes platformave të koduara si, SKY/ECC dhe Encrochat. Armët e zjarrit blihen në tregun e zi (p.sh. në Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan etj, ndërsa eksplozivin në Kosovë.


Një veçori tjetër që spikat në lidhje me rritjen e sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare është krijimi i grupeve të specializuara në vrasjet apo aktet e tjera kriminale të porositura nga të tretët.

Këto grupe kriminale janë të fokusuara në disa vepra penale tipike si, vrasjet ose plagosjet me pagesë, ushtrim dhune, shkatërrim prone, grabitje me dhunë etj.

Organizimi i tyre është në baza shoqërore dhe kryesisht anëtarët e këtyre grupeve kanë një të shkuar kriminale.

Për shkak të ruajtjes së lartë të fshehtësisë së vrasjeve me pagesë dhe nevojës për veprime, të cilat kërkojnë zgjidhje momentale të shumta, këto grupe nuk kanë një strukturë hierarkike të qartë, pasi janë grupe të cilat veprojnë në qarqe të ngushta, me 4-7 anëtarë, ku njëri ose dy prej tyre mund të konsiderohen persona kyç.

 Këta të fundit marrin porositë dhe bëjnë planifikimin e kryerjes së akteve kriminale.

Më pas ndahen detyrat dhe kryhen veprimet. Këto grupe janë poli-kriminale dhe përveç marrjes së porosive për vrasje, kryejnë aktivitete të tjera kriminale edhe për llogari të grupit të tyre kriminal.

Ndër aktivitetet kriminale më të preferuara pas vrasjeve, janë vjedhjet dhe grabitjet me dhunë të sendeve me vlerë (metale të çmuara), si dhe grabitjet e zyrave të shkëmbimit valutor. 
Mjetet e krimit sigurohen në tregjet kriminale, p.sh. eksplozivët sigurohen në Kosovë, makina ose motorë të vjedhur, të cilët rezultojnë të tilla në qytete të ndryshme të vendit dhe armët e zjarrit blihen në tregun e zi (p.sh. në Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan etj.)

Komunikimet midis anëtarëve të grupit në lidhje me aktet kriminale kryhen nëpërmjet platformave të koduara si, SKY/ECC dhe Encrochat.

Ora 17:37
Trafiku i armëve, SPAK: Në Kosovë blihet eksplozivi për vrasjet me pagesë! Grupet shqiptare jashtë po porosisin pistoleta

1707129304_tritol.jpeg

Foto arkiv

Sa i takon trafikut të armëve, SPAK evidenton një tendencë në rritje të grupeve kriminale, që veprojnë jashtë vendit të cilët po porosisin armë zjarri të llojit "pistoletë" ndërsa lëndët shpërthyese po blihen në Kosovë.

"Trafiku i armëve është një aktivitet tjetër kriminal, i cili shoqëron kryesisht grupet e përfshira në trafikun e narkotikëve dhe që karakterizohet nga përdorimi i lartë i dhunës.
Përdorimi i eksplozivit vijon të mbetet një ndër mjetet e përdorura për vrasjet e porositura. Kohëve të fundit vihet re, një tendencë në rritje e grupeve kriminale, që veprojnë jashtë vendit të cilët po porosisin armë zjarri të llojit "pistoletë". Vihet re gjithashtu, një tendencë e blerjes së lëndëve shpërthyese në Kosovë" thuhet në raportin e SPAK. 

Ora 17:22
Trafiku i drogës: Grupet kriminale shqiptare konkurruese me drogën e cilësisë së lartë! Aktive në tregun e BE-së e Britani! Porti i Durrësit mbetet pikë tranziti

Foto: Rrugët e trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut

Nga analiza vitit 2023 SPAK evidenton se grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri kanë dhe shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe.

Janë dy lloje kategorish grupesh kriminale, që ushtrojnë këtë aktivitet kriminal:
1- grupet kriminale të specializuar në trafikun e kokainës
2- grupet kriminale të cilët merren me trafikun e të gjitha drogave kryesore (kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash).

Ato janë aktive në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të porosive, ose degëve të tyre në tregjet kriminale të mësipërme. Ndërsa kanë një prezencë ose lidhje të fortë në rrethin e Durrësit për shkak dhe të portit, i cili ka qenë dhe vijon të mbetet një pikë tranziti për drogën, që vjen nga Ballkani Lindor dhe shkon drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

Jo vetëm kaq cilësia e drogave që ata trafikojnë është shumë e lartë duke qenë në avantazh konkurrues ndaj grupeve kriminale të kombësive të tjera.

Pjesë nga Raporti i SPAK

Këta grupe janë aktive në tregjet kriminale të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, kryesisht Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani.

