Vdekja e ushtarakes në Letoni, ngushëllojnë politikanët /REAGIMET

Vdekja e ushtarakes në Letoni, ngushëllojnë politikanët /REAGIMET

Vdekja tragjike e ushtarakes shqiptare ka sjellë edhe reagimet nga politika. Zarife Hasanaj, 32 vjeç nga Tropoja do të nisej në dhjetor të 2018 në Letoni, në një mission të NATOS-s, që korrespondon me një vit historik, 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ajo ndërroi jetë nga shpërthimi i një mine, teksa ishte duke e çmontuar atë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:33
SHBA: Nderojmë sakrificën e Zarifes, shërim të shpejtë ushtarëve

1557152715_latvia.jpg

Ambasada amerikane në Tiranë shprehu ngushëllimet për humbjen e jetës së ushtarakes shqiptare me mision në Letoni dhe plagosjes së dy kolegëve.

Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllime për familjen dhe miqtë e Zarife Hasanaj, ushtaren e vrarë sot në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni dhe i urojmë shërim të shpejtë dy ushtarëve shqiptarë të plagosur. Ne nderojmë sakrificën e saj”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ora 14:44
Konsulli i Nderit të Letonisë ngushëllon familjarët e ushtarakes së vrarë

1557145759_zarifehasanaj.jpg

Konsulli i Nderit të Letonisë në Shqipëri Sokol Kraja ka shprehur ngullëshimet për humbjen e jetës së nëntares Zarife Hasanaj dhe plagosjen e komandantit të kontigjentit, Major Klodian Tanushit dhe rreshter Julian Kapajt, në misionin ushtarak “Enhanced Forëard Presence”, që NATO po zhvillonte në Letoni.

"Kjo humbje hidheron të gjithë pjesëmarrësit në këtë mision, por dhe popullin letonez, i cili vlereson lart kontributin e jashtëzakonshem të Shqipërisë dhe shqiptarëve në kuadër të Aleancës, por edhe për paqen e sigurinë kudo në botë. Ne mbështesim fuqimisht rolin dhe kontributin që forcat ushtarake të Republikës së Shqipërisë kane dhënë dhe japin në kuadër të Misioneve të NATO-s.

Në këto orë të vështira, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe i ndodhemi pranë familjarëve të Zafire Hasanajt dhe ushtarakëve të tjerë që u plagosën në këtë incident tragjik", shkruan Kraja.

Ora 14:36
Vdekja e ushtarakes/ Lleshaj: Ngjarja e sotme thërret çdo shqiptar për mirënjohje ndaj rojeve të sigurisë

1557144479_5.jpg

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka shprehur ngullëshimet familjarëve të Zarife Hasanajt, ushtarakes shqiptare që mbeti e vrarë gjatë një misioni paqeruajtës në Letoni. Lleshaj i ka uruar shërim të shpejtë dy kolegëve të saj që mbetën të plagosur.

"Shpreh ngushëllimet e mija për familjarët e nëntetare Zarife Hasanaj dhe uroj shërim të shpejtë për dy kolegët e saj, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj. 

Ngjarja e sotme në Letoni thërret çdo shqiptar për respekt e mirënjohje të përjetshme për rojet e sigurisë tonë!", shkruan Lleshaj.

Ora 14:34
Vdekja e ushtarakes, Kryemadhi: Na dëshmoi se mbrojtja e paqes kalon përmes sakrificave

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të ushtrarakes Zarife Hasanaj me mision paqeruajtës në Letoni. Kryemadhi i ka shprehur ngushëllime familjarëve, duke e quajtur atë ëngjëlli shqiptar i paqes e cila i tregon të gjithëve se mbrojtja e saj kalon përmes sakrificash sublime.

"Me peshën e dhimbjes sa një mal, mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Zarife Hasanajt, vajzës me uniformën e shenjtë të ushtarakut shqiptar, dhe të plagosjes së major Klodian Tanushit dhe rreshter Julian Kapaj, teksa shërbenin në kuadër të misionit të NATO-s në Letoni!

Duke u bashkuar me dhimbjen e familjes së Zarifes, por edhe me dhembjen e të gjithë Forcave tona të Armatosura, iu shpreh atyre ngushëllimet e zemrës e të shpirtit si nënë e si grua, e lutem që Zoti t’iu japë forcë ta përballojnë dhimbjen e madhe për humbjen vajzës së tyre, e cila me aktin e vet heroik të rënies në krye të detyrës nën flamurin shqiptar në përbërje të forcave të NATO-s, bëhet engjëlli shqiptar i paqes dhe dëshmorja e kombit shqiptar në panteonin e dëshmorëve të NATO-s, duke na dëshmuar të gjithëve se edhe mbrojtja e paqes kalon përmes sakrificash sublime!

