Një protestë të 'turpshme', që nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri dhe që as nuk do të ndodhë, e ka konsideruar kryeministri Edi Rama reagimin e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve. Në një komunikim live në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh se një protestë e tillë nuk ka vend, pasi nuk është qeveria ajo që e nisi luftën në Ukrainë e as nuk mund ta ndalojë.

"Ka pasur edhe protesta të dhunshme, ka pasur edhe protesta që kanë degraduar në një formë e në një tjetër, por protestë më të turpshme se kjo s'ka pasur edhe as nuk do të ketë ndonjëherë. Për çfarë protestohet sot? Kundër kujt protestohet? Të gjitha vendet që po e përjetojnë me të njëjtin shqetësim kërcimin e çmimeve, por po protestojnë kundër agresionit rus mbi Ukrainën, askush nuk ka protestuar kundër qeverisë së vet. Çdo qeveri mund të ketë 1 mijë arsye për të protestuar kundër saj, por nuk mund të protestohet kundër qeverisë për shkak të pasojave të një lufte që nuk ka nisur kjo qeveri e nuk ndal dot kjo qeveri. Një prej protestuesve tha 'nuk duhet ta lëmë këtë rast të shpëtojë, se po shpëtoi edhe kësaj here, nuk e kapim dot më'. Po çlidhje ka qeveria e Shqipërisë me rritjen lineare të çmimeve në të gjithë botën", tha Rama.

Rama bëri me dije po ashtu se kishte marrë edhe një mesazh nga një zyrtar në Brukseli, ku i ishte komunikuar shqetësim në lidhje me protestat në vendin tonë dhe se protesta të tilla ekonomike në vendet e NATO-s është pikërisht ajo që shpreson Rusia.

Kryeministri Rama, e përmendi disa herë rrezikun e një Luftë të Tretë Botërore, teksa tha se nëse një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë edhe protestuesit do ta kuptonin vërtetë se për çfarë rreziku bëhet fjalë. Ai u tregua i prerë me protestuesit ku tha se edhe 300-fish më shumë të mblidhen në shesh, asnjë taksë karburanti nuk lëviz sepse një gjë e tillë nuk është e mundur.

Një përgjigje Rama e pati edhe për akuzat për 'luks qeveritar', duke iu referuar një ndriçuesi që gjendet mbi tavolinën e punës së Kryeministrit. Ai sqaroi se në fakt abazhuri në fjalë është pjesë e një koleksioni të fundviteve 30, të instaluar prej shumë viteve në godinën e Kryeministrisë.

Qytetarët kanë dalë për 6 ditë rresht në protestë kundër rritjes së çmimeve, teksa vetëm 2 ditë më parë kreu i qeverisë prezantoi planin me 7 pika, paketën e Rezistëncës Sociale kundër pasojave ekonomike që do të sjellë lufta. Kjo paketë, për kryeministrin, është tregues që qeveria nuk i braktis ato që kanë nevojë në ditë të vështira.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:16
Këngëtari për koncert në Tiranë, Rama: S'e njihja këtë Malumen, por më shkruanit ju se i dhatë lekë! Zero para publike

 

Në  bashkëbisedimin me qytetarët në Facebook për rritjen e çmimeve, Rama po dëgjonte në sfond edhe këngëtarin Maluma që po performon në sheshin 'Nënë Tereza'. Rama tha se shumë i kishin shkruar se i ishin dhënë lekë këngëtarit por ai tha se zero para publike i janë dhënë.

 “Ne kemi taksat më të ulëta në Europë edhe pse rrogat e ulëta i ka edhe vende të tjera të rajonit. Ne do të rrisim rrogat që kemi thënë me 1 qershor. Kam parë aq shumë në këtë vend saqë askush nuk mund të më japë mua leksione. Mos më thoni ul çmimet o njeri, për atë rritje çmimesh te shporta do i japim paratë në dorë për gjysmë milioni. Se po dëgoj një muzikë këtu jashtë nuk e di çfarë është po është Malumja që unë as e dija ca ishte sot e mora vesh se më shkruanin që keni lekë për Malumen. Lekët për Malumen janë njësoj si florii i këtij abazhuri/ S’është paguar asnjë lekë për koncertin e Malumes nga asnjë buxhet publik as i qeverisë as bashkisë se pyeta ca është kjo malume. E ka sjellë këtu një kompani private e këta që dalin në protestë flasin për Malumen e ju thonë ky ka sjellë Malumen unë as e dija kush ishte Malumja”, tha Rama.

 

Ora 20:51
Rama: Këtu flitet për Luftë të tretë Botërore ju protestoni, shpresoj të mos arrijmë deri aty

1647286904_Capture.JPG

Në komunikimin me ndjekësit në rrjetet sociale, Kryeministri Rama,  e përmendi disa herë rrezikun e një Luftë të Tretë Botërore, ndërkohë që në Shqipëri protestohet.

"Këtu flitet për Luftë të tretë Botërore. Dilni protestoni sa të doni, edhe 100 fish të jeni asnjë taksë karburanti nuk lëviz. Shpresoj të mos jetë lufta e tretë botërore se pastaj do e shihni mjafton kjo paketë apo jo", tha Rama.

Ora 20:40
Rama-protestuesve: 300-fish më e madhe të jetë protesta, nuk lëviz asnjë taksë karburanti

I prerë është treguar kryeministri Edi Rama me protestuesit sot, ku tha prerë se sado i madh të jetë numri i atyre që protestojnë, nuk do të lëvizë asnjë taksë karburanti. Rama sqaroi se kjo nuk ndodh pasi nuk është e mundur, duke shtuar se Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta.

"Qasja e asaj proteste është mashtruese për të tërhequr sa më shumë njerëz të shqetësuar ndaj kësaj që po ndodh. Bota proteston kundër luftës që të ndalojë lufta dhe të mos paguaj edhe vete pasojat e luftës, por nuk del të protestojë pse u rritën çmimet e t'i thotë qeverisë që e ke ti fajin. Këtu flitet që mund të fillojë Luftë e Tretë Botërore, këtu thonë 'po na shpëtoi sot, nuk e kapim më'. Rrini në protestë sa të doni, jo kaq sa ishit sot, por 10-fish, 100-fish, 300-fish nuk lëviz asnjë taksë karburanti, zero! Jo se nuk dua unë, por sepse nuk bëhet dot. Sot kemi vendin me taksat më të ulëta dhe ky është fakt", tha Rama.

Ora 20:27
Protestat, Rama lexon mesazhin nga Brukseli: Po ndjekim me shqetësim situatën, Rusia ka shpresë të madhe te protestat ekonomike nëpër vendet e NATO-s

Kryeministri Edi Rama ka lexuar një mesazh nga Brukseli në lidhje me protestat e qytetarëve në vend kundër rritjes së çmimeve në vend. Sipas Ramës, nga Brukseli i kishte shkuar mesazhi se po ndiqnin me shqetësim situatën në Tiranë dhe se pikërisht këto lloj protestash nëpër vendet e NATO-s janë ato që po shpreson Rusia.

"Më ka ardhur një mesazh nga Brukseli ku thotë: po ndjekim me shqetësim zhvillimet në Tiranë, a keni informacion kush po qëndron pas këtyre protestave, është legjitime t'i bëhet presion qeverisë që të veprojë në ndihmë të njerëzve, Shqipëria është pjesë e NATO-s, ndërkaq NATO është gati defakto në luftë me Rusinë. Kjo ka sjelë telashe ,vështirësi. Kjo që po ndodh me çmimet mund të ketë vetëm fillimi dhe Rusia ka shpresë të madhe te protestat ekonomike nëpër vendet e NATO-s", tha Rama