Real Madrid shmang turpin në Champions League. Skuadra e Zidane barazoi 2-2 ndaj Gladbah në Borrusia Park duke marrë pikën e parë për këtë edicion. Gjermanët e surprizuan Realin dhe morën avantazhin e dyfishtë falë golave të Marcus Thuram por spanjollët treguan se nuk vdesin kurrë dhe fillimisht ngushtuan diferencën me Benzema dhe më pas barazuan në minutën e 93-të me Casemiro.
Edhe Interi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në Kiev ndaj Shakhtar Donetsk. Zikaltërit luajtën dhe krijuan raste por ngecën në shtyllë dy të tilla vetëm në pjesën e parë me Barella dhe Lukaku. Ukrainasit kryesojnë grupin B atë të surprizave me 4 pikë, Interi ka dy dhe Real Madrid vetëm një pikë. Përballja e dyfishtë Real-Inter do të vendos shumë.
Në grupin A kampionët në fuqi të Bayern Mynih janë me pikë të plota pas dy ndeshjeve të para. Dje edhe pse me vështirësi bavarezët triumfuan në Moskë ndaj Lokomotivës me rezultatin 2-1 me golat e Goretzka dhe Kimmich.
Atletico Madrid evitoi një befasi të madhe ndaj Salzburg pasi ishte në disavantazh 2-1 dhe e ktheu ndeshjen në fitore 3-2. Vendosi dygolëshi i portugezit Joao Felix në minutat 52 dhe 85 dhe madrilenët marrin tre pikët e para në grupin A.
Manchester City në Europë nuk po ndalet. Djemtë e Guardiolës sigurojnë fitoren e dytë në grupin C dhe kryesojnë me 6 pikë të plota. Mbrëmë City mundi në Velodrome Marseille 3-0 me golat e Ferran Torres, Guendogan dhe Sterling. Ndërsa Porto mori tre pikët e para duke mposhtur 2-0 Olympiacos.
Ashtu si Bayerni e City me pikë të plota është edhe Liverpool që edhe pse me ndryshime në formacion fitoi 2-0 në Anfield ndaj Midtjylland me golat be Diogo Jota dhe Salah.
Barazim spektakolar ishte ai në Bergamo mes Atalantës dhe Ajax me ndeshjen që u mbyll 2-2. Holandezët morën avantazhin e dyfishtë me golat e Tadic dhe Traore por në pjesën e dytë Duvan Zapata ishte spektakolar duke shënuar 2 gola dhe gjithçka u nda në barazim. Atalanta mban vendin e dytë në grupin D me katër pikë./ Përgatiti Andi Kapxhiu.