Grupet kriminale të cilat merren me trafikimin e të gjitha drogave kryesore:
Këto grupe janë aktive në tregjet kriminale të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, kryesisht Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani.

Vihet re se, këto grupe kriminale kanë një prezencë ose lidhje të fortë në rrethin e Durrësit. Për shkak të portit më të madh në vend, qyteti i Durrësit ka qenë dhe vijon të mbetet një pikë tranziti për drogën, që vjen nga Ballkani Lindor dhe shkon drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

 Grupet kriminale të kësaj kategorie trafikojnë sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuane, por më pak sasi heroine.
 

Ajo që duhet nënvizuar është se, cilësia e drogave të trafikuara nga këto grupe kriminale është e një cilësie të lartë, gjë e cila është edhe një avantazh konkurrues i tyre ndaj grupeve kriminale të kombësive të tjera.

 Duke u nisur nga mesatarja e anëtarësisë së grupeve kriminale shqiptare, këto grupe mund të kategorizohen si grupe me numër të lartë anëtarësh. Mesatarja e anëtarësisë së këtyre grupeve është mbi 20 persona. Këto grupe kriminale dallohen gjithashtu edhe për jetëgjatësinë e aktivitetit të tyre kriminal, i cili nga momenti i fillimit të aktivitetit kriminal deri në arrestimin e tyre mund të shkojë mesatarisht deri në 7 vite.

 Të tilla grupe kriminale operojnë me një strukturë gjysmë hierarkike, ku drejtuesi i lejon anëtarëve me role kyçe të organizatës të kenë autonomi në vendimmarrjen brenda funksioneve dhe nën strukturave që ata drejtojnë.

Kryesisht drejtuesi, përfaqëson dhe drejton organizatën, kurse anëtarët e tjerë kyç përfshihen në koordinim, transport, trafikim, rekrutim dhe korruptim të zyrtarëve publik, për të pasur akses në pikat hyrëse dhe pritëse të sasive të narkotikëve dhe për të neutralizuar agjencitë ligjzbatuese.

Nga ana tjetër, edhe grupe të tjera kriminale të cilat nuk përfshihen në trafikun e narkotikeve, siç është rasti i “call center” apo i trafikimit të mallrave të kontrabanduara, rezultojnë të jenë shumë të sofistikuar, madje, shumë më të avancuar në teknikat e fshehjes së aktivitetit të tyre kriminal, kjo për vetë natyrën e aktivitetit të tyre, i cili mbështetet në përdorimin e gjerë të teknologjisë.

Grupet kriminale të specializuara në trafikun e kokainës: Grupet kriminale të kësaj kategorie janë kryesisht grupe të përqendruara në Amerikën e Jugut. Më pas, nëpërmjet lidhjeve me grupet kriminale shqiptare, të cilat janë aktive në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të porosive, ose degëve të tyre në tregjet kriminale të mësipërme, marrin përsipër sigurimin dhe sjelljen e sasive të konsiderueshme të kokainës me shumicë dhe të një cilësie shumë të pastër.

Disa nga portet hyrëse të kokainës në tregjet kriminale të BE-së, të cilat janë përdorur nga grupet kriminale shqiptare janë: Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Hollandë), Antëerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi) dhe në rajon (Durrës dhe Tivar). Janë evidentuar edhe rrugë ajrore, siç është rasti i aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Më pas sasitë e kokainës përzihen kryesisht në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe në vendet ku trafikohen për t'u transferuar më pas në tregun e shitjes me pakicë" thuhet në raportin e SPAK faqe  27

Tregjet kriminale ndërkombëtare

SPAK identifikon dhe pozicionin e grupeve kriminale shqiptare nëpër tregjet e botës të trafikut të drogës

Amerika e Jugut
Siç edhe u citua më lart, grupet kriminale janë të pozicionuara në Amerikën e Jugut ku më pas, përmes lidhjeve me grupet kriminale shqiptare të aktivizuara në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, ato arrijnë të eksportojnë sasi të konsiderueshme të narkotikëve dhe të një cilësie të lartë për grupet shqiptare, por dhe ato të kombësive të tjera. Këto grupe kriminale kanë arritur të pozicionohen mjaft mirë në disa shtete të Amerikës së Jugut dhe me sukses po konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase. Vihet re se, grupet kriminale shqiptare, kanë arritur të korruptojnë dhe të kenë akses në nivele të larta qeverisëse, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv.

Bashkimi Evropian
Grupet kriminale shqiptare janë mjaft aktive në tregjet e trafikut të narkotikëve në BE, kryesisht në trafikun e kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit, por dhe në tregje të tjera kriminale si, në trafikimin e mallrave të kontrabanduar dhe kryerja e transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik (call center).

