Ashtu si dhe në raportin e një viti më parë për gjendjen e Shtetit ligjor në Shqipëri, sërish dhe këtë herë, Komisioni Evropian, ngre shqetësimin për nivelin e ulët të kuotave për gjyqtarë e prokurorë në Shkollën e Magjistraturës. “Kuotat e vendosura nga KLGJ dhe KLP për Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027 janë të pamjaftueshme për të adresuar sfidat në lidhje me cilësinë dhe efikasitetin e sistemeve gjyqësore”, lexohet në draftin konfidencial që Report TV ka siguruar.

Për vitin akademik 2026-2027, KLGJ ka përcaktuar që në fillim të vitit 10 kuota janë për kandidatët për gjyqtarë, 6 për kandidatët si ndihmës ligjore në Gjykatat e Apelit dhe 35 për kandidatët Ndihmës ligjore për Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërsa KLP përcaktoi 7 kuota për prokurorë.

“Këto kuota përcaktohen pas një vlerësimi të vendeve të lira aktuale dhe të ardhshme, bazuar në strukturën ekzistuese organizative, por nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur plotësisht nevojat e sistemit gjyqësor në afat të mesëm”, këmbëngul Komisioni Europian, duke nënvizuar se “Rritja e numrit të magjistratëve në strukturën organizative është thelbësore.”

Raporti vë po ashtu në dukje se dhe “pozicionet e këshilltarëve ligjorë mbeten shumë të kufizuara në numër krahasuar me nevojat e menjëhershme të sistemit”, ndërsa flet për mungesa në burimet njerëzore. “Nga 219 punonjës shtesë të kërkuar nga institucionet e drejtësisë në vitin 2025, vetëm 100 punonjës shtesë u miratuan nga Parlamenti. Një plan gjithëpërfshirës i burimeve njerëzore, duke përfshirë planifikimin për secilën kategori të stafit shtesë, ende mungon. Megjithëse investimet në sistemin e drejtësisë kanë vazhduar të rriten, shpenzimet e përgjithshme mbeten të ulëta dhe buxheti i ndarë për burime shtesë njerëzore nuk është rritur pavarësisht nga kërkesa e të dy Këshillave”.

Në janar të këtij viti, u miratuan disa ndryshime ligjore të cilat parashikojnë se procedura e emërimit për anëtarët jo-magjistratë, në KLGJ dhe KLP, do duhet të zbatojë, të njëjtat standarde për verifikimin e të dhënave dhe pasurisë si ato që zbatohen për anëtarët magjistratë. Megjithatë, raporti vëren se asnjë prej institucioneve të përfshira në këtë proces “ende nuk kanë miratuar rregulloren e procedurës për të zbatuar plotësisht këto ndryshime dhe për të kontribuar në pavarësinë dhe profesionalizmin e të dy Këshillave”.


Lajmi kryesor:

EKSKLUZIVE/ Draft-raporti i KE, për shtetin ligjor: Qëndrimi i shumicës për rastin Balluku ngriti shqetësime! Ja sektorët me riskun më të lartë për korrupsion