Lutem për të e shpirtin e saj.
U prehtë në paqe e i ndrittë shpirti!

Lutem edhe për dy ushtarakët e tjerë të plagosur që të shërohen sa më shpejt e të kthehen shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre!

Shqipëria e të gjithë ne bashkë me dhimbjen, ndjejmë krenarinë që i japin flamurit tonë kombëtar dhe emrit të Shqipërisë bijat e bijtë e rritur me dashurinë për atdhe e pēr flamur!

Zoti i bekoftë!", shkruan Kryemadhi.

Ora 13:09
Basha: Zarifja, dëshmorja e dytë shqiptare e rënë në mision të NATO-s


Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu ngushëllime për vdekjen në krye të detyrës të nëntetares Zarife Hasanaj, gjatë angazhimit në misionin e NATO-s në Letoni. Lutjet e tij shkojnë edhe për dy efektivët e plagosur.

"Me tronditje dhe dhimbje të thellë mësova lajmin tragjik për humbjen e jetës së efektives së Forcave tona të Armatosura Zarife Hasanaj gjatë angazhimit të saj në misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s në Letoni. 

Në këto momente të rënda mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe miqtë e Zarifes. Lutem po kështu për dy efektivët e tjerë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj që mbetën të plagosur të jenë larg rrezikut për jetën dhe të kenë trajtim dhe shërim të shpejtë.

Me sakrificën e jetës së saj të re, Zarife Hasanaj është dëshmorja e dytë shqiptare e rënë në mision të mbrojtjes kolektive të Aleancës.

Duke ju uruar shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur, lutem që shpirti i efektives Hasanaj të prehet në paqe!", shkruan Basha.

Ora 12:32
Ruçi: Ushtarakja Zarife Hasanaj, dëshmore e paqes

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu sot ngushëllimet për rënien në krye të detyrës, në misionin në Letoni, të ushtarakes Zarife Hasanaj.

″Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve të ushtarakes Zarife Hasanaj, pjestare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila  humbi jetën në krye të detyrës, si pjesë e grupit xhenier të misionit të NATO-s për demontimin e minave në Letoni. Zarife Hasanaj ra në krye të detyrës, si një dëshmore për paqen dhe mbrojtjen e jetëve të fëmijëve dhe qytetarëve letonezë.  U uroj shërim të shpejtë Majorit Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj, të cilët u plagosën gjatë këtij misioni. Shqipëria është krenare për bijtë e saj që kontribojnë në misioniet e NATO-s, në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe jetëve njerëzore anembanë globit″, thuhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ora 12:11
Meta: Me hidhërim të thellë mësova ngjarjen tragjike me ushtarakët tanë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i shprehu ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni.

Në një njoftim për mediat, thuhet se kreu i shtetit "me hidhërim të thellë është informuar për ngjarjen tragjike të ndodhur me kontigjentin e Forcave të Armatosura, në kuadër të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive në Letoni, ku ka humbur jetën në krye të detyrës Nëntetare Zarife Hasanaj si dhe kanë mbetur të plagosur Komandanti i Kontingjentit, Major Klodian Tanushi, si dhe dhe Rreshteri Julian Kapaj".

"Presidenti Meta po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj", përfundon njoftimi.

Ora 12:07
Xhaçka: Respekt e mirënjohje pafund sakrificës dhe guximit të Zarifes

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka shprehur mirënjohje për nëntetaren Zarife Hasanaj e njëkohësisht dhimbje për humbjen e jetës së saj. Në një postim në Tëitter, Xhakçka, i uron njëherësh shërim të shpejtë ushtarakëve të plagosur gjatë misionit në Letoni.

"Dhimbje e madhe për humbjen e dëshmores së Forcave të Armatosura, nëntetares Zarife HASANAJ. Në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonë e do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve tanë të plagosur, major Klodian TANUSHI dhe rreshter Julian KAPAJ, u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura", shkruan ministrja.

Ora 11:25
Vdekja e ushtarakes, Rama: I përjetshëm kujtimi i saj

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të efektives Zarife Hasanaj gjatë kryerjes së detyrës në misionin e NATO-s në Letoni.

"Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë! Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj", shkruan Rama.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg