Prej pak ditësh ka nisur trofeu i verës Internacional Champions Cup ku skuadrat më me emër në Europë përballen me njëra-tjetrën me synim për përgatitjen e sezonit të ri. Kështu në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në Houston të SHBA-ve, është zhvilluar sfida mes Bayern Mynchen dhe Real Madrid, e cila ka përfunduar 3-1 në favor të gjermanëve.
Të dy skuadrat zbritën pothuajse me formacionin më të mirë të mundshëm, ku risitë ishin Hazard për Realin dhe futbollisti Arp për Bayern-in. Edhe pse pritej një dominim i galaktikëve pjesa e parë u vulos nga Tolisso, i cili në minutën e 15 shënoi për Bayern-in. Në pjesën e dytë, fillimisht Zidan dhe më pas Kovac, bënë një sërë ndryshimesh, të cilat rezultuan pozitive për skuadrën gjermane.
Lewandowski fillimisht dyfishoi shifrat në minutën e 67-t, ndërsa 2 minuta më pas Gnabry shënoi golin e tretë. E vetmja gjë për t’u veçuar për Realin ishte perla e realizuar nga 18-vjeçari Rodrygo, i afruar këtë verë nga Santos-i për 45 mln euro.