Rasmussen: FSK, kapacitet të plotë
operacional, Kosova e përshëndet

Rasmussen: FSK, kapacitet të plotë<br />operacional, Kosova e përshëndet
PRISHTINË - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri, Hashim Thaçi kanë përshëndetur deklaratën e NATO-s për "arritjen e kapaciteteve të plota operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës".

Në deklaratën e Presidentes thuhet: "Vendimi i NATO-s për të deklaruar arritjet e kapaciteteve të plotë operacionale të  Forcës së Sigurisë së Kosovës shënon një sukses të ri të kësaj force dhe për përpjekjet e gjithmbarshme të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për të  ndërtuar një shtet prosperues dhe për të përmbushur vizionin e një force të qëndrueshme me një të ardhme të qartë".

Sipas Jahjagës, "Forca e Sigurisë së Kosovës ngërthen në vete synimin tonë për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë, në përputhje me nevojat e Republikës së Kosovës dhe e përgjegjshme për t’iu dalë në ndihmë dhe për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Përkushtimi i palëkundur ndaj misionit të saj për një Kosovë demokratike dhe paqësore e ka renditur FSK-në në mesin e institucioneve më të besueshme të Republikës së Kosovës, sukses ky që u kurorëzua sot me vendimin e NATO-s".

Presidentja më tej ka falënderuar posaçërisht për punën e tyre të palodhshme oficerët e FSK-së, NATO-n dhe forcën e saj paqeruajtëse në Kosovë si dhe Gardën Kombëtare Amerikane "për mbikëqyrjen dhe përkrahjen konkrete që i kanë ofruar Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të kryer të gjitha detyrat që i ngarkohen asaj. Në një të ardhme të afërt presim që Republika e Kosovës të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtare me të drejta të plota e NATO-s".

Ndëkohë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë ka përgëzuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale.
Deklarimi i kreut të Ekzekutivit erdhi pasi që Këshilli i Atlantikut të Veriut ka deklaruar sot se Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur aftësinë e plotë operacionale.

“Ky vendim i Këshillit Veriatlantik është shumë i rëndësishëm dhe hapë një kapitull të integrimit”, ka thënë kryeministri Thaçi. Ai tha se misioni i FSK-së mbetet i njëjtë, kurse KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për të siguruar një ambient të qetë.
 
NATO: FSK KA ARRITUR KAPACITET TË PLOTË OPERACIONAL
NATO sot ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetin e plotë operacional dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të përcaktuara brenda mandatit të saj, dhe të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.

Mëtutje, në deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, thuhet se ai i uron “të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të arriturat me këtë hap”.

Ai i ka falënderuar të gjithë pjesëtaret dhe pjesëtarët e KFOR-it për gjithë atë që kanë bërë për ta ndihmuar ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Rasmussen më tej thekson se “misioni i FSK-së mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë gjithnjë: të udhëheqë operacione të mbrojtjes civile dhe të ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencat e tjera”.

Aleanca, thotë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, do të vazhdoj të japë mbështetje dhe këshillime nëpërmjet ekipit Ndërlidhës të NATO-s dhe atij Këshillues.

Rasmussen theksoi se “misioni i KFOR-it mbetet, po ashtu, i pandryshuar: të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë” dhe shtoi se NATO-ja “do të vazhdoj ta zbatoj këtë mision në harmoni me mandatin e Kombeve të Bashkuara”, transmetojnë medie.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në dialog dhe pajtim, prandaj i inkurajoj pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë, që ta shqyrtojnë mundësinë e anëtarësimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të siguruar se ajo vazhdon të jetë forcë përfaqësuese dhe plotësisht multi-etnike”, përfundon deklarata e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Marrë nga "Koha Ditore"

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'