Qasje të qartë ndaj drejtësisë i kërkoi palëve politike raportuesi për Shqipërinë në Bundestag, Peter Beyer, që thotë thotë se Gjermania po ndjek me vëmendje zhvillimet në vendin tonë. Deklaratën e bëri nga selia e PD, ku u ndal në kuadër të takimeve që po zhvillon prej së dielës me përfaqësues të politikës në vend.
"Diskutuam për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, një vend që shpeshherë përmendet si një nga vendet kryesuese në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, nga këndvështrimi i Berlinit, ne shohim gjithashtu disa sfida dhe zhvillime të fundit në këtë vend, veçanërisht sa i përket çështjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë. Ne shtrijmë një dorë bashkëpunimi dhe ofrojmë mbështetjen tonë, për çfarë mund të bëjmë më shumë për të siguruar një perspektivë shumë të mirë dhe një të ardhme të mirë për Shqipërinë, për popullin shqiptar dhe për sistemin politik të këtij vendi. Kjo, sigurisht, lidhet edhe me nevojën për një qasje shumë të qartë, transparente dhe të hapur sa i përket sistemit të drejtësisë në këtë vend. Për këtë kemi folur dhe kemi shqyrtuar se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku për përmirësimin dhe për të mirën e qytetarëve shqiptarë", deklaroi ai.
Ndërkohë, në një konferencë për shtyp Berisha tha se informoi zyrtarin e lartë për zhvillimet e fundit politike në vend. Kreu i PD u shpreh se i qartësoi Beyer qëndrimin e opozitës pro integrimit të Shqipërisë në Evropë.
“E njoha me të gjitha pikëpamjet e opozitës me këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë, projekti për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Natyrisht e njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelet e drogës dhe fuqinë e tyre shumë të madhe për shkak të lidhjeve të niveleve më të larta dhe vështirësi të tjera me të cilat ne përballemi, por edhe vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend që të realizojmë projektet që kemi”, tha Berisha.
Komente











