Mes zërave të merkatos te Interi dhe rikthimit në fanellën e kaltër në Italinë e re eksperimentale të Silvio Baldini ka një shpresë që quhet Marco Palestra. Me vetëm dy paraqitje me kombëtaren e parë (pikërisht kundër Irlandës së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës), ai tashmë konsiderohet një nga “veteranët” e grupit në Coverciano, së bashku me Gianluigi Donnarumman dhe Francesco Pio Espositon.
Pas një sezoni të shkëlqyer me Cagliarin, Palestra nisi të vrapojë dhe nuk u ndal më. I shpallur mbrojtësi më i mirë i kampionatit të Serie A, me një shpejtësi mesatare prej 27.96 km/h, ai ishte gjithashtu futbollisti më i shpejtë i sezonit të fundit. Një sezon plot kënaqësi për të, nga sigurimi i mbijetesës me skuadrën sarde deri te debutimi me kombëtaren.
Në pesë kampionatet më të forta evropiane, ai është mbrojtësi me më shumë driblime të suksesshme (70), një statistikë që shpjegon më mirë se çdo tjetër pse është objektivi i shumë klubeve të mëdha italiane dhe të huaja, mbi të gjitha i Interit të drejtuar nga Cristian Chivu.
“Jam gati për një klub të madh? Gjithmonë jam ndier gati. Për të ardhmen time nuk po mendoj tani, jam i fokusuar te dy ndeshjet e ardhshme me kombëtaren. Duhet të bëjmë mirë edhe për renditjen”, deklaroi ai.
Sipas raportimeve të Sky Sport Italia, Interi ka bërë një ofertë të parë për Atalantën, pronaren e kartonit të lojtarit, 40 milionë euro plus 5 milionë bonuse. Megjithatë, kjo nuk mjafton për klubin bergamask, i cili kërkon 50 milionë euro.
Interi ka përshpejtuar negociatat për krahun e djathtë për shkak të “kërcënimit” nga Real Madridi për Denzel Dumfries. Klubi madrilen thuhet se është i gatshëm të paguajë klauzolën prej 25 milionë eurosh në kontratën e holandezit, e cila mund të aktivizohet vetëm gjatë muajit korrik.
Si mbrojtës krahu, Palestra kombinon shpejtësinë e jashtëzakonshme me aftësinë për të kaluar kundërshtarët në duele një kundër një. Dhe megjithatë, në moshat e reja ai nuk dallohej aspak për shpejtësinë:
“Luaja si mesfushor i brendshëm dhe deri në moshën 15-vjeçare konsiderohesha lojtari më i ngadaltë i skuadrës. Luaja pak, por kjo është pjesë e rrugëtimit. Nuk u dorëzova kurrë dhe pata fatin të kem gjithmonë familjen pranë që më ndihmoi”, thotë ai.
Karriera e tij, e nisur në akademinë e Atalantës, mori hov në Serie C me ekipin U23 të klubit zikaltër.
“Ajo ishte një eksperiencë themelore që më ndihmoi shumë të kuptoja si funksionon futbolli profesionist. Ky sezon, i pari si titullar në Serie A, më dha shumë besim. Në Cagliari kam kaluar shumë mirë.”
Çuditërisht, edhe pse ka vetëm dy ndeshje me kombëtaren, ai është një nga lojtarët më me përvojë të këtij grupi të ri të Italisë. Përveç Donnarummës, ai është një nga të paktët, së bashku me Niçolò Pisilli dhe Pio Esposito, që kanë debutuar tashmë me ekipin kombëtar.
“Debutimi kundër Irlandës së Veriut ishte një nga momentet më të bukura të jetës sime dhe do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time. Këto ditë po shoh një grup fantastik. Të gjithë kemi dëshirë të bëjmë mirë dhe kemi një trajner që na shtyn të japim maksimumin çdo ditë. Përveçse luajmë fort në fushë, kalojmë shumë mirë bashkë edhe jashtë saj”, tha 21-vjeçari.
Komente










