TIRANE- Një ditë pas denoncimit të një leje ndërtimore të dhënë nga kryebashkiaku Lulzim Basha, ka reaguar kompania “Inter Co-Sat”, e cila ka pretenduar se leja ndërtimore është marrë në zbatim të ligjit dhe mbi pronën e familjes Nallbani dhe Hoxholli. Sipas përfaqësuesit të kësaj kompanie shtetasit Arjan Muço, është e vërtetë që ka pasur konflikte dhe përplasje me trashëgimtarë si Bukurije Derhemit, Enver Hoxholli, Redi Sheqeri dhe Qemal Hoxholli, por ai shton se këta të fundit nuk janë pronarë të sipërfaqes së tokës.

Pavarësisht kësaj Muça pranon se me vendimin e gjykatës së Apelit të 2014 katër emrat e mësipërm janë shtuar si pronarë në kartelën e pasurisë. Por kjo sërisht ata nuk i bën pronarë pasi sipërfaqja e tokës është blerë prej tij tek Hoxhollët e fisit tjetër, të cilët në kohën e blerjes kanë qenë pronarët e vetëm të kësaj sipërfaqeje tokësore, ku sot është miratuar sheshi i ndërtimit të pallatit disa katësh.