Një listë e gjatë e sektorëve dhe institucione që vlerësohen me risk të lartë të korrupsionit, shtë përfshirë në raportin e përvitshëm të Komisionit Europian për shtetin ligjor, draftin konfidencia të të cilit Report Tv e disponon.

 “Rreziqet e korrupsionit mbeten të pranishme, veçanërisht në shëndetësi, arsim, prokurim publik, partneritete publik-private dhe brenda policisë, si dhe në marrjen e akteve të pronësisë dhe procedurave përkatëse (Agjencia Shtetërore e Kadastrës), të cilat konsiderohen fusha me rrezik të lartë për korrupsion”, shkruhet në dokumentin e siguruar nga Report Tv.

Ndërsa theksohet nevojë për një vëmendje dhe ndaj integriteit të vetë biznesit, raporti shton se “rreziqet e korrupsionit vazhdojnë gjithashtu në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht shtetërore, të cilat kanë marrë përgjegjësi të rëndësishme publike, duke përfshirë prokurimin publik në sektorët dixhitalë dhe të infrastrukturës, duke përfshirë edhe fondet e BE-së”.

Sipas Komisionit Europian “transparenca në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht për partneritetet publik-private, është ende e kufizuar, veçanërisht në lidhje me dhënien e statusit të investitorit strategjik". Dokumenti po ashtu vëren se “ndërhyrja politike është ende e përhapur dhe kërkon masa mbrojtëse më të mëdha”.

Raporti thekson se “korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, por koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët”, duke vënë në dukje se “vazhdojnë mangësitë në lidhje me kapacitetin e Drejtorisë së Përgjithshme Kundër Korrupsionit (DPKK) për të zbatuar dhe vlerësuar në mënyrë efektive ndikimin e masave parandaluese, duke marrë parasysh hetimet e vazhdueshme të korrupsionit në sektorë ose institucione specifike.”

Policia e Shtetit vlerësohet të jetë “shumë vulnerabël ndaj korrupsionit”, pavarësisht disa përpjekjeve. Raporti tregon se Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë mori drejtpërdrejt, 1 677 ankesa nga qytetarët në lidhje me sjelljen e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe 3 846 përmes një linje të dedikuar policore, dhe se referoi 444 punonjës të zbatimit të ligjit për ndjekje penale, në shumicën e rasteve për "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion pasiv".

Por rasti i punësimit në AMP, të Muçi Shaljanit, “ushtar” i Emiljano Shullazit, i vrarë në një atentat në Rinas, së bashku me Gilmando Danin, “ngriti shqetësim lidhur me verifikimet dhe kontrollet e AMP-së, për stafin e saj”. 


Lajmi kryesor:

EKSKLUZIVE/ Draft-raporti i KE, për shtetin ligjor: Qëndrimi i shumicës për rastin Balluku ngriti shqetësime! Ja sektorët me riskun më të lartë për korrupsion