Itali
Grupet kriminale shqiptare janë aktive thuajse në të gjitha rajonet e Italisë, dhe nga hetimet e kryera në bashkëpunim me agjensitë partnere, gjatë vitit 2023 janë evidentuar aktivitete kriminale, të cilat kryheshin në Puglia, Toskana, Lombardi, Piemonte dhe Friuli-Venecia Giulia.

Beneluks
Edhe gjatë vitit 2023, janë evidentuar aktivitete të grupeve kriminale shqiptare në Belgjikë dhe Holandë. Ajo që vihet re është se, këto grupe kanë lidhje ose janë zgjatues të grupeve kriminale shqiptare, të cilët janë rezident në Amerikën e Jugut dhe i përdorin portet e zonës së Beneluksit për të trafikuar më pas kokainën në BE dhe Britaninë e Madhe. Vihet re gjithashtu se, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive edhe në rritjen e plantacioneve me kanabis, kryesisht në Belgjikë, në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antwerp. Në Holandë, grupet kriminale shqiptare janë më aktive në Roterdam, për shkak edhe të portit më të madh hyrës në Beneluks.

Francë
Sipas hetimeve të përfunduara në vitin 2023, u evidentua një grup kriminal shqiptar me një strukturë të organizuar dhe të sofistikuar, i cili operonte në territorin e Francës dhe Shqipërisë në trafikimin e mallrave të kontrabanduara dhe pastrimin e parave. Struktura e këtij grupi kriminal tregon se, edhe tregjet kriminale në Francë përbejnë interes për grupet kriminale shqiptare. Vihet re se, territori i shtetit francez është shfrytëzuar gjithashtu si një vend strehimi nga drejtues të organizatave kriminale të rëndësishme, të cilët i janë fshehur ndjekjes penale në Shqipëri.

Spanjë
Një vend tjetër i BE-së, ku grupet shqiptare kanë qënë aktive është edhe Spanja. Gjatë vitit 2023, janë evidentuar grupe shqiptare të përfshira kryesisht në trafikun e kanabisit dhe në fushën e kryerjes së transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik. Spanja ka shërbyer gjithashtu, si një nga pikat kyçe të lëvizjes së kokainës nga Amerika e Jugut për në tregjet kriminale të BE-së. Kryesisht grupet shqiptare garantojnë sjelljen e sasive të kokainës nga Ekuadori në portet e Spanjës, (p.sh. portin e Algeciras), duke e fshehur atë në ngarkesa produktesh të ndryshme (p.sh. frutash ekzotikë, banane, peshk etj.). Spanja është një ndër vendet, ku gjithashtu, grupet kriminale shqiptare, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, po investojnë në pastrimin e produkteve kriminale.
 

Gjermani
Grupet kriminale shqiptare janë aktivë në trafikun e narkotikëve dhe kryesisht atë të kokainës. Nënvizohet se, një ndër portat hyrëse të sasisë të kokainës është dhe aeroporti i Frankfurtit. Gjermania përveç importit të kokainës dhe heroinës, vijon të shërbejë edhe si destinacion i

përzierjes së drogave të forta, të cilat trafikohen më pas në të gjithë BE-në. Vihet re gjithashtu se, ndër viktimat kryesore të aktivitetit kriminal të transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik janë edhe shtetas gjerman.

Vendet skandinave
Një tendencë e rëndësishëm e shtrirjes së aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në BE, janë dhe vendet skandinave. Grupet kriminale shqiptare në këto vende janë poli-kriminale, por më shumë të fokusuara në trafikun e narkotikëve (kokainë dhe marijuanë) duke u vendosur në një prej këtyre shteteve, siç është Danimarka dhe duke e shtrirë aktivitetin e tyre më pas edhe në tregjet kriminale të Norvegjisë dhe Suedisë. Kryesisht, struktura drejtuese e grupeve që operojnë në këto tregje është hierarkike dhe bazohet në lidhjet familjare dhe shoqërore të cilët kanë funksione vendimmarrëse në organizatë dhe mbikëqyrin anëtarët e tjerë me role dytësore.

Britani e Madhe
Grupet kriminale shqiptare kanë një aktivitet të konsiderueshëm, kryesisht në fushën trafikut të kokainës dhe kanabisit në Britaninë e Madhe. Mendohet se, disa nga këto grupe kriminale mund të konsiderohen ndër ato grupe që kanë influencë shumë të rëndësishme në tregun e kokainës në këtë vend. Në vitet e fundit, grupet kriminale shqiptare janë përfshirë edhe në rritjen e kanabisit në të ashtuquajturat "shtëpitë e barit”, ku bëjnë pjesë një numër i konsiderueshëm të rinjsh. Ajo që është vënë re, nga rastet që ka ndjekur Prokuroria e Posaçme, është rritja e përdorimit të dhunës së grupeve kriminale të përfshirë në rritjen e kanabisit, qoftë në rastin e grabitjeve, por dhe në atë të larjes së hesapeve.

