Rauf Dimraj pro të huajve: Futbolli
shqiptar duhet të dekriminalizohet

Rauf Dimraj pro të huajve: Futbolli<br />shqiptar duhet të dekriminalizohet
“Futbolli shqiptar duhet që të përfshihet nga procesi i dekriminalizimit, ndërsa nëqoftëse Komisioni i Etikës ka arritur të verifikojë se lojtarët, që kanë trukuar rezultatet e ndeshjeve, atëherë duhej të zbatohej ligji dhe cështja të kalonte në Prokurori”.

Kështu shprehet ndër të tjera zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj në një interviste për gazetën Shqiptarja.com.

Dimraj përpos fenomeneve negative është ndalur gjatë duke shpjeguar projektin dhe mënyrën e ndërtimit të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’, problemet e futbollit shqiptar, numrin e lojtarëve të huaj në kampionatin shqiptar të futbollit, Statusin për Sportistët, investimet, orët e fiskulturës në shkollë, privatizimet, ligjin për sportin, arritjen e kombëtares shqiptare, por edhe për mandatet e kryetarëve të federatave të sporteve në Shqipëri.

Si do të procedohet me ndërtimin e stadiumit të ri ‘Arena Kombëtare’ sa dhe si do të jetë kontributi i qeverisë, konkretisht?
Kjo cështje përfshin një gjerësi tezash. Ndërtimi i infrastrukturës sportive, përbën një detyrë prioritare për cdo shtet. Ndërtimi i Stadiumit Kombëtar “Q. Stafa” fatmirësisht u projektua nga Qeveria e mëparëshme por nuk u mundësua ndërtimi i tij në praktikë.
Është e domosdoshme dhe e dëshirueshme nga të gjithë, që edhe Tirana si cdo kryeqytet tjetër në botë, të identifikohet me një stadium modern dhe me kapacitet të bollshëm për numërin e sportdashësve.
Skema e investimit është kjo:
·         Shteti vë në dispozicion terrenin e Stadiumit Q. Stafa
·         Fshf-ja kontribon me 10.000.000 euro;
·         Financimi tjetër, i cili plotson nevojat e plota të investimit, merret nga privatët të cilët do zgjidhen sipas një tenderi transparent.
 
Ky ndërtim madhor për futbollin, sipas kësaj skeme financimi, përbën favor të madh pasi:

a)    Ndërtohet një Stadium i munguar e i vlefshëm, me cilësi bashkohore;
b)  Ky Stadium fillon të funksionojë e të kontribojë, jo pas planeve 4 vjecarë, por brenda një kohe shpejtësie-rekord;
c)    Stimulohet rritja e cilësisë së futbollit tonë dhe komoditeti e kënaqësia e tifozerisë;
d)    Është me interes ekonomik sepse nuk rëndon mbi buxhetin e shtetit;
e)    Shteti do thithë, sipas ligjit, taksat përkatëse e të munguara deri më sot;
f)   KMundësohet zhvillimi i evenimenteve të rëndësishme evropiane, si psh finale të Ligës së Kampione, etj. të cilat rrisin emrin e futbollit tonë dhe jo vetëm.
 
 
Në programin e PS ka qenë kryefjalë ‘Statusi i Sportistit Elitar’, a përfitojnë lojtarët e kombëtares për suksesin në Europian, pasi është kualifikimi i parë dhe nëse po çfarë konkretisht?
Statusi i Sportistit Elitar, aktualisht është në një proces analizash dhe pritet formulimi final nga Grupi përkatës i hartimit dhe modelimit në Draft ligjin e Sportit.

Aktualisht shpërblimet për sportistat e cilësisë së lartë në sport, bazohen mbi VKM-ve dhe ndryshimet e këtyre vendimeve janë atribut i Qeverive. bazuar në programet prioritarë dhe mundësive që ato kanë për të dhënë shpërblime, e që ndikohen e shumfishohen nga arritja e sukseseve ndërkombëtare, sikundër paraqitet rasti i ndeshjeve që do zhvillojë Ekipi ynë Kombëtar, në Kampionatin Evropian të Futbollit në Francë.

Për më konkretisht, programi i PS për ‘Statusi i Sportistit Elitar’, mbështetet mbi një strategji largpamëse dhe afat gjatë, e cila në mënyrë absolute do të na cojë në veprime pozitive ndaj pyetjes suaj.

Faktikisht, tani për tani, kjo strategji si fillim ka bërë zhvillime pozitive me hapa të mëdha. Referuar pyetjes tuaj, për përfitimet e lojtarëve për suksesin e arritur në kualifikimin evropian, natyrisht është një problem i FSHF-së, por do jetë edhe rezultat i një Marrëveshje Federatë Futbolli-Ministri e Arsimit dhe Sportit.

Theksojmë se kontributet mbështetëse dhe dashamirëse të MAS, ndaj FSHF-së, janë zyrtarizuar në Stadiumin "Elbasan Arena".
 
 
A reflekton kombëtarja nivelin e kampionatit shqiptar te futbollit?
Ekipi ynë Kombëtar i Futbollit, si pjesmarrës në finalet e Kampionatit Evropian 2016, ka arritur suksesin më të madh, gjatë gjithë historisë së tij.

Ky rezultat është rrjedhojë e një organizimi shumë të mirë të FSHF-së; të aftësive të shquara të trajnerit De Biasi, së pari në aspektin seleksionues të anëtarëve të ekipit, së pari në aftësitë e tij profesionale, së pari në aftësitë e tij teorike-taktike dhe së pari në aftësitë  e tij drejtuese, edhe gjatë ndeshjeve; aftësive të shkëlqyera teknike individuale të lojtarëve të këtij ekipi, të konceptit të tyre, "disiplinë", për të zbatuar me përpikmëri taktikën e trajnerit, të përgatitjes së tyre psikologjike dhe fizike atletike, në nivel bashkëkohor; të kontributit të stafit mbështetës ndaj ekipit, antarë të stafit teknik, mjekë, masazhatorë, etj.;

Më lejoni të theksoj se në sport, ka një rëndësi dhe ndikim të madh në rezultatin sportiv, edhe motivimi pozitiv i botës shpirtërore të sportistit. Pikërisht, për motivimin e lojtarëve, tifozeria shqiptare dha kontributin e saj maksimal, për të gjitha ndeshjet e ekipit tonë përfaqësues.

Gjithashtu,  është e nevojshme të shpreh se u shfaq, për herë të parë në vendin tonë, angazhimi shembullor, i shumanshëm dhe efikas, i Kryeministrit Rama, si ish sportist i kombëtares, që plotësoi tabelën e valencës,  mbi Motivimin në Sport, përfshirë edhe angazhimin e tij këmbëngulës për ndërtimin e infrastrukturës sportive me cilësi evropiane.

Investimi në edukimin fizik dhe në sport, sikundër shikohet nga të gjithë, është kryer gjerësisht dhe shpejtësisht gjatë këtyre dy viteve. Ai është një investim thelbësor për rendimentin fizik, psikik, kognitiv, të memories, social, ekonomik, të marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe produktiv, për fushën sportive, si edhe për mbarë shoqërinë tonë.

Ky investim në një shtet vërtet social, renditet te Rradha 1 Karriga 1, për zhvillimin me vetëdije të cilësisë në sport.

Referuar pyetjes suaj:
Ekipi ynë Kombëtar u formua:
a) nga pak lojtarë shqiptarë, por që luajnë nëpër ekipe të shteteve të huaja, paguhen mirë e natyrisht i nënshtrohen një disipline dhe procedurave të plota e të rregullta të testimit bashkëkohor sportiv;
b) nga lojtarë cilësorë shqiptarë të Kosovës;
c) nga futbollistë cilësorë shqiptarë, të rritur me një kulturë të përshtatshme sportive të shteteve evropiane, ku jetojnë me prindërit e tyre emigrantë.

Çfarë hapash po bëhen për privatizimet e klubeve?
Një nga objektivat strategjik në fushën e sportit, është përsosja e funksionimit të organizatave sportive kombëtare e lokale, federatave e klubeve  sportive, shoqatizimi dhe shoqërizimi i klubeve sportive, sipas standarteve ndërkombëtare.
Kjo aspekt është në proces rishikimi nga Grupi i punës për draft ligjin e sportit.
 
Duke u nisur nga rastet e dhunës, trukimet e denoncuara nga të huajt, financimet në sport, a mendoni se edhe sporti (futbolli) duhet të përfshihet nga dekriminalizimi?
Po sigurisht, mendoj se duhet të përfshihet edhe sporti, e për këtë duhet të ngrihen strukturat e përshtatshme dhe funksionale, në ngjashmëri me shtete të tjera të suksesshme në këtë aspekt, si psh.Gjermania apo Hollanda.
 
A mendoni se rastet për 6 lojtarët që Komisioni i Etikës në FSHF dënoi me nga 6 muaj duhet të ishin dërguar në prokurori për hetim dhe jo të mbylleshin me pezullime?
Mendoj se nëqoftëse Komisioni i Etikës ka arritur të verifikojë se lojtarët kanë trukuar rezultatet e ndeshjeve, atëherë duhej të zbatohej ligji dhe cështja të kalonte në Prokurori.
 
