Raportuesit e KiE: Zgjedhjet
vendimtare, KQZ të jetë e pavaru

Raportuesit e KiE: Zgjedhjet <br />vendimtare, KQZ të jetë e pavaru
TIRANE- Dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të raportojnë në KiE situatën "shqetësuese" paraelektorale në vend përfshi dhe krizën në KQZ.

Duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ka KQZ për organizimin e zgjedhjeve, raportuesit nxisin partitë të zgjidhin crregullimin në funksionimin e KQZ, por nuk pranojnë të komentojnë më shumë për krizën në këtë institucion pasi thonë se nuk është kompetencë e tyre.

"Vizita jonë ka koinciduar/përkuar me një periudhë të trazuar në lidhje me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një organ që ne besojmë se jo vetëm duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm, por ka edhe një rol vendimtar në sigurimin e zgjedhjeve të tilla. Ne nxisim fuqimisht të gjitha partitë politike të bëhen bashkë në mënyrë urgjente dhe të zgjidhin çrregullimin aktual që po ndikon në funksionimin e KQZ-s."- thuhet në deklaratën e raportuesve. Ato shtojnë se zgjedhjet janë vendimtare për integrimin e vendit.

Raporterët u pyetën edhe për si mund të zgjidhet ngërçi i krijuar në KQZ.  “Nuk na takon ne të merremi me rrethanat që kanë cuar në këtë problem, partitë presin nga ne rolin e arbitrit, por ne shohim se situata nuk është e kënaqshme është shqetësuese, i takon politikës shqiptare të bëjë zgjidhjet e duhura”, tha Evans.


DEKLARATA  E PLOTE

Më 13 Korrik 1995, Shqipëria ka nënshkruar një kontratë ligjore me Këshillin e Europës, duke e angazhuar vendin ndaj stadardeve të Këshillit të Europës, për demokracinë, respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Këto angazhime ligjore mund të monitorohen nga Këshilli i Europës dhe Shqipëria i nënshtrohet proçedurës monitoruese të Këshillit të Europës. Ne ndodhemi në Shqipëri si raportuesit e caktuar nga Këshilli për këtë proçedurë. Roli ynë është të vlerësojmë nëse Shqipëria është në gjendje të përmbushë detyrimet e saj, përfshirë sigurimin e demokracisë parlamentare dhe zgjedhjet e lira e të ndershme sipas standardeve të Këshillit të Europës.

Ne mendojme se ka një obligim për të gjitha partitë politike shqiptare për ndërtimin e besimit mes popullit shqiptar për realizimin zgjedhjeve të tilla të lira e të ndershme në muajin Qershor, këtë vit.

Vizita jonë ka koinciduar/përkuar me një periudhë të trazuar në lidhje me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një organ që ne besojmë se jo vetëm duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm, por ka edhe nje rrol vendimtar në sigurimin e zgjedhjeve të tilla.

Ne nxisim fuqimisht të gjitha partitë politike të bëhen bashkë në mënyrë urgjente dhe të zgjidhin çrregullimin aktual që po ndikon në funksionimin e KQZ-s.

Këto zgjedhje janë gjithashtu vendimtare për vlerësimin e nevojës për vazhdimin e procedurës monitoruese të Këshillit të Europës, si dhe për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Kjo i është bërë e qartë të gjithë personave që kemi takuar gjatë kësaj vizite monitoruese.

Do të ishte i pakonceptueshëm avancimi me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ndërkohë që vazhdohet me procedurën monitoruese të Këshillit të Europës.

Jemi të zhgënjyer që për ndryshimet legjislative, të diskutuara tashmë deri në njefarë mase me BE-n, nuk është bërë progres në Parlament gjatë vitit që shkoi. Nënvizojmë në mënyrë të veçantë ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë, Ligjin e Shërbimit Civil dhe Rregulloren e Pralamentit.

Kjo mungesë progresi është veçanërisht frustruese kur duket se palët ishin shumë pranë arritjes së marrëveshjes për këto çështje.

Ne presim gjithashtu progres në të ardhmen në lidhje me kërkesat e vetë Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Na janë shprehur gjithashtu shqetësime në lidhje me nevojën për vendosjen e pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Medias dhe për mbrojtjen e këtij organi nga ndërhyrjet politike.

Javën që vjen, ne do t'u raportojmë kolegëve tanë në Komitetin Monitorues të Këshillit në Strasburg, për t'iu dhënë atyre hollësi të mëtejshme në lidhje me përgatitjet në Shqipëri për zgjedhjet e 2013 dhe në lidhje me progresin e saj të përgjithshëm për respektimin e detyrimeve të Këshillit të Europës.


VIZITA NE TIRANE

Dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans nga Mbretëria e Bashkuar dhe Grigore Petrenco nga Moldavi  mbyllin sot vizitën në Tiranë dhe në një konferencë për shtyp dhanë konkluzionet e vizitës së tyre faktmbledhëse në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme.

Gjatë ditës së sotme dy raportuesit u takuan edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ndërsa më herët janë takuar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e PS-së, Edi Rama, ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi dhe me disa nga komisionet parlamentare. 

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: SKAPI u bë SPAK!

Skënder Minxhozi: SKAPI u bë SPAK!