Hetimet e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2025 tregojnë se korrupsioni në institucionet publike mbetet një fenomen shqetësues, i cili përfshin, funksionarë vendorë dhe administrativë, si edhe prokurorë, gjyqtarë, e punonjës policie.
Në institucionet Publike, sipas raportit të vitit 2025 dorëzuar në Parlament nga Prokuroria e Posaçme korrupsioni “është i strukturuar dhe i planifikuar mirë duke përfshirë funksione të ndryshme administrative”.
SPAK përmend posaçërisht legalizimet e pronave dhe prokurimet publike ku sipas organit të akuzës zyrtarët përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejte vlera monetare duke favorizuar procedurat tenderuese, duke bashkëpunuar me kompani të ndryshme për të manipuluar dokumentacionet por edhe vetë fondet limite në mënyrë që përfitimi të jetë sa më i lartë.
Prokurimet publike që vitet e fundit kanë çuar pas hekurave zyrtarë thuajse të të gjitha niveleve, duket se janë pjesa më problematike. Prokuroria e posaçme vë në dukje se procesi i tenderave, në rastet e hetuara prej saj, “manipulohej në çdo fazë nga përgatitja e dokumentacionit deri tek ekzekutimi i kontratës”, pa kursyer edhe projekte me financime të huaja.
“Titullarët e autoriteteve kontraktuese dhe zyrtarët përgjegjës hartonin specifikimet teknike dhe përllogaritjen e fondeve në favor të operatorëve të caktuar, ndërsa ofertat e konkurrentëve keq vlerësoheshin ose eliminoheshin/skualifikoheshin qëllimisht. Kontrolli formal shpesh nuk ishte kryer nga personat kompetentë, duke lejuar një përputhje të planifikuar mes operatorit të preferuar dhe procedurës, ndërsa shpërndarja e fondeve është bërë për shërbime të sajuara ose të zmadhuara artificialisht, duke përfshirë edhe projekte me donatorë ndërkombëtarë”, shpjegon raporti i SPAK-ut.
“Si rezultat, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme, duke cenuar barazinë dhe transparencën”.
Për të përfituar përmes tenderave zyrtarët shtetërorë, sipas SPAK, përdorim dhe kompani private, përmes së cilave realizojnë më pas edhe pastrimin e parave.
Nga hetimet, ka rezultuar se “skema funksiononte përmes krijimit ose përdorimit të kompanive me pronësi nominale, ku ortakët në dokumente nuk ishin përfituesit realë dhe nuk ushtrojnë kontroll efektiv, ndërsa vendimmarrja mbi tenderat dhe kontratat publike mbetej nën ndikimin e personave të fshehur.
Pronësia e kompanive ndryshonte formalisht përmes shitjeve simbolike të kuotave dhe ristrukturimeve të shpeshta, ndërkohë që administratori real mbetej i njëjtë, duke maskuar lidhjet me përfituesit e vërtetë dhe duke shmangur konfliktin e interesit.
Fonde të fituara nga kontratat publike shpërndaheshin më pas tek ortakët nominalë përmes dividendëve, ndërmjetësve financiarë dhe investimeve të strukturuara, duke krijuar një rrjet të ndërlikuar për riciklimin e parave dhe duke e kthyer shoqërinë tregtare nga një operator ekonomik në një instrument mbulues për përfitime të paligjshme”.

Nga viti 2020 deri në fund të vitit të kaluar janë 81 zyrtarë dhe ish zyrtarë ndaj të cilëve SPAK ka ngritur akuzë penale. Vetëm gjatë 2025 SPAK regjistroi procedime penale për 19 zyrtarë të lartë. Bashkë me rastet e mbartura Prokuroria e Posaçme thotë se ka hetuar 30 zyrtarë, nga zv,kryeministrja Belinda Balluku apo ish kryetari i parlamenti, deputetë e ish-deputetë, disa kryetar e ish-kryetar bashkish, e deri tek drejtues agjencish.
Komente











