-Reagon Ministria e Brendshme pas deklaratës së PD-së, ku thuhej se eskorta e Kryetarit të Kuvendit ka përplasur për vdekje një 19-vjeçar-
TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/ -. Ministria e Brendshme deklaron se eskorta e Kryetarit të Kuvendit nuk është përfshirë në asnjë aksident rrugor, duke e cilesuar deklaratën e PD-së për fshehjen e një aksidenti tërërisht te pavërtetë. Në komunikatën e përditshme të Policisë së Qarkut Durrës, (dt.07.07.2014, faqja 3, me numër rendor të ngjarjes 17, publikuar dhe shpërndarë për gjithë mediat), është përfshirë arrestimi i shtetasit K. B., pasi ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin M.L., 19 vjeç, banues në Maminas. Prokurori pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Ilir Turja, ka drejtuar dhe ndjekur gjithë veprimet proceduriale, që nga momenti kur është marrë njoftimi për ndodhjen e aksidentit. MPB sqaron se shtetasi K. B, oficer pranë Gardës së Republikës, në momentin e ngjarjes nuk ka qenë me shërbim. Shtetasi K.B. ishte duke udhëtuar me automjetin e tij personal me targa AA 027 JP dhe nuk ka qenë në ushtrim të funksioneve të tij. Me marrjen e njoftimit për arrestimin në flagrancë për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" neni 290 pika 2 i Kodit Penal, shtetasi K. B. është pezulluar nga detyra si oficer i Gardës së Republikës, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /a.ke/