Në zemër të Katalonjës Real Madrid ka bërë ligjin duke mposhtur 1-3 Barcelonën në një El Clasico mjaft emocionuese, që nisi furishëm që në start. Ashtu siç pritej u desh shumë pak kohë që rezultati të zhbllokohej, me Valverde-n që nuk e diskutoi golin përballë portierit Neto. Gjithsesi euforia e galaktikëve, që vinin pas dy humbjeve turpëruese në kampiona dhe Champions League, do të binte shpejt, pasi Fati në harkun kohor të tre minutave barazoi rezultatin.
Deri në fundin e pjesës së parë skuadrat do të shpërdorinin mjaft raste të pastra, ndërsa goli i avantazhit për Realin erdhi me Ramos që ekzekutoi saktë një penallti të fituar me VAR po vetë në minutën e 63. Pas këtij moment Barcelona tentoi me të gjithë mënyrat për të barazuar, por atë që s’bënë dot katalanasit e bëri Real Madrid me Modric, që bëri ç’deshi para se të realizonte dhe të vriste ndeshjen. Me këtë fitore shuhen pikëpyetjet edhe për trajnerin Zidan, i cili sipas mediave spanjolle rrezikonte vendin e punës.

Komente

