Real i Madridit dhe Barcelona do të zhvillojë aktin e dytë për Super Kupën e Spanjës. Ndeshja do të zhvillohet sonte në orën 22:30 në stadiumin "Santiago Bernabeu". Përballja e parë midis dy ekipve që kanë një rivalitet historik në gadishullin iberik dhe më gjërë përfundoi me rezultatin 3-2 në favor të ekipit të Barcelonës. Por, për të ngritur trofeun e Super Kupës do të jetë vendimtar 90 minutëshi i dytë në fushën e "Galaktikëve". Trajneri Hose Murinjo për të larguar presionin është shprehur se nuk i intereson trofeu, pasi nuk është asgjë më shumë se një turne veror. E kundërta ndodh me teknikun katalanas, Vilanuova, i cili e kërkon me cdo kusht trofeun e parë në drejtimin e Barcelonës, pas largimit të trajnerit Pep Guardiola.

Ekipet pritet qëtë zbresin në fushë më këtë formacion, Barcelona: në portë, pavarësisht gabimit në ndeshjen e parë do të vazhdojë të jetë Valdes, në mbrojtje Maskerano, Pike, Alba dhe Alvesh, mesfusha, aty ku është fantazia dhe celësi i suksesit të katalanasve nuk do të ndryshojë asgjë, Xavi, Iniesta dhe Buskets do të jenë në shërbim të Mesit, Pedros dhe Sancezit. Ndërsa Reali në portë do të zbresë si gjithmonë me gardianin Casillas, reparti difensiv do të përbëhet nga Ramos, Marselo, Arbeloa dhe i rikthyeri Pepe, Kedira dhe Alonso do të vendosen përpara Ozilit në rolin e fantazistit dhe Ronaldos me Di Marian nga krahët. Në sulm i vetëm do të jetë Benzema. Dueli i sotëm do të ketë një rëndësi të vecantë pasi aktualisht të dy ekipet kanë nga 87 fitore secili dhe 46 barazime, ndërsa përsa i përket numrit të trofeve Reali është përpara me 74 të tillë kundrejt 73 të Barcelonës.

(d.b/shqiptarja.com)