Bashkia e Shkodrës drejtohet nga një shumicë e PD-së, ndërkohë që në Shkodër Partia Socialiste është në opozitë. Pra, në Shkodër PD ka fuqinë për të lejuar ose jo zhvillimin e aktiviteteve publike. Refuzimi i Voltana Ademit për të lejuar përdorimin e një sheshi, për mitingun e organizuar sot në Shkodër nga Partia Socialiste, edhe një herë të sjell në mendje qendrimin arrogant dhe jo-demokratik, që PD ka treguar gjithnjë ndaj opozitës. Çdo herë që ka pushtetin e shumicës në dorë (qoftë edhe në një bashki), PD tregon fytyrën e saj të vërtetë, atë që e ka shtyrë për vite të tëra Berishën të injorojë në nivel kombëtar të gjitha të drejtat më elementare të opozitës, duke përdorur edhe në Kuvend ekskluzivisht forcën e kartonave për të hedhur poshtë çdo kërkesë të pakicës politike.

T’i ndalosh opozitës socialiste të drejtën e zhvillimit të një mitingu në një shesh të Shkodrës (ku një parti është e lirë të mblidhet edhe sikur të mos ketë fushatë elektorale) të kujton në mënyrë dramatike arrogancën që ka përdorur PD-ja ndaj kundërshtarëve të saj politikë në vitet kur ishte në pushtet. Voltana Ademi na kujton se kultura jo-liberale e partisë së saj nuk ka ndryshuar dhe se protestat në sheshe të organizuara në Tiranë shërbejnë vetëm për të ushqyer ëndrrën e opozitës blu që të kthehet në pushtet, për t’i imponuar sërish pakicës arrogancën dhe dhunën e zgjedhjeve të saj.