TIRANË - Ratifikohet marrëveshja e garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për huanë ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave dhe BERZH për linjën e kredisë prej 100 milionë eurosh. Marrëveshja është publikuar sot në Fletoren Zyrtare.

Sipas relacionit të kësaj marrëveshje, "linja e kredisë është një instrument gatishmërie, që do të shërbejë për të rritur efektshmërinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në përmbushjen e detyrimit të saj ligjor, mbrojtjen dhe garantimin e depozitave të individëve. Linja e kredisë është një mekanizëm i njohur dhe i rekomanduar në fushën e sigurimit të depozitave.
Kjo linjë vë në dispozicion të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, me kërkesën e saj dhe nëse është e nevojshme, fonde që do të garantonin përmbushjen me sukses dhe efikasitet të qëllimit dhe misionit për të cilin është krijuar.
Linja e kredisë duhet konsideruar si një mekanizëm më shumë që u shtohet elementeve të sigurisë së skemës së sigurimit të depozitave në Shqipëri. Ajo rrit nivelin e mbrojtjes së depozituesve duke përmirësuar ndjeshëm nivelin e mbulimit si në nivel depozitash të siguruara, ashtu edhe në nivel institucionesh financiare që janë pjesë e skemës së sigurimit.

Marrëveshja
Sipas marrëveshjes Banka bie dakord t'i japë hua Huamarrësit, sipas termave dhe kushteve të parashikuara ose të përmendura në këtë Marrëveshje, shumën prej 100.000.000 euro.
Shuma minimale e tërheqjes është 8 milionë euro. Shuma minimale e paradhënies është 8 milionë euro.  Shuma minimale e anulimit është 8 milionë euro.
Datat e pagesës së interesave janë 30 nëntor dhe 30 maj të çdo viti.
Pas mbarimit të periudhës së angazhimit, çdo shumë e Huas e mbetur shlyhet nga Huamarrësi në këste të barabarta (ose sa më të barabarta që të jetë e mundur) gjysmëvjetore në çdo datë të pagesës së interesave të çdo viti, ku data e parë e shlyerjes së Huas është data e caktuar që përfaqëson datën e parë të pagesës së interesit që bie gjashtë muaj pas përvjetorit të pestë të kësaj Marrëveshjeje. Data e fundit e shlyerjes së Huas është një datë e caktuar që bie në datën e parë të pagesës së interesit pas përvjetorit të dhjetë të kësaj Marrëveshjeje.


Depozitat
Bazuar në të dhënat më të fundit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, depozitat totale të sistemit bankar janë afërsisht 1 triliard lekë, nga këto, depozitat e individëve përbëjnë rreth 833 miliardë ose 82% të depozitave të sistemit. Aktualisht në sistemin bankar janë 1.9 milionë llogari bankare individësh që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave në Shqipëri. Duke pasur parasysh numrin total të popullsisë në Shqipëri, kjo e dhënë flet qartë për aksesin dhe për një nivel të kënaqshëm të përdorimit të shërbimeve bankare nga qytetarët.

Bazuar në nivelin maksimal të sigurimit prej 2.5 milionë lekësh, totali i depozitave të siguruara nga skema e sigurimit është në shumën 557 miliardë lekë ose 67% të depozitave të individëve në sistem. Niveli aktual i mbulimit siguron plotësisht depozitat në 1.8 milionë llogari bankare individësh ose 95% të totalit. /ATSH/