Reali i Madridit është me një këmbë në finalen e Kupës së Mbretit, pasi arrti që të siguronte një fitore të thellë përballë Atletikos me rezultatin  3-0 në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’.

Ndeshja filloi mjaft e mirë për madrilenët që nuk reshtën së sulmuari nga minuta e parë. Pjesa e parë u mbyll me golin e Pepe-s, ndërsa e dyta u thellua me golin e Jese, i cili nuk e pati të vështirë të dërgonte topin në rrjetë, pas një pasimi të bukur e të saktë të Di Marias.

Golat tërhoqën Atletikon në mbrojtje në pafuqi për të shënuar, teksa humbet edhe psikologjikisht dhe pëson golin e tretë, këtë herë autogol nga Miranda pas gjuajtjes së Di Marias. Ndeshja e kthimit pritet që të jetë thjeshtë formalitet për Realin, pasi tani ka filluar që të mendojë për finalen.

Gardiani i Real Madridit, Iker Casillas ka shkruar historinë në ekipin e bardhë, pasi ka regjistruar 702 minuta pa pësuar gol. Casillas është portieri i parë në historinë e Real Madridit që mban portën të paprekur për plot 702 minuta, por edhe pa njohur humbje në karrierë në përballjet me Atletikon prej 14 vitesh.

Roma ka mposhtur Napolin në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë që u zhvillua në ‘Stadio Olimpico’ me rezultatin 3-2.

Roma zhvilloi një ndeshje shumë më të mirë se Napoli duke treguar se e meritojnë vendin e dytë në renditjen e Seria A. Në Kupë, Roma është pretendente kryesor për të fituar titullin. Ndeshja nisi e shpejtë për dy ekipet, Totti dërgoi një top bukur te Gervinho, i cili zhbllokoi rezultatin në 13’.

Kevin Strootman me një goditje nga distanca e dyfishoi epërsinë. Morgan De Sanctis shënoi autogol në të 47’në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Dries Mertens e barazoi rezultatin në të 70’. Golin e fitores për Romën e shënoi Gervinho në të 88’.



Dylber Balla/Shqiptarja.com