Kryeministri Edi Rama deklaron se pas arrestimit të personit të pestë për grabitjen në Rinas po ngushtohet akoma më shumë rrethi i keqbërësve. Ai shprehet se Policia e Shtetit ka kaluar në një nivel të ri fuqie goditëse ndaj krimit.

"Arrestohet edhe një autor tjetër i grabitjes së Rinasit, duke e ngushtuar më tej rrethin e keqbërësve falë punës intensive dhe profesionale të Policisë së Shtetit.E cila po provon se ka kaluar në një nivel të ri fuqie goditëse ndaj krimit, duke folur përditë me rezultate konkrete" tha Rama.

Ndërkohë që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëron të tjera zhvillime në lidhje me këtë dosje. Sot u arrestua Elton Pikli nga Kruja, i cili ishte njëri nga grupi i pesë personave që u fut brenda aeroportit për të kryer super grabitjen e 5.7 mln eurove në Rinas në datë 9 prill.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:54
Arrestimet për grabitjen në Rinas, reagon ministri Sandër Lleshaj

Pas kryeministrit Rama për arrestimin e personit të pestë që ka lidhje me grabitjen në Rinas, reagoi edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili paralajmëron të tjera zhvillime në lidhje me këtë dosje.

"Goditja ndaj grupit të grabitësve në Rinas vazhdon. I pesti u mbyll prapa hekurave, duke e shtrënguar darën afër maksimumit. Respekt për punën e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë!" shkruan Lleshaj.