Draft raporti i Komisionit Europian për shtetin ligjor në Shqipëri, ende konfidencial, por i siguruar nga Report TV, është kritik ndaj qasjes që shumica socialiste pati në rastin e ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kur Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin e saj nën akuzat për shkelje të barazisë në tendera. Në limitet kohorë, socialistët votuan kundër në parlament, ndërsa më herët, kryeministri Edi Rama kishte kryer disa ndryshime në kabinetin e tij, duke e lënë jashtë Ballukun.
“Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancës, si dhe të barazisë para ligjit”, shkruhet në raport.
Përpara se parlamentit t’i kërkohej autorizimi për arrestimin e Ballukut, Gjykata e Posaçme kishte vendosur ndaj saj, ndër të tjera, dhe masën e pezullimit nga detyra. Shumica i ishte kundërvënë haptazi, duke e kritikuar publikisht SPAK-un e duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rastin. Masa mbeti në fuqi pasi Gjykata nuk arriti të dilte me një vendim.
Për Komisionin Europian, pezullimi konsiderohet të ketë qenë “në përputhje me dispozitat aktuale të Kodit të Procedurës Penale”.
Në raport theksohet se kjo masë sigurie e më pas kërkesa për arrestim “shkaktuan reagime të konsiderueshme negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore”.
Komisioni vë në dukje më tej, se “sipas standardeve evropiane, të gjitha pushtetet e shtetit duhet të nxisin dhe mbrojnë besimin e publikut të gjerë në institucionet kushtetuese, përfshirë gjyqësorin”.
Në raport komentohet dhe nisma e firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe dy eksponentët socialist Taulant Balla dhe Ulsi Manja, për një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, e cila synon zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga funksionet e tyre, si masë paraprake, gjatë procedurave gjyqësore.
Nisma, e propozuar me urgjencë, ka mbetur në sirtarët e parlamentit. Megjithatë sipas Komisionit, ndryshimet e propozuara “ngritën shqetësime mbi rrezikun e pengimit të efektivitetit të hetimeve penale, duke përfshirë hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë” duke shtuar se momenti I zgjedhur për paraqitjen e tyre “kontribuoi në një perceptim për pandëshkueshmëri”.
Lajmi kryesor:
EKSKLUZIVE/ Draft-raporti i KE, për shtetin ligjor: Qëndrimi i shumicës për rastin Balluku ngriti shqetësime! Ja sektorët me riskun më të lartë për korrupsion







