/ATSH/.-Kuvendi kosovar në seancën plenare të enjten, në 16 prill, do të shqyrtojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA.
Poashtu, Kuvendi i Republikës së Kosovës do shqyrtojë dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.
Në vazhdim, Kuvendi do të procedojë me emërimin e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, emërimin i shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe zgjedhjen e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim.
Do të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe atij të LDK-së, për emërimin e deputetit Blerim Shala, koordinator i bisedimeve.
U vendos që Projektligji për rregullimin e shërbimeve të ujit të dërgohet për mendim në Qeveri, ndërsa shqyrtimi i Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2014 dhe ai i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, u shtynë për mbledhjen e radhës.
Sa i përket rekomandimeve të Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione përkitazi me Peticionin kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, pikë kjo e hequr nga rendi i ditës në seancën e fundit, Kryesia vendosi që të pritet harmonizimi i rekomandimeve dhe shqyrtimi i raportit të ZRRE-së nga ana e këtij komisioni.
Axhenda e seancës plenare u përcaktua nga Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe disa kërkesa e njoftime.