TIRANË- Gjatë takimit të sotëm të Ministrit Tahiri me Ministren e Brendshme Maqedonase, Gordana Jankulovska për asnjë çast të vetëm nuk është folur për terrorizëm etnik shqiptar në Maqedoni, saktëson zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme në reagim të deklaratës së sotme të opozitës.
Në deklaratën për shtyp, Ministria e Punëve të Brendshme hedh poshtë me indinjatë akuzat e opozitës, nëpërmjet të cilave ajo synon të shtrembërojë të vërtetën dhe të desinformojë opinionin publik vendas e ndërkombëtar.
Sipas ministrit Tahiri, "lufta kundër terrorizmit të çdo lloji, përfshirë terrorizmit fetar dhe etnik, është tashmë një sfidë që nuk rri dot brenda kufijve të një shteti, por është sfidë rajonale dhe globale".
Kjo deklaratë vjen në kontekstin e një qëndrimi tashmë të konsoliduar të të gjithë partnerëve të Aleancës së Atlantikut Perëndimor, ndaj situatës së krijuar në konfliktin fetar dhe etnik që po ndodh në disa vende në rajonin e Lindjes së Mesme, si Siri, Irak, etj.
Fakti se të dy vendet tona janë konsideruar nga terroristët si hapësira të mundshme për të rekrutuar luftëtarë për këto konflikte e bën edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin jo vetëm dypalësh por edhe më gjera në rajon." Çdo deklaratë tjetër e pretenduar nga opozita është krejtësisht e pavërtetë dhe çdo koment keqdashës në lidhje me këtë qëndrim parimor të ministrit të Brendshëm vetëm sa tregon dritshkurtësinë e atyre që deri dje drejtonin politikën e jashtme të këtij vendi", thuhet në reagim zyrtar të Ministrisë së Brendshme.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha se "në vend që t'i kërkonte homologes se tij Maqedonase që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe të respektohen të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, Ministri Tahiri deklaron se do të luftojë terrorizmin etnik"./ATSH/