Në programin e PS ka qenë vëmendja ndaj talenteve, por klubet po lobojnë që nga 4 të shkojë në 6 numri i lojtarëve të huaj në formacion, a jeni ju dakord?
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në përputhje me Programin e PS, hartoi dhe miratoi Platformën e edukimit fizik, Mund të verifikohet lehtësisht se tashmë në vendin tonë, evidentimi, seleksionimi dhe zhvillimi i talentit në sport, përbën një organizim të plotë shkencor, praktik dhe stimulues, për mbarë rininë tonë shkollore dhe njëherësh është shërbimi më i vlefshëm që po i bëhet federatave sportive, të cilat nuk duhet të vetizolohen, por duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me shkollat.

Në vazhdim të përgjigjes për pyetjen tuaj, unë di se Kampionati ynë kombëtar i futbollit të Superligës, ka si objektiv ngritjen e cilësisë së futbollit nëpër klube, në mënyrë për të arritur suksese futbollistike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sot futbolli, kudo, është një aspekt i fuqishëm bisnesi. Jemi dëshmitarë se një lojtar evropian ka arritur cmimin stratosferik të shitjes, 120.000.000 euro. Ka shumë lojtarë shqiptarë që kanë cilësi të lartë dhe po luajnë me sukses, nëpër klube elitarë të Evropës, rrjedhojë e stërvitshmërisë së tyre bashkëkohore.

Kam ndjekur ndeshje të Kampionatit Kombëtar të lojrave me dorë dhe kam numëruar 19 tifozë nga njera anë e tribunës dhe 7 tifozë nga krahu tjetër. Nëse në ekipet tona të lojrave me dorë, do merrnin pjesë, psh lojtarë të huaj cilësorë, atëherë pallatet e sportit do mbusheshin dhe do stimulohej një edukim dhe një kulturë e vyer në sport.

Unë jam dakort që të lejohet pjesmarrja prej 6 lojtarëve të huaj nëpër ekipet tona, pasi do rritet konkurrenca dhe cilësia futbollistike e klubit, e ndërkohë dhe tifozeria do sadisfaksionohet e stadiumet do mbushen me spektatorë. Sporti bën edukim dhe stimulon shumë cilësi, përfrshirë vullnetiin, përhap kulturë, përhap humanizëm.
Sportistat në botë janë diva.
 
Sa është rritja që ka pësuar buxheti për sportin në 3 vitet e fundit dhe a do të ketë ndërhyje në ligj?
Buxheti i sportit është shumëfishuar, krahasimisht me financimet e bëra së bashku gjatë 23 viteve, e konkretisht:

a) U hartua Platforma shkencore dhe praktike, për edukimin fizik në arsimin parauniversitar dhe u punësuan rreth 800 mësues të edukimit fizik;

b) Është përmirësuar infrastruktura sportive dhe sikundër dihet nga të gjithë, po ndërtohen rradhazi, stadiume, pista atletike, pallat multifunksional në sport etj;

c) Të dy pikat e mësipërme, krijojnë edukim dhe zhvillimin optimal të shëndetit publik, gjë që bën përmirësime ekonomike në vendin tonë, në dimensionet e progresit gjeometrik.

Këto aspekte ekstremalisht të rëndësishëm, po përfshihen në ligj, e si rrjedhojë nuk do ndodhë që një Qeveri të dhunojë edukimin fizik dhe shëndetin publik, ashtu sikundër ndodhi që u hoqën orët mësimore për lëvizjen fizike, që është kultura më antike e njeriut dhe e vetmja që zhvillon pasurinë më të cmuar të njeriut, shëndetin vetiak.
 
Në Programin Kombëtar të Sportit i kushtohej rëndësi nxitjes së politikave tatimore, të cilat do të ndihmonin në stimulimin e sportit,çfarë është bërë në 3 vitet e fundit?
Sigurisht nxitja e politikave tatimore mund të jetë stimuluese, por kjo për mendimin tim, kërkon një studim të kujdeshëm, në akord me  shumë elementë, me qëllim që buxheti
sëbashku me mënyrën sesi ai orjentohet, e në bashkërendim me politikat nxitëse, nevojitet të ecin në mënyrë paralele.

Prandaj këto probleme kërkojnë një studim të kujdesshëm, i cili do të jetë objekt i Këshillit Kombëtar të Sportit.
 
Një tjetër premtim ka qenë edhe ngritja e kampionateve të përbashkëta me Kosovën, çfarë është bërë në dy vitet e fundit për këtë temë?
Këto kampionate janë shumë të vlefshme. Ato janë të përfshira gjerësisht në planet strategji, të Platformës së edukimit fizik, por që kanë nevojë për programe dhe bashkëpunime me organike, nëpërmjet një komunikimi tërësor për të përputhur dhe nxjerrë në pah,  elementët e përbashkët përfitues dhe bashkëpunues.
 
A është hartuar dhe zbatuar Programi Kombëtar Antidoping?
Programi Kombëtar Antidoping është hartuar në përputhje me rekomandimet e Konventave Evropiane Antidoping dhe do jetë pjesë e rëndësishme ligjore. Theksojm, sigurisht, se ky program ka në themel të tij, edukimin masiv fiziko-sportiv, për të gjithë sistemin arsimor, i cili është përfshirë në programet mësimore të Platformës së miratuar.
 
Para tre viteve gjendja e terreneve sportive konsiderohej në ditën më të zezë, por sot çfarë ka, pasi për futbollin ka nisur një erë e re me stadiumet? po bëhet me basketbollin, volejbollin dhe sportet e tjera
 
Lutem më lejoni të shpreh se Media është një opozitë e sportit por njëkohësisht edhe një ndihmës i fuqishëm e i vlefshëm i tij.

Besoj se ndihma e Medias duhet të ishte më e fuqishme, sidomos në drejtim të trajtimit të detajuar të rëndësisë së edukimit fizik, për fuqizimin e shëndetit publik, të aspekteve sesi zhvillohet edukimi fizik në shkollë, të infrastrukturës së terreneve sportive në shkollë e në klube, të rolit të mësuesit, të drejtuesit e trajnerit, të dinamikës së rritjes së financimeve për  infrastrukturën në sport, etj.

Këto probleme, ne si Ministri e Arsimit dhe Sportit, aktualisht i kemi zhvilluar e ngritur ekstremalisht lartë, për herë të parë gjatë 70 viteve, e që konkretisht janë vlersuar me nota maksimale edhe në Evropë:

a) Hartuam Platformën bashkëkohore të edukimit fizik në arsimin parauniversitar;

b) U rritën orët e mësimit të fizkulturës, në tre orë/javë;

c) Mësuesi i edukimit fizik, si specialist i fushës, po zhvillon këtë lëndë të rëndësishme për cilësinë e jetës, duke filluar në klasën e parë fillore, e që është risi edhe për shumë shtete të zhvilluara të Evropës.

Të gjithë jemi dëshmitarë të krijimit të një infrastrukture të ëndërruar në sport, si Stadiumi i Elbasanit, i Shkodrës, Pallati Sportiv Multifunksional te Qendra Dinamo, gjithashtu edhe Selia e Komitetit Olimpik Shqiptar si dhe Pista e Tartanit në Elbasan.

Këto përbërësa tepër efikasë të infrastrukturës sportive, janë fakte të krijuara brenda një kohe rekord, e janë shumë funksionalë e  ndihmojnë të zhvillohet cilësia sportive, te të gjitha federatat sportive të Shqipërisë. 
 
E fundit, cili është mendimi juaj për ata drejtues federatash që vazhdojnë të qëndrojnë prej disa vitesh në detyrë, a i shërben një gjë e tillë sportit?
Fatmirsisht është krijuar me VKM, Këshilli Kombëtar i Sportit, i cili tashmë, shpejtësisht, po jep kontribut të shkëlqyer për të sistemuar aspektet që lidhen me fushën e edukimit fizik dhe sidomos me sportin shqiptar.

Këshilli po trajton mënyrën për të korrigjuar dobësitë në sport, sikundër janë efikasiteti i federatave sportive dhe objektivat e tyre deri më sot aspak të kontrolluara, apo shpërndarja empirike e fondit Grand, si dhe ligjshmëria në funksion të sportit, për ta bërë atë sa më produktiv.

Në përgjigje të pyetjes tuaj: Është e qartë se federatat sportive kanë paraqitur objektivat e tyre, të cilat duhet të kontrollohen, të maten dhe të shërbejnë, detyrimisht, për të vlersuar rendimentin e një drejtuesi në sport, i cili duhet të rrijë në detyrë vetëm atëherë kur ka realizuar ato detyra të miratuara dhe ka nxjerrë një produkt pozitiv sportiv.

Më intereson të theksoj, si koncept, se nuk është mosha ajo që përcakton shëndetin e një individi, por është mënyra e tij e jetesës, e në ngjashmëri mund të themi, se kur një individ është specialist i aftë, atëherë ai i rrit më shumë kontributet dhe vlefshmërinë e tij, vetëm atëherë kur ai vazhdon të mbahet sa më gjatë në atë punë, sepse në këtë mënyrë eksperienca e tij,  bëhet më e vyer.

Me këtë dua të shpreh se ka edhe sekretar federate, që duhet të ndërrohet shpejtësisht. Mendoj se në këtë ngërc, ka mundësi e duhet të ndihmojë shumë, edhe aleati i mirë i  sportit, Media.


Redaksia Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Divjakë/ Tre kundër tre, sherr me sende forta në lokal! 2 arrestohen, njëri në kërkim

Divjakë/ Tre kundër tre, sherr me sende forta në lokal! 2 arrestohen, njëri në kërkim