Lindje e Mesme
Vihet re, një prirje e grupeve kriminale shqiptare në zgjerimin e hartës së tyre të tregjeve kriminale edhe në Lindjen e Mesme. Kështu, në të paktën një rast, hetimet treguan se grupi kriminal shqiptar kishte siguruar "kokainë”, “heroinë”,“marijuanë” dhe “risinë”, në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, për ti trafikuar ato më pas drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të tjera të BE-së.

Rajoni
Grupet kriminale shqiptare po përdorin disa porte si pika kyçe hyrëse të kokainës, e cila vjen nga Amerika Latine për të hyrë në rajon dhe për t'u transportuar më pas në BE. Në hetimet e vitit 2023 është evidentuar se, kokaina vjen me kontenier e fshehur në ngarkesa të ndryshme si p.sh. “pleh organik", e cila transportohet nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit të Tivarit, në Malin e Zi. Ngarkesat futen në Shqipëri nëpërmjet transportit në rrugë tokësore , për t'u marrë më pas nga personat e specializuar të transportit dhe magazinimit të kokainës, për të bërë ekstraktimin e saj, duke ruajtur pastërtinë maksimale. Vihet re se, Porti i Durrësit po përdoret edhe nga grupe kriminale të Maqedonisë së Veriut për trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës në Itali dhe më pas në shtete të tjera të BE-së. Zhvillimi i linjave të reja të kokainës nëpërmjet Shqipërisë nga grupet kriminale të Maqedonisë së Veriut tregon se, për këtë trafik po përdoren linja që dikur njiheshin si rrugët e trafikut të heroinës.

S.G/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 05/04/2024 07:47

    E forta eshte se askujt nuk i plas per Spak pasi me denimet qesharake qe u jepet ata jane te gatshem te bejne 3-4 vjet burg me 5 yje duke lene qe ti konfiskohen pasuri qesharake qe nuk jane as 1% e totalit qe kane vene ne 30vjet anarki or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Iris: 05/04/2024 02:11

    A i degjojne keto deklarata per pastrimin e parave Rama e Lali Eri qe japin leje per kulla e pallate majtas e djathtas ? Pastrimi i parave ne real estate duke marre leje ndertimi e duke ndertuar pallate,rezorte e kulla ngjan me ato indulgjencat qe shperndante Vatikani dikur per te pastruar shpirtrat nga mekatet,vecse rolin e Vatikanit tani e luajne shteti dhe bashkite dhe indulgjencat jane sot lejet e ndertimit.Dhe leku sot fluturon kundrejt monedhave te tjera sikur jemi superfuqi dhe z.Seiko thote cdo gje eshte ne rregull,pse te mos thote keshtu guvernatori qe eshte bere me dy gushe e i eshte vjeteruar kolltuku nga qendrimi i tejzgjatur ne ate post.

    Përgjigju
    • Populli: 05/04/2024 13:23

      Shih punen tende atje ku je ne emigrim e lere Vatikanin ne punen e vet.

  • Real Estate: 04/04/2024 17:46

    Kontrolloni REAL ESTATE ne qytetet e medha ,Tirana e para e me rradhe ne qytetet bregdetare Keto agjensi shitblerjesh jane kthyer ne lavatriçe parash te pista.

    Përgjigju
  • Populli: 04/04/2024 16:03

    Afër detit, afër mbretit...

    Përgjigju
  • vilson: 04/04/2024 15:47

    Deri sa i dini ku jane perse nuk i kapni.

    Përgjigju
    • Niku: 04/04/2024 17:44

      Ashtu eshte nje muhabet. Do t'i kapin te gjithe njeheresh.

    • Ramazoni: 04/04/2024 16:59

      Pune mulajeti or Vilson

  • Argita: 04/04/2024 15:45

    Dumani respekt. Mir. Ben. Qe. Gjukon. Ministra. Deputet Drejtor Keta. Persona. Po. Te. Jene. Mbleksur. Le. Ta. Paguajn. Dhe. Te. Marin. Denimin. Personal. Po. C. Far. Po. Gjukoni. Per. Ata. Qe. Hollen. Ne. Ere. Gerdecin. 21 Janarin. Ae. Eshte. Krim. Shtetror. Kesaj. Jepini. Zgjidhje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mbyllja e TikTok, ish ambasadorja e BE-së mbështet nismën: Shqipëria s' ka frikë, nuk qenka kaq e vështirë, Europë

Mbyllja e TikTok, ish ambasadorja e BE-së mbështet nismën: Shqipëria s' ka frikë, nuk qenka kaq e vështirë, Europë