Historikisht kjo zonë ka qenë bjeshka për verim e zonës përreth fshatit Vrith dhe është shfrytëzuar edhe nga shumë tregtarë nga qyteti i Shkodrës. Një nga vendet e bukura malore të Shqipërisë, e cila është zbuluar që në shek. XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian Antonio Baldoci, austriaku Dofler dhe gjeologu Boran Nopçe.
Rreth viteve 1920 filloi të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e standardeve të jetesës, tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre verore. Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve, i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe zona është shfrytëzuar si kamp pushimi veror për punëtorë dhe si pikë ekskursionesh për periudhën dimërore.
Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, mes majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine. Razma ka vizitorë të shumtë që mbërrijnë nga zonat rreth saj, por edhe ata nga Tirana, Durrësi e qytete të tjera të vendit. Tashmë ditët e nxehta të pragverës kanë trokitur dhe destinacionet më të preferuara janë pikat me natyrë të gjelbër si Razma.
