Sipas raportit, i cili u bën një analizë të hollësishme pasojave të krizës greke në ekonominë tonë, investimet greke kanë rënë nga 53 përqind e totalit në vitin 2006 në 27 përqind në 2011-ën. Kriza ka ndikuar gjithashtu në mënyrë të ndjeshme edhe në marrëdhëniet tregtare.
Importet nga Greqia kanë rënë nga 15 për qind në 11 përqind të totalit, ndërsa eksportet shqiptare drejt Greqisë thuajse u përgjysmuan. Por përveç efekteve negative kriza greke ka ndikuar pozitivisht për depozitat bankare.
Dërgesat e emigrantëve nga Greqia janë rritur edhe pse totali i dërgesave nga jashtë ka pasur rënie. Raporti arrin në konkluzionin se shqiptarët kanë tërhequr depozitat e tyre nga bankat greke dhe i kanë investuar në Shqipëri.
Sipas studimit, tre janë rreziqet kryesore që i kanosen ekonomisë shqiptare nga kriza greke, i pari: është ritmi i kthimit të emigrantëve që mund të sjellë probleme në vend, së dyti: problemet që mund të shkaktohen për eksportet dhe e treta: efektet zinxhir që mund të sjellë në sistemin financiar tërheqja masive e depozitave nga bankat greke.
(gk/Gre.M/Shqiptarja.com)