Përpara se të ndajmë me qytetarët shqiptarë se çfarë kemi arritur të bëjmë që kur morrëm detyrën në shtator 2013 e deri më sot, besojmë se është ende e nevojshme të risjellim në vëmendje gjendjen mjerisht të rrënuar në të cilën e gjetëm vendin dhe posaçërisht, shëndetësinë shqiptare.

 

Në shtator 2013 spitalet tona i gjetëm të pafurnizuara me barna dhe materiale mjekësore. Shumë prej  pajisjeve të rëndësishme diagnostikuese nuk punonin, dhe në rast defektesh, ishte praktikisht e pamundur t’i rregulloje, pasi papërgjegjshmëria e ministrit paraardhës i kish lënë pa kontrata mirëmbajtjeje. U përballëm me mjekë dhe infermierë të dekurajuar në tërësi nga mosfunksionimi i sistemit dhe me një motivim shumë të ulët për të përditësuar dijet e tyre profesionale, ndërkohë që borxhet për detyrime financiare të papaguara ndaj furnitorëve dhe ofruesve të ndryshëm të shërbimeve vlerësoheshin rreth 40 milionë USD, - aq të larta sa kishte mjaftuar që furnitorët të stoponin furnizimet.

 

Sigurisht, që kjo nuk ishte e papritur për ne. Në çdo aspekt, përfshirë edhe shëndetësinë. Megjithatë, besojmë se 1 milionë vota i morëm në 23 qershor 2013, jo thjesht e vetëm pse dinim mirë sa keq ishte katandisur Shqipëria përfshirë edhe shëndetësia, por edhe sepse kishim një program serioz edhe pse ambicioz, si dhe kishim vendosmërinë për ta rilindur Shqipërinë, përfshirë edhe shëndetësinë shqiptare.

 

Duam të sigurojmë shqiptarët se sfida jonë për një mbulim universal, apo siç quhet ndryshe për shëndetësinë falas, për shëndetësinë që garanton këdo, pavarësisht nëse ka apo jo burime të mjaftueshme financiare, nuk është vetëm një kërkesë për një shëndetësi më të mirë, por është një kusht për drejtësi sociale. Në programin e Qeverisë mbulimi universal është një prej pikave kryesore të strategjisë sonë për shëndetësinë. Dhe për të shkuar tek mbulimi universal na duhet jo vetëm të përballojmë një sërë sfidash, por dhe të bëjmë më parë disa hapa të rëndësishëm dhe themelorë. E filluam me përmbushjen e angazhimit programor për përjashtimin nga TVSH, ose taksën e sëmundjes, të barnave dhe shërbimeve mjekësore. Madje, e thelluam përmbushjen e angazhimit, duke përjashtuar nga kjo taksë edhe pajisjet mjekësore të implantueshme.

 

Këtë vit ne kemi hedhur hapat e parë duke nisur me sukses zbatimin e programit për kontrollin bazë falas për grupmoshat 40-65 vjeç, i cili është një hap madhor që shkon në këtë drejtim.  Po ashtu, të gjithë jemi tashmë dëshmitarë të zbatimit me rigorozitet të ndryshimeve që hynë në fuqi në shtator të ligjit antiduhan, pas shumë tentativash të dështuara. Dhe ky është një prej investimeve të rëndësishme për shëndetin dhe një prej përpjekjeve që janë shumë më tepër se kaq për ta zvogëluar gradualisht prevalencën e sëmundjeve vdekjeprurëse kardiovaskulare dhe atyre tumorale. Ashtu sikundër shkon në këtë drejtim edhe rritja dy herë që ne i kemi bërë taksës mbi duhanin.

 

Është e tepërt të kujtojmë se, pas një mungese tre-vjecare, hapëm 365 kuota specializime ku konkurruan 734 mjekë. Ndërkohë, me rikthimine taksës progresive, që këtë vit të gjithë infermierët kanë përfituar njëpagë netto shtesë (një pagë të 13-të) dhe të gjithë mjekët një gjysëm-page netto shtesë. Edhe miratimi, dhe tashmë, zbatimi i 10 paketave të shërbimeve shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkës, ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike, transplantit koklear, të financuara 100% nga Qeveria, si në shërbimin publik spitalor, ashtu edhe në atë jo-publik, është një arritje e shkëlqyer dhe tashmë, shqiptarët janë të gjithë të barabartë për përfitimin e kësaj pakete qoftë në spitalet publike, ashtu edhe ato